Pabarazia në të ardhurat është rritur në rreth dy të tretat e shteteve anëtare të Bashkimit Europian kryesisht për shkak të nivelit të papunësisë në rritje që nga fillimi i krizës. Në të njëjtën kohë, pabarazia në BE është rritur si rrjedhojë e ngecjes së procesit të konvergjencës së të ardhurave në mes të vendeve europiane – sipas një raporti të ri të Eurofound, të publikuar dje, i cili ka matur të ardhurat dhe modelet e punësimit në Europë para dhe pas Recesionit të Madh. Rezultatet tregojnë se pabarazia e të ardhurave në BE ka rënë kryesisht para vitit 2008, e nxitur nga një proces i fortë i konvergjencës së të ardhurave midis vendeve të Europës – por Recesioni i Madh e ndaloi këtë prirje dhe nxiti rritjen e pabarazisë lart si për BE-në tërësi dhe në të gjithë shumicën e vendeve. Studimet e mëparshme kanë theksuar zgjerimin në diferencat e pagave si arsyen kryesore pas trendit afatgjatë të rritjes së pabarazisë në të ardhurat e disponueshme, vërejtur në shumë vende europiane; megjithatë ky raport identifikon papunësinë dhe rënien në të ardhurat e punës të lidhur me papunësinë, si arsyen kryesore që ka çuar në rritjen e pabarazive në të ardhurat e disponueshme të familjeve vitet e fundit. Ndikimi i Recesionit të Madh në pabarazitë në të ardhurat e disponueshme të familjeve nuk ka qenë i kufizuar në shtetet anëtare të reja apo vendet e Mesdheut, por ka ndikuar edhe në shtetet më të vjetra anëtare dhe vendet veriore europiane që kanë qenë tradicionalisht më të barabarta, të tilla si Gjermania, Suedia dhe Danimarka. Megjithatë, politikat e shtetit të mirëqenies kanë arritur të zbusin shkallën e rritjes në një numër shtetesh anëtare. Raporti tregon se kriza ka ulur mesatarisht të ardhurat reale të disponueshme në pothuajse të gjitha vendet europiane, edhe pse në shkallë të ndryshme. Raporte të tjera ndërkombëtare kanë theksuar se edhe në Shqipëri, pabarazia është rritur vitet e fundit. Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit 2016-2017, drejtuesit e ekonomistët e BERZH deklaruan se pothuajse të gjitha vendet e marra në vrojtim (36 në total, ku përfshihen ato të Europës Juglindore, Azia Qendrore, por edhe pjesa Juglindore e rajonit të Mesdheut) deklaruan rritje të pabarazisë ekonomike. 30% e shqiptarëve në sondazhin e fundit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim mendojnë se pabarazia është rritur. Perceptimi që rritja ekonomike në Shqipëri nuk është mirëshpërndarë, është konfirmuar edhe nga Forumi Ekonomik Botëror, i cili krahasoi rritjen gjithpërfshirëse me rritjen ekonomike pothuajse në të gjitha vendet në raportin e tij të fundit “Rritja gjithpërfshirëse dhe zhvillimi”. Në këtë klasifikim, Shqipëria është përfshirë në zonën portokalli, atë me përqendrim të lartë ku PBB e vendit u zgjerua me ritme më të larta se rritja gjithpërfshirëse. Me fjalë të tjera, nga rritja ekonomike e vendit ka përfituar pakica, ndërsa ecuria pozitive ekonomike nuk është përkthyer në një shtim të mirëqenies për shumicën. Për më tepër, të dhënat tregojnë se raporti mes rritjes së PBB-së dhe rritjes gjithpërfshirëse është përkeqësuar 5 vitet e fundit në Shqipëri.
Kryesore
Continue to the categoryEnriketa Papa propozon nderimin e Ina Kasimatit dhe uljen e taksave...
Këshilltarja e Demokratëve Euroatlantikë në Bashkinë e Tiranës, Enriketa Papa, në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak kërkoi që të nderohet figura e aktivistes...