Si po trukohet nga qeveria rritja ekonomike

Gjatë ditëve të fundit, qeveria ka publikuar një seri të dhënash “triumfale”, ndër të cilat bie në sy suksesi i të ardhurave fiskale në dy muajt e parë të vitit 2016, të cilat mund të sjellin një shtesë prej 4 milionë eurosh në krahasim me parashikimet e buxhetit për këtë vit.
Por, në periferi të lajmeve triumfuese për të ardhurat fiskale, ishte njoftimi se, shpenzimet për investimet publike nuk i kaluan 50 për qind të planit, i shoqëruar me një koment, i cili shpjegonte se kjo gjë konsiderohet normale në muajt e parë të vitit për shkak të një buxheti të ri.
Po këto ditë, raporti periodik i Fondit Monetar përsëriti vlerësimin se rritja reale e prodhimit për vitin 2016 pritet të jetë rreth 3,4 për qind, shifër e parashikuar më parë dhe e përllogaritur nga qeveria në buxhetin e vitit 2016. Kjo pritshmëri do të bëjë të mundur që totali i shpenzimeve publike, pa përfshirë pagesat e interesit të borxhit publik, do të jetë më i vogël se totali i të ardhurave, pra pritet të kemi (në gjuhën teknike) sufiçit parësor buxhetor.
Ndërkohë nga burime të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bëhet e ditur se ajo po përgatitet të ofrojë një kredi për KESH-in prej afërsisht 218 milionë euro, për t’i lejuar kësaj të fundit për të zvogëluar kreditë afatshkurtra ndaj sistemit bankar vendas.
Toni i mediave gjatë përcjelljes së këtyre lajmeve nënkuptonte, se bëhej fjalë për informacione pozitive, madje në disa raste pati edhe deklarata se më në fund ekonomia shqiptare po shkonte “në drejtimin e duhur”: rriten të ardhurat fiskale, ngadalësohen shpenzimet, zvogëlohet borxhi dhe, së fundi, forcohen zërat e bilancit të kompanisë publike elektrike, pra e ardhmja ekonomike është më e mirë.
Më saktë në mënyrën e njoftimeve mediatike lexohet përpjekja e vazhdueshme e qeverisë për të manipuluar opinionin publik, ndihmuar nga zgjedhja që FMN ka bërë për të mos e përgënjeshtruar apo kundërshtuar qeverinë, që në fund të fundit është një nga aksionerët e saj, dhe në parim vendimmarrës dhe kontribues në emërimet dhe karrierat e burokratëve të FMN-së.
Si një vëzhgim i parë, borxhet e KESH dhe të gjithë sistemit elektrik publik kanë përmasa katastrofike, duke variuar nga 1,5 deri në 2 miliardë euro, por që falë trukeve kontabël dhe interpretimeve të qëllimshme nuk janë të përfshira në shumicën e tyre në përllogaritjen e borxhit publik. Por, nëse KESH i drejtohet BERZH-it për hua, kjo nuk është thjesht për të bashkuar borxhin afatshkurtër, por me shumë gjasa për ta rinovuar dhe konsoliduar (që do të thotë për ta transformuar në një borxh afatgjatë) dhe, natyrisht, me kosto më të lartë financiare. Kjo gjë mund të jetë bërë e detyrueshme edhe për faktin se bankat vendase kanë vështirësi në rinovimin e overdraftit për klientë, aftësia paguese e të cilëve nuk përmbush kriteret e nevojshme për këtë lloj financimi.
Në çdo rast zëvendësimi i një borxhi me një tjetër akoma më të madh nuk është një nisje e mirë, madje është sjellja tipike e dikujt që është duke u fundosur në një vorbull pa fund. Nuk dimë më shumë për këtë operacion, por ndjesia është se po dalin në sipërfaqe probleme të mëdha që deri më tani i ishin fshehur opinionit publik, të cilit i është thënë se reforma e sistemit elektrik është një nga sukseset më të mëdha të qeverisë.
Si vërejtje të dytë, projekti i zvogëlimit të borxhit publik, (i cili mund të rritet me 220 milionë vetëm me operacionin e sipër përmendur) gjatë tre viteve të ardhshme i prezantuar gjatë aprovimit të buxhetit 2016 vazhdon të duket jo realist, duke qenë se ky plan bazohet mbi rritje reale të sistemit ekonomik shqiptar që duhet të fillojë me 3,4 për qind më 2016, pasuar nga rritje me 3,9 për qind në 2017, dhe pastaj me rritjen trumfale prej 4,2 për qind në 2019.
Parashikimet e mësipërme i referohen rritjes reale të PPB-së. Rritja nominale e PPB përftohet, duke i shtuar shifrave të rrijtes reale inflacionin të parashikuar 2,3 për qind në 2016, 2,7 për qind në 2017 dhe 3 për qind në vitet në vijim.
Me pak fjalë për ulje të borxhit publik sikurse e ka planifikuar qeveria, duhet që PPB nominale në vitet në vazhdim të rritet në mënyrë të vazhdueshme nga 6 deri në 7,5 për qind në vit, e gjitha bazuar mbi normat aktuale të këmbimit.
Ky objektiv duket pothuajse i pamundur pa një injektim kapitali nga jashtë, qofshin nën formën e dërgesave të emigrantëve apo investimeve të huaja direkte, por është akoma më i pamundur nëse politikat e qeverisë do të rezultojnë me efekte ekonomike në rënie, siç tregojnë sinjalet e lajmeve të cituara në fillim të këtij artikulli: mblidhen më shumë taksa, por harxhohet më pak; pra, objektivi bëhet akoma dhe më i pamundur, nëse nuk ka inflacion, ose më keq nëse ka deflacion, çka po e denoncojnë ekonomistët më të kujdesshëm këto javë.
Ajo që i jep goditjen e fundit shpresave është rënia e dukshme e popullatës që do të prodhojë rënie të ndjeshme të kërkesës dhe të inflacionit dhe rënie të PPB-së reale.
Së fundmi, është e vështirë të parashikosh një klimë zgjerimi të ekonomisë, kur falimentojnë apo janë duke falimentuar të gjithë aktorët kryesorë të ekonomisë prodhuese të vendit (Kurum, Armo, të tjerë?); aq më më tepër në një kontekst që favorizon importuesit e mëdhenj, të cilët janë pjesërisht të paprekshëm nga rreziqet dhe kërcënimet e investimeve kapitale dhe nga një sistem publik zhvatës.

Exit mobile version