Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Nga rruga e “Durrësit” vijnë dy djem të rinj me një rrotull litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek Sheshi “Skënderbej” makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit. Përpjekja e parë dështon, sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një kavo çeliku jo shumë të gjatë, të cilën e lidhin me litarin. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë i ulur poshtë, të monumentit të diktatorit. Pastaj u larguan të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar.
Afro 100 mijë vetë që ndodheshin tek Sheshi “Skënderbej”, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarjeje të papërsëritshme, filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit. Ndërsa në momentin që do të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të papërshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim qelbësirën”. Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigant. Makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigant përgjatë Sheshit “Skënderbej”. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej” e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.