Si Rama, Berisha dhe ish “Gazka”, vërtetuan raportin amerikan vetëm pak orë pasi doli!

NGA POLI HOXHA

Si Rama, Berisha dhe ish “Gazka”, vërtetuan raportin amerikan

Prej disa kohësh një situatë politike në dukje absurde, po vazhdon në Shqipëri.

Edi Ramës i duket vetja shumë i zgjuar dhe xhongler, që kur vendosi të luajë farsën sipas të cilës në vend ka vetëm dy pole politike, ai dhe Berisha.

Gjithashtu si mish dhie në gjellën e mamuthëve qëndron Gaz Bardhi, të cilit i është mbushur mendja se është “lojtar” që shënon në të dyja porta e fushës dhe golat i quhen.

Berisha nga ana tjetër del përnatë në ballkon dhe bën sikur lufton me regjimin, lëshon gjyle mbi mullarët e SPAK dhe pasi hyn brenda në shtëpinë-burg, monitoron paktin e ri me Edi Ramën.

E gjithë kjo panoramë ka vetëm një emër: Intimidimin e drejtësisë dhe imponimin ndaj ndërkombëtarëve si faktorë të vetëm, të cilët në Shqipëri kanë në dorë edhe breshërin, edhe diellin!

Por fundi i lojës ka ardhur.

Raporti i fundit i Freedom House, organizatë amerikane që mision kryesorë ka monitorimin e demokracisë në botë, ishte një prozhektor i fortë që nxjerr në dritë çorbën e helmuar që po gatuan Rama me Berishën, edhe pse e mbysin me erëza të forta dhe mish dhie të tipit gazbardhistë.

Zbërthimi i lojës është tronditës.

Jo se nuk e dinin shqiptarët, por sepse ndërkombëtarët po i paralajmërojnë për herë të fundit që të mos bëjnë si të zgjuar me ata dhe të luajnë me dy porta.

Raporti e thotë troç: Forca politike e Berishës, Rama dhe qeveria e tij, mediet që kontrollojnë dhe bisneset në shërbim të tyre, janë bërë bashkë kundër SPAK.

Pasi nxihet mazhoranca Rama, qëndrimi për Berishën dhe këdo që i ndjek apo bën marrëveshje si Rama është i prerë: Po përdorin dhunën si instrument, synohet destabilizimi i vendit, minojnë demokracinë, po përdorin mediet dhe bizneset për kauzën e tyre malinje dhe kanë rrethuar dhe po intimidojnë SPAK dhe GJKKO.

Për ata që nuk e dinë, raportet e Freedom House janë bazë e qëndrimeve zyrtare të SHBA.

Për sy e mendjeleshët, kujtojmë se kur në këto lloj raportesh shkruhet se një grupim politik kudo në botë është i dhunshëm, synon destabilizimin e vendit dhe të demokracisë, zakonisht më pas qeveria i shpall këto grupime edhe zyrtarisht, si “terroriste”.

Askush nuk e do dhe e uron këtë përfundim, pasi edhe “ngrënia e barit” që po vazhdon prej 3 vitesh, është shumë. Por një gjë është e qartë: Pazari Rama-Berisha po monitorohet fortë nga ndërkombëtarët.

Ky raport është vetëm preludi dhe Edi Rama ka për të qenë fajtori kryesorë, pasi për ti shpëtuar drejtësisë duke rikonfirmuar pushtet edhe për 4 vite, po e shet organizatën e Berishës si të vetmin faktorë politik në vend që ai ka përballë por edhe që mund të bëjë marrëveshje, për hir të “demokracisë”.

E fuqizon në Kuvend, e fut në tryezën e lartë politike si ajo e Reformës Zgjedhore, e ushqen fuqishëm ekonomikisht nëpërmjet bizneseve oligarkike dhe mbi të gjitha e mban në lojë duke përpunuar opinionin publik me mediet e përbashkëta.

Me dorën e tij ju ka dërguar mesazh medieve kryesore, që ta trajtojnë Gazment Bardhin “si aset”. Kurse PD dhe Lulzim Basha që janë të vetmit pro SPAK e në linjën perëndimore për demokracinë shqiptare, të defaktorizohen, të sulmohen edhe pa lidhje, të tallen dhe të trajtohen si të mbaruar.

Kaq të madh e kanë hallin me SPAK dhe për të vazhduar të gëzojnë së bashku pushtetin e “mazhorancës dhe opozitës”, sa që e kanë futur kokën keq fare në konspiracionin për të minuar demokracinë.

E kanë futur deri aty sa që vetëm pak orë pas publikimit të raportit amerikan të Freedom House, e vërtetuan pikë për pikë atë.

Nëpërmjet ish-Gazkës, sot zëvendës i kryetarit nongrata të organizatës Rithemelimi,(“Aset” sipas Ramës), në bashkëpunim me Lindita Nikollën yesman-e, amnistuan nongratën e SHBA dhe të Britanisë së Madhe dhe certifikuan “minimin e demokracisë”.

Edhe atë pjesën e rëndë të “dhunës dhe destabilitetit të vendit”, nuk duruan por e vërtëtuan shpejt e shpejtë, duke hedhur bomba molotov te bashkia e Tiranës, pasi shtabin qëndror të korrupsionit në vend që është zyra e Ramës, e kanë çliruar me kohë!/

Artikulli paraprak“Reagimi i qeverisë greke, i vonuar dhe i paqartë”- Lëvizjet e Athinës sapo u njoftua për masakrën e Peshkëpisë! Çfarë debatuan ish-ministri i Jashtëm Alfred Serreqi dhe homologu Papulias
Artikulli tjetër11 Pridh