Si shmangu qeveria pjesëmarrjen tek Marina e Vlorës , i “fali” 23 mln euro investitorit strategjik

Dy portet më të rëndësishëm në vend, ai i Durrësit dhe i Vlorës, janë dy projekte të ngjashme që iu dhanë privatëve me ligjin e investimeve strategjike nëpërmjet procedurave të ndryshme. Në “Marina di Valona” përveç ligjit të investimeve strategjike, qeveria aplikoi edhe “Shqipëria 1 Euro” dhe zgjodhi të mos merrte pjesë në këtë investim duke i falur 23 mln euro privatit.

Gazetar: Xhevahir Zhabina

Në vitin 2022, qeveria vendosi ti japë koncensionarit të Portit të Jahteve në Vlorë,  57 502 m2, me qira 1 euro. Lëvizja erdhi në kohën kur kompania kishte fituar edhe statusin e investitorit strategjik.

Me anë të kësaj ndërhyrjeje qeveria hoqi dorë nga pjesëmarrja në këtë projekt, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të ligjit të investimeve strategjike.

Ndryshe nga rasti i Vlorës, në “Durrës Yacht & Marina”, një projekt me plot dritë-hije, është aplikuar VKM 1030/2015, e cila rregullon mënyrën si shteti merr pjesë në një investim strategjik.

Referuar planit të biznesit të “Marina di Valona”, nëse shteti do të ishte aksioner me të njëjtën përqindje si në Durrës, do të ishin fituar të paktën 23 milionë euro. Aktualisht shteti do të përfitojë vetëm 5 milionë që vijnë nga privatizimi i tokës.

Procedurë e ndryshme për projekte të ngjashme

Në mënyrë që të mbrohej interesi publik, ligji i investimeve strategjike i miratuar në vitin 2015, parashikon pjesëmarrjen e shtetit në projektet me interes për të.

Në po të njëjtin vit, në muajin dhjetor 2015 doli  VKM 1030 që përcakton procedurat si shteti bëhet pjesëmarrës në një investim strategjik, ku detajohet se shteti vendos në dispozicion të zhvilluesit prona, asete dhe krijon lehtësi për ta. Në këmbim, bashkëpjesëmarrja shpërblehet nëpërmjet pagesës së tarifave, produkteve apo fitimeve të realizuara ose nëpërmjet formave të tjera të përcaktuara në kontratën me investitorin strategjik.

Pavarësisht këtyre garancive ligjore, së paku në njërin prej projekteve, shteti ka zgjedhur të heqë dorë nga bashkëpronësia.

“Lehtësirat fiskale që u janë ofruar investitorëve të tillë kanë krijuar terren për evazion fiskal, kanë ushqyer korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve dhe kanë bëre ekonominë me pak konkurruese në sektorët ku është aplikuar ky kuadër ligjor.” – thotë Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike

Në dy projektet, atë të “Marina di Valona” dhe “Durrës Yacht & Marina” shteti ka vënë në dispozicion të privatit tokën e dy porteve, por ka zgjedhur të aplikojë regjime të ndryshme bashkëpronësie.

Në “Marina di Valona”  vendos të mos jetë pjesë e projektit, ndërsa në “Durrës Yacht Marina”, të jetë aksioner me 33%, duke marrë 1/3 e fitimit.

Pano Soko ekspert ekonomie thelbi i problemit qëndron në bazën ligjore të miratuar nga parlamenti.

“Në rastin e pjesëmarrjes shtetërore në investimet të tilla hibride duhet të kishim vetëm një ligj që përmblidhte gjithë rregullimin ligjor në marrëdhënien mes shtetit dhe privatit.”– thotë Pano Soko, ekspert ekonomie.

Koncesioni për “Portin e Jahteve” dhe investimi strategjik “Marina di Valona” janë dy projekte të ndryshme por që herë pas here, trajtohen si të integruara. Ata janë marrë përsipër të ndërtohen nga bashkimi i operatorëve “Brunes”, “Ndregjoni” dhe “Marina Projects”.

Ishte një bashkim mekanik procedurash që jo vetëm po shkelte ligjin, por që as nuk ngjiste logjikisht.” –Pano Soko, Ekspert Ekonomie.

451886399 1024883499031387 8971783999215688400 n

Ndryshe nga Vlora, projekti i shumëdebatuar i “Durrës Yacht Marina” bazohet vetëm në ligjin e investimeve strategjike. Projekti u cilësua antikushtetues dhe korruptiv pasi investitorit arab të “Symphony Real Esatate Devolopment” po i falej një aset që vlen miliarda euro.

“Porti i Durrësit është një pasuri kaq e rrallë, saqë vetëm 79 milionë Euro investim fillestar, do të prodhojë mbi 3 miliardë Euro të ardhura. Kështu shkruhet tek biznes plani. Po ne si shtet kemi mbetur keq për 79 milionë euro, që nuk e investojmë vetë?” – thotë Pano Soko.

Ligji për investimet strategjike dhe Shqipëria 1 euro bëhen bashkë për Marinën e Vlorës

Ligji i investimeve strategjike dhe ai “Shqipëria 1 euro” u bënë bashkë për projektin e “Marina Di Valona”. Komitetit i Investimeve Strategjike, përmend në vendim e miratimit, edhe VKM-në 1030, që rregullon pjesëmarrjen e shteti në projekt, më konkretisht kreun dy të saj.

Por në kreun dy flitet vetëm për krijimin, funksionimin dhe administrimin e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike dhe jo procedurën e pjesëmarrjes së shtetit për tokën e dhënë dhe formën e shpërblimit, që trajtohen në kreun e parë.

Në këtë vendim, për masën mbështetëse “vendosja në dispozicion e pasurive shtetërore”, citohet neni 27, i ligjit të investimeve strategjike dhe VKM 1030/2015, që rregullon pjesëmarrjen e shtetit, deri këtu në harmoni me vendimin për Portin e Durrësit.

Në rastin e Portit të Vlorës në kolonën mbi dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë subjekti, citohet VKM nr. 54/ 2014, “Shqipëria 1 euro” duke ua dhënë tokën ku do të zhvillohen ndërtimet e hoteleve dhe apartamenteve me qira simbolike.

“A është gjithë ky kolorit legjislativ një mekanizëm për të mbuluar ligjërisht abuzimet, pra që parashikonte mbrojtje për çdo lloj abuzimi? Personalisht besoj se kjo është arsyeja pse kemi kaq shumë ligje.”– thotë Pano Soko, ekspert ekonomie.

Me këtë lëvizje ligjore kompania mori me qira 1 euro për 20 vite, 57 502 m2 me të drejtën për të privatizuar tokën. Referuar planit të biznesit që shoqëron kontratën e miratuar me VKM 599, datë 13.10.2021, koncensionari deklaron se mund ta blejë këtë sipërfaqe të lakmuar në zemër të Vlorës me një çmim prej vetëm 88 euro për metër.

Referuar planit të biznesit që kanë paraqitur vetë kompanitë për “Marina di Valona”, do të ndërtohet 82,500 m2 rezidencë dhe po kaq për resortin. Nga shitjet e kompleksit të banimit do arkëtohen 58 milion euro, fitimi neto vetëm për këtë zë do jetë rreth 20 milion euro. Ndërsa në total fitimi neto për  kompaninë është 70 mln euro (20 milion euro nga rezidencat dhe 50 milion euro nga resorti) në 10 vitet e para të operimit.

Nëse qeveria do të merrte 33%  të fitimit si shpërblim për tokën që kontribuoi, njësoj si në “Durrës Yacht Marina”, në arkat e shtetit do të vinin rreth 23 milion euro. Por kjo llogari është bërë me planin e biznesit ku kompania do të shesë metrin katrorë të banimit me 750 euro dhe 1250 euro njësitë e shërbimit.

Aktualisht çmimet për metër katrorë në “Marina Residence Vlorë” variojnë nga 2500 deri në 3500 euro, duke bërë që kompania të llogarisë trefishin e fitimit vetëm nga kompleksi rezidencial.

Për rrjedhojë edhe për buxhetin e shtetit do të trefishohej fitimi. Sipas përllogaritjeve nëse shteti do ishte aksioner në këtë projekt do të kishte fituar më shumë se sa 5 milion euro që merr nga shitja e tokës me çmimim e  references dhe jo të tregut, një fitim që përllogaritet në vlerën e 23 mln eurove që iu fal kompanisë vetëm se shteti vendosi të mos jetë aksioner në këtë projekt.

Por qeveria u kujdes që ta shesë ndryshe këtë investim.

“Portet turistike në vetvete janë investime të mëdha dhe nuk janë investime që sjellin një fitim të arsyeshme nëse nuk kanë kompleksin e mikpritjes aty ose rezidencial. Këtu ka dy rrugë ose do ti ndërtojë shteti, ose do ja kërkosh sipërmarrjeve private. Ne dijeni tonë i tërë mesdheu e bën kështu siç e bëjmë ne, nuk e kemi shpikur ne”– tha Edi Rama, për projektin e portit të Vlorës.

Përgjigjen se përse një bashkim kompanish do të investonte 22,8 milion euro në një biznes që nuk ishte përfitues, e jep plani i integruar biznesit i kompanive (port plus ndërtimin), i cili është i dhjetorit të vitit 2020, kur ende procedura konkurruese për portin e jahteve nuk kishte përfunduar.

Në këtë dokument parashikohet ndërtimi i rezidencave të banimit dhe një resorti turistik, duke ngritur pikëpyetje  se kompanitë e dinin që qeveria do tu jepte për ndërtim edhe tokën e portit.

 “Kjo ishte pjesa më humoristike. Si paraqiten 3 oferta për një koncesion që del me humbje? Ligji nuk lejon fare koncesioninin e aseteve jo fizibël, por edhe nëse mendojmë se për një moment i shkau situata administratës, këta privatët që vijnë konkurrojnē, janë budallenj apo si?”-pyet Pano Soko.

Duke parë fushën e zbatimit dhe aplikimit të këtij ligji, Zef Preçi kërkon shfuqizim të tij.

“Nuk ka shërbyer interesin publik dhe si i tillë, ky kuadër ligjor meriton te abrogohet (shfuqizohet) dhe jo te amendohet.” – Zef Preçi, Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike./ Citizens Channel

Exit mobile version