Lufta ndaj financimeve të paligjshme ka kosto të larta për sistemin bankar. Qiproja njihej dikur si një vend me kushte bankare të favorshme, por në vitin 2014, filloi të reformojë bankat për të luftuar financimet e paligjshme.
Për pasojë, sistemi bankar vendas humbi mbi 77 mijë llogari të cilat konsideroheshin të dyshimta, një pjesë e madhe e tyre të lidhura me investitorë rusë. Shkëputja e Qipros nga ky ndikim negativ u shqyrtua gjatë një konference në Uashington, të cilën e ndoqi për Zërin e Amerikës, kolegu ynë Ermal Mërtiri.
Në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington u shqyrtua rasti i Qipros në luftën kundër financimeve të paligjshme, në veçanti kundër ndikimit negativ rus në ekonomi.
“Kriza financiare e vitit 2013 në Qipro ishte realisht alarmi që zgjoi të gjithë aktorët në vend. Mësimi kryesor ishte se ishin vetë praktikat tona të këqija, në veçanti praktikat e luftimit të krimeve financiare që rezultuan në krizën bankare. Gjatë periudhës 2000 – 2013, në Qipro pati një pesëfishim të depozitave bankare”, tha Ioannis Matsis, Drejtor Ekzekutiv i Hellenic Bank të Qipros.
Në atë periudhë, Qiproja pati liberalizuar politikat e depozitave bankare dhe për pasojë volumi i depozitave arriti në vetëm tetë vite të bëhej gati pesë herë sa GDP-ja e vendit. Me taksa të ulëta dhe kushte favorizuese Qiproja u bë kështu papritur një vend tërheqës për fonde që vinin nga vendet e Evropës Lindore.
Zoti Matsis tha se këto depozita në vazhdim u përdorën nga bankat për të dhënë hua, duke shkaktuar krizë financiare. Në vitin 2013, qeveria dhe sistemi bankar vendosën se duhej ndryshuar drejtimi financiar i vendit.
“Kuptuam se duhej ndryshuar drejtim, se duhej të bëheshim një vend me reputacion të mirë për të bërë biznes dhe të vendosnim praktika më të mira. Përpjekjet filluan me legjislacionin…”, tha Christakis Patsalides, Zv.Drejtor Ekzekutiv i Bankës së Qipros.
Zoti Patsalides tha se Qiproja nuk u mjaftua me kaq, por ndërmori masa të mëtejshme shtrënguese dhe si rezultat është tashmë ndër vendet me rregullat më të rrepta financiare.
“…Kemi arritur një transformim kulturor…
Pranuam se patëm vepruar gabim dhe se nëse do të qëndronim në heshtje duke mos bërë asgjë nuk do të kishim patur rezultatet e dëshiruara”, tha Mario Skandalis, drejtor për zbatimin e ligjeve në Bankën e Qipros.
Zoti Skandalis tha se Qiproja nuk u mjaftua vetëm me marrjen e hapave të para, por vazhdoi me një sërë reformash dhe masash madhore.
“Nuk u mjaftuam vetëm me ndryshimin e ligjeve, por për të ndryshuar perceptimin e të kaluarës duhet të dëshmonim se mund të merrnim hapa të mëtejshme”, tha zoti Skandalis.
Qiproja zbatoi madje shtrëngimet e parashikuara nga rregullat financiare amerikane për identifikimin e përfituesve realë financiarë (Ultimate Beneficial Owners, UBO), një problem që lind në veçanti nga krijimi i kompanive offshore, apo kompanive guaska.
Gjithashtu, Qiproja ndjek zbatimin e sanksioneve ndaj personave në listat e sanksioneve financiare. Për rrjedhojë, autoritetet bankare thonë se sot vendi nuk pranon aktivitete financiare të kompanive guaska dhe nuk ekzistojnë më degë bankare ruse. Fondet ruse, sipas zotit Skandalis, nuk u tërhoqën mbrapsht në Rusi, por u zhvendosën drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.
“Llogaritë shkuan drejt tregjeve të tjera kryesore të shërbimeve financiare, si Gjermania, Luksemburgu, Hollanda, Malta dhe Mbretëria e Bashkuar. Shkojnë edhe drejt vendeve të tjera, por kryesisht në këto qendra financiare të BE-së”, tha zoti Skandalis.
Çdo llogari bankare në Qipro monitorohet tashmë që në krijimin e saj dhe në kohë reale gjatë gjithë transaksioneve, për të evidentuar përfituesit e vërtetë.
Sidoqoftë, sistemi financiar i Qipros pritet të vlerësohet deri në fund të këtij viti nëpërmjet një raporti të Moneyval, organ i Këshillit të Evropës që shqyrton përputhshmërinë me standartet financiare ndërkombëtare kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.