“New Scientist”: Si të dalim nga Covid-19?

Në perspektivë, kufizimet për frenimin e pandemisë së Covid-19 rrezikojnë që të shkaktojnë dëme të rënda ekonomike dhe sociale. Por rikthimi në normalitet do të ndodhë gradualisht me hapje të pjesshme dhe forma të shënjestruara kontrolli. Tri strategji në krahasim.

Ndalime, karantinë dhe kufizime të mëdha. Për shumë njerëz në gjithë botën kufizimet e forta ndaj aktiviteteve të jetës së përditshme të imponuara nga pandemia e Covid-19 janë bërë normë. Por edhe pse po u përshtatemi këtyre masave, çfarë perspektivash kemi për t’u rikthyer në normalitet? Ka një strategji daljeje për botën? Nëqoftëse shpresoni të ktheheni në jetën tuaj të vjetër, keni një lajm të mirë dhe një të keq: do të ktheheni, por nuk është e thënë se do të ndodhë shpejt.

“Është absolutisht e nevojshme që qeveritë dhe kërkuesit të vlerësojnë një strategji daljeje”, thotë epidemiologu Mark Woolhouse i Universitetit skocez të Edimburgut. Ama nuk dihet akoma mirë se çfarë synojnë të bëjnë vendet e ndryshme, për sa kohë do të duhet t’i presim planet e tyre dhe nëse do të funksionojnë apo jo. Veç kësaj, kur do të vijë momenti, mungesa e koordinimit në nivel ndërkombëtar mund të jetë problem. Mbylljet e vendosura nga shumë vende përfaqësojnë një strategji afatshkurtër për të reduktuar numrin mesatar e të infektuarve të shkaktuar nga çdo person i infektuar.

Objektivi është “të zbutet kurba”, për të shmangur që spitalet të mbingarkohen nga numri i pacientëve dhe të reduktohen vdekjet. Kjo masë bën që të fitohet kohë për zhvillimin e trajtimeve të reja dhe për ta kuptuar më mirë sjelljen e virusit. Por i ashtuquajturi lockdown nuk mund të jetë një strategji afatgjatë. “Duam të dalim prej tij pasi i shkakton dëme serioze ekonomike e psikologjike shoqërisë në kompleksin e saj”, thotë Woolhouse. Ama duke hequr ndalimet, ekziston rreziku që infektimet të fillojnë të rriten në mënyrë eksponenciale. “Duam të dalim, por nuk duam që epidemia të ngrihet sërish”.

Me fjalë të tjera, të dy gjërat që duam të arrijmë – zbutjen e kurbës dhe përfundimin e lockdown – janë të papajtueshme. Kështu, ideimi i një strategjie daljeje nënkupton që të përcaktohet se cili është momenti më i mirë për të hequr kufizimet dhe, njëkohësisht, të vendoset se çfarë mund të bëhet për ta mbajtur nën kontroll infektimin. Një gjë është e qartë: nuk mund të mbështetemi mbi një vaksinë që të na shpëtojë nga belatë. Do të duhen muaj për ta gjetur një efikase, nëse do të jetë e mundur.

“Nuk besoj se pritja për vaksinën mund të konsiderohet “strategji”. Është vetëm një shpresë”, pohon Woolhouse. Atëhere si t’ia bëjmë që të dalim nga lockdown pa shkaktuar një “valë të dytë” të rrezikshme midis njerëzve që nuk i janë ekspozuar Covid-19 herën e parë? Një eventualitet i tillë është “tejet probabël”, thotë Susy Hota e University Health Network të Torontos në Kanada. Një valë e dytë mund të jetë më pak agresive sesa e para, thotë Woolhouse. “Për të gjithë virusët, vala e parë është më e keqja. Më pas, epidemia stabilizohet dhe bëhet shumë më e menaxhueshme”. Për shembull, karshi fillimit të epidemisë Zika midis viteve 2015 e 2016, egërsia e valëve të mëpasme ka ardhur duke u dobësuar falë masave të marra për individualizimin e rasteve dhe të kontrollit, plus sigurisht një shkallë më e lartë imunizimi.

Kështu, strategjitë e daljes duhet të parashikojnë edhe një plan për përballimin e një vale të dytë. Në thelb, ekzistojnë 3 mënyra për ta bërë, të cilat mund t’i qujamë: të rezistosh, të ndërtosh dhe të mbrosh. Të rezistosh nënkupton që ta mbash lockdown deri kur përqindja e infektimeve të reja t’i afrohet zeros, pastaj të rihapësh e të përgatisësh për një strategji agresive frenimi. Kjo do të thotë të diagnostikosh rastet e valës së dytë sa më shpejt të jetë e mundur, t’i izolosh, të gjesh kontaktet e tyre dhe, po të jetë nevoja, t’i izolosh edhe ata për të ndërprerë linjat e reja e transmetimit
.
Strategjia e dytë, ajo e ndërtimit, konsiston në dhënien kohë strukturave shëndetësore për ta rimarrë veten nga vala e parë dhe të rrisësh kapacitetin e tyre në përballimin e së dytës. Në vendet më të pasura faktorët që i kufizojnë shërbimet shëndetësore janë pamjaftueshmëria e shtretërve të terapisë intensive dhe e personelit. Kështu, kjo strategji kërkon një lockdown goxha të gjatë për t’i eliminuar kët mungesa dhe më pas një rihapje graduale të shoqëruar nga përgatitja për valën e dytë, që shpresohet se do të ketë një koeficent vdekshmërie më të ulët. Por sa shtretër të terapisë intensive nevojiten për ta arritur objektivin? Është një pyetje e vështirë dhe përgjigja e gabuar mund të kushtojë shumë jetë.

Opsioni i tretë, të mbrosh, konsiston në ndërprerjen menjëherë të lockdown dhe të mbrosh ata që ka mundësi të jenë më të prekshëm nga virusi. Kjo nënkupton të gjendet mënyra e garatimit të sigurisë për të moshuarit dhe të atyre që prej kushteve të tyre shëndetsore mund të preken më lehtësisht. Për ta siguruar këtë është i nevojshëm një aksion i gjerë kontrolli për individualizimin e personave të infektuar – sidomos atyre asmiptomatikë – dhe të sigurosh që të mos vihen në kontakt me ata të dobët. Kësaj i duhen shtuar testet sierologjike për individualizimin e personelit shëndetësor që tashmë është shëruar dhe, për pasojë, rrezikon më pak të infektojë të tjerët. Efekti komplesiv do të ishte një reduktim i rasteve kritike dhe i vdekjeve, për pasojë një presion më i pakët ndaj spitaleve. Njëkohësisht mund të realizohet imuniteti i turmës midis popullsisë më pak të dobët. Nganjëherë Covid-19 mund të vrasë edhe të rinjtë pa sëmundje të rënda, por në rast se mbrojtja do të arrinte ta reduktonte numrin e rasteve midis personave të dobët, atëhere shërbimet shëndetësore do të kishin më shumë mundësi që t’i kuronin.

Imuniteti i turmës
Zgjedhja midis këtyre strategjive varet në një masë të mirë nga disa të panjohura, sidomos nga sa kohë duhet që një popullsi të arrijë pragun e imunitetit të turmës, domethënë pikën ku një numër i mjaftueshëm njerëzish ka fituar antitrupat specifikë, duke e penguar kështu virusin që të qarkullojë lehtësisht. Akoma nuk dijmë nese shërimi nga Covid-19 na bën imunë në perspektivë. Por edhe imuniteti është vetëm i përkohshëm, sapo mjaft njerëz do të preken nga virusi, imuniteti i turmës do t’ia ngadalësojë apo do t’i shpejtojë për një farë kohe. “Imuniteti i turmës nis kur infeksioni përhapet mjaftueshëm”, thotë Woolhouse. “Por duhet të kuptojmë më mirë sesi funksionon me këtë virus”. Për shembull, në rast se imuniteti i turmës krijohet me shpejtësi, ndoshta opsioni i tretë është më i pranueshmi. Në rast se nuk arrihet të kontrollohet vala e dytë, mund të jetë e nevojshme të braktisen apo të pezullohen përkohësisht të 3 strategjitë dhe kjo mund të nënkuptojë cikël të përsëritur mbylljesh, hapjesh dhe mbylljesh. “Padyshim që është e mundur se me pezullimin e lockdown mund të jetë e nevojshme rivendosja e tij”, thotë Woolhouse.

Kohët e fundit Jenny Harries, këshilltare qeveritare për shëndetësinë publike britanike, ka deklaruar se, sipas parashikimeve të saj, pas jo shumë kohe Mbretëria e Bashkuar do të mund t’i heqë kufizimet, por se nuk do të jetë e mundur të hiqen të gjitha njëkohësisht dhe mund të jetë e nevojshme të rivendosen. “Nëse gjithçka do të shkojë mirë, do ta zbusim kurbën dhe kjo do të ishte sukses i madh, por nuk mund të kthehemi sa hap e mbyll sytë në stilin tonë normal të jetesës, do të ishte shumë e rrezikshme”, ka thënë Harries. “Përndryshe do të shkonin kot të gjitha përpjekjet tona dhe mund të kishim një pik të dytë. Nuk duhet ta ulim vigjilencën dhe më pas të shpresohet se do të mund t’i lehtësonim gradualisht disa masa të distancimit social dhe të ktheheshim dalëngadalë në normalitet”.

Rezultate të paqarta
Nuk e dimë se çfarë probabiliteti funksionimi kanë këto strategji. Mund t’i vlerësojmë vetëm duke përdorur modele, por llogaritjet janë të vlefshme sa të dhënat dhe hipotezat mbi të cilat bazohen dhe kështu që mund të japin rezultate shumë të pqarta. Një studim i kohëve të fundit lidhur me evoluimin e pandemisë në Mbretërinë e Bashkuar në 18 muajt e ardhshëm ka arritur në konkluzionin se “rastësia e lindur në proceset sociale mund të çojë në gamë të gjerë rezultatesh të mundshme”.

Siç shpjegon virologu Jonathan Ball i Universitetit të Nottingham, “modelet bazohen mbi hipoteza që shpesh janë të gabuara. Edhe pse mund të na japin një ide për atë çka mund të ndodhë, nuk na thonë se çfarë do të ndodhë dhe, sa më shpejt ta kuptojmë, aq më mirë është”. Nuk ka asgjë që mund të zëvendosjë kërkimin në terren, shton Ball. Për këtë arsye shumë po shikojnë nga Kina, vatra e parë e epidemisë. “Ka qenë vendi i parë që ka vendosur lockdown”, thotë epidemiologia Caroline Walters e Imperial College të Londrës. “Për pasojë, duke qenë se është një çikë më përpara se ne, mendoj se shumë do ta vëzhgojnë sesi po e menaxhon situatën”. Në thelb, Kina ka adoptuar strategjinë e vjetër të karantinës dhe më 23 janar ka vendosur një distancim të rreptë social në Wuhan të Provincës Hubei, ku edhe ka shpërthyer epidemia. Shumë vende e kanë ndjekur shembullin saj dhe kjo duket se ka frenuar përhapjen e infektimit.

Më 23 mars qeveria kineze ka njoftuar se për herë të parë nga shpërthimi i epidemisë për 5 ditë radhazi nuk ka pasur raste të reja të shkaktuara me transmetim lokal. Më pas kufizimet janë lehtësuar, edhe në të gjithë Hubei. Më 8 prill janë hequr në Wuhan. “Nuk janë kthyer në normalitet, por kanë nisur ngadalë që t’i lejojnë njerëzit të lëvizin”, thotë Walters. “Lockdown nuk është më total”. Rritja e konsiderueshme e testimeve dhe gjuetia e kontakteve janë shoqëruar nga një distancim total i pjesshëm. Për të reduktuar numrin e rasteve të reja të ardhura nga jashtë, Kina edhe ka mbyllur kufijtë e saj.

“Sinjalet e para të bëjnë të mendosh se vendi ka arritur ta reduktojë distancimin rigoroz social pa kundërgoditje”. Për pasojë sipas një studimi të ditëve të fundit të ekipit të reagimit ndaj Covid-19 të Imperial College të Londrës, i të cilit Walter është pjesë, aktiviteti ekonomik duket se ka rifilluar. Ekipi ka mbledhur disa të dhëna mbi spostimet brenda qyteteve kryesore të Kinës kontinentale midis 1 janarit dhe 17 marsit, të kapura nga motori kërkimor Baidu në bazë të lokalizimit të celularëve. “I kemi përdorur si sinjale të aktivitetit ekonomik dhe i kemi kryqëzuar me ato mbi rastet e Covid-19”, thotë Walters.

Në përgjithësi spostimet janë të lidhura me aktivitetin ekonomik, pasi tregojnë se njerëzit shkojnë të punojne apo të blejnë. Kërkuesit kanë zbuluar kështu se në fazën e parë nivelet e spostimit janë ngushtësisht të lidhura me numrin e rasteve të reja. Kjo tregonte se duke jetuar normalisht njerëzit po e përhapnin virusin. Por sapo janë marrë masat shtrënguese dhe më pas janë lehtësuar, korelacioni është zhdukur. “Transmetimi mbetet i ulët, anipse njerëzit mund të lëvizin. Po shikojmë se mund të zhvillohen aktivitetet normale ekonomike pa u rritur niveli i transmetimit të virusit”, thotë Walters. Por kërkuesja paralajmëron se këto rezultate nuk demonstrojnë asgjë. “Ajo që shohim është vetëm një korelacion, jo një raport shkakësor”. Ekipi thekson edhe se rezultatet nuk përjashtojnë as shpërthime të mëtejshme të epidemisë, as parashikojnë se kur do të mund të kthehet normaliteti, “por sugjerojnë se Kina ka dalë me një sukses të caktuar nga faza e distancimit të rreptë social”.

Mungesa e koordinimit
Në mars, si në setkroin e shërbimeve, ashtu edhe atë prodhues, Kina ka nisur të rritet pas rënies së fortë të shkurtit. Sipas Institutit Kombëtar Kinez të Statistikave, më shuimë se gjysma e bizneseve ka rinisur punën, por ekonomia e vendit nuk është kthyer ende në normalitet. Qarkullon edhe zëri se disa aktivitete, si kinematë dhe baret, po mbyllen sërish. Sipas një artikulli të “Washington Post”, autoritetet nuk i kanë shpjeguar motivet e këtyre mbylljeve, por pak përpara një zëdhënës i qeberisë kishte deklaruar se “probabiliteti i një vale të re infektimesh mbetet relativisht e lartë”. Sipas epidemiologëve, brenda fundit të prillit do të mësojmë nëse në Kinë ka pasur apo jo një valë të re infektimesh.

Pra Kina mund të jetë një model për pjesën tjetër të botës? Deridiku po, thotë Walters, por strategjitë e daljes do të duhet të jenë në përputhje me kushtet lokale. “Jo të gjithë vendet do të kenë kapacitetet për kryerjen e testeve dhe të gjuajnë kontaktet”. Deri brenda vetë Kinë, strategjitë ndryshojnë nga rajoni në rajon, sipas situatave specifike. Bashkimi Europian ka deklaruar se po punon për një strategji të koordinuar, por për momentin nuk i njihen detajet. Disa vende, si Kanadaja, janë në fazat e para të infektimit dhe nuk kanë menduar akoma sesi të dalin, thotë Hota e University Health Network të Torontos. Deri në këtë moment, anipse bëhet fjalë për pandemi, strategjitë e daljes janë menaxhuar në nivel kombëtar apo transkombëtar sesa në atë ndërkombëtar, thotë Woolhouse. OMS-i ka deklaruar për “New Scientist” se nuk ekziston akoma një strategji globale dhe se për momentin organizata është ende e përqëndruar në reagimin ndaj virusit.

Jeta jonë e dikurshme
Ciladoqoftë strategjia e daljes, ka mundësi që herët a vonë do të kthehemi në diçka që ngjan me jetën tonë të dikurshme. “Duhet të gjejmë mënyrën që të bashkëjetojmë me këtë birus duke vazhduar të sillemi në mënyrë pakashumë normale”, thotë Woolhouse. “Mund të jemi të detyruar që të bashkëjetojmë përgjithmonë dhe me siguri do të duhet ta bëjmë për të ardhmen e afërt. Kështu që strategjia afatgjatë do të duhet të ketë të bëjë me mënyrën e bashkëjetesës me Covid-19”. Pas rreth 1 viti mund të dalin vaksinat, kura më të mira dhe një nivel i caktuar imuniteti tufe. “Mendoj se do të kthehemi në jetën tonë të mëparshme”, pohon Walters. “Nuk është hera e parë që shpërthen një pandemi. Njerëzit do të përfundojnë për ta parë me sy paksa ndryshe botën, por situata aktuale nuk do të zgjasë përgjithmonë. Është vetëm një mënyrë për të arritur një rezultat të caktuar, domethënë zbutje të kurbës për të mbrojtur sistemet shëndetësore. Nuk e dimë me saktësi se kur do të përfundojë, por do të përfundojë”.
(nga New Scientist)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Exit mobile version