Si të mos i humbasim edhe 30 vitet e ardhshme në autokraci!

NGA IRENA BEQIRAJ

Nëse do të lexoni indeksin V-Dem i cili zbërthen një bazë të dhënash shumëdimensionale që pasqyrojnë kompleksitetin e konceptit të demokracisë si një sistem që shkon përtej pranisë së thjeshtë të zgjedhjeve, do të informoheni që Serbia ne vitin 2022 u klasifikua si Autokraci. Aty po ashtu mund të informoheni që 46% e popullsisë botërore jetojnë nën regjime autokratike .

Ndërsa në Shiqipëri që prej 2008 ka marrë formë të qartë autokacia zgjedhore, karakteristikat kryesore të saj janë:

1. Gupime partiake funksionale të drejtuara nga lidera dominues
2. Qarkullim i ulët të elitave drejtuese .
3. Ndryshimi i rregullave të lojës me qëllim sigurimin e fitores.
4. Barriera të larta të hyrjes për prurjet e reja.

Të katërta këto pika janë të ndërthurrura me njëra tjerën por thelbësore është të kuptojmë se modeli autokratik partiak pasqyrohet dhe në menyrën sesi funsionon sistemi politik në tërësi. Për të kuptuar modelin partiak funksional edhe nevojën për një model partiak efektiv metafora e përdorur nga Scott Page në librin e tij “Diferencat” është më e goditura.

Një grup funksional është si një kuti me çekiçë të mirë , ndërsa një grup efektiv është një kuti e mirë me mjete të ndryshme pune. “Me një duzinë çekiçësh të mirë nuk mund të perfundosh një punë, e cila do të kërkonte kaçavidë, pincë apo dhe sharrë, me to mund të ngulësh vetëm gozhdë”. Kjo metaforë e thjeshtë tregon sesa i rëndësishëm është diversiteti brenda grupimeve politike dhe shoqërore për të pasur vendimmarrje efektive, edhe për të ofruar ndryshimin e kërkuar.

Ndërkohë edhe procesi ” i hapjes ” si e vetmja mënyrë për të permiresuar grupin grupin rezulton i pasukseshëm në grupin funksional . Grupet funksionale tentojnë të popullohen nga “të ngjashmit” sepse nëse vendos tre çekiçë të përzgjedhin, ata kanë të ngjarë të mbështesin ‘një çekiç tjetër’”, duke përcaktuar kështu fatin e tyre për të ekzistuar si grup çekiçësh , që nuk mund të ofrojnë asgjë vecse të ngulin gozhdë.

Kërkesa e grupeve funksionale ndaj çdo anëtari është dakordësia, edhe anëtarët duhet të jenë të gatshëm të ofrojnë vetëm atë. Grupimet funksionale janë të mbushura me “profile të heshtura anëtarësh”, të cilët pranojnë pa ekuivok si informacionin më të drejtë, njohurinë më të saktë, apo vendimmarrjen më të mirë, atë që u imponohet pa tentuar ta sfidojnë atë. Brenda grupeve funksionale krijohen “Dhomat e Echos” , ku refuzohet të merren në konsideratë këndveshrtimet ndryshe . Një, maksimumi dy persona diskutojnë edhe përcaktojnë dhe “mendimin” e të tjerëve.

Sipas Karen Stenner,(ekonomiste e sjelljes) autoritarizmi është predispozitë në të cilin nuk ka asgjë thelbësisht “të majtë” ose “të djathtë”. Një e treta e popullsisë në çdo vend ka predispozita autoritare. Ndaj ky model ndeshet në cdo grupim shoqëror dhe politik duke filluar nga Akademia e Shkencave e deri tek partitë politike për dy arsye :

E para kur bëhet fjalë për ndërveprimin shoqëror apo politik ligjet e fizikës nuk funksionojnë: të kundërtat nuk tërheqin. Që ato të bashkëjetojnë duke lejuar kështu formëzimin e grupimeve efektive duhet që anëtarët e grupit të synojnë një qëllim më të madh sesa thjesht objektivat edhe interesat personale. Kur ekzistenca përcakton vetëdijen , edhe cdo mendim ndryshe mund t’ju rezikoje pozicionin e arritur , konfirmizmi shihet si e vetmja zgjidhje .

Edhe e dyta kur liderat janë dominues edhe qëndrojnë gjatë në drejtim , grupimi destinohen të jetë vetëm funksional. Liderat dominues pikasin ndjeksat, e rrethojnë veten me njerëz që konformohen dhe mendojnë si ai, ose njerëz që janë të thjeshtë për t’u menaxhuar apo për t’u mbajtur brenda rrethit

Ndërsa modeli i një grupimi efektiv që ushqen diversitetin ka nevojë për një lider transformues që dëgjon, shpjegon idetë , ndan informacione dhe shfaq ndjeshmëri të lartë, për të forcuar mbi të gjitha besimin e njerëzve që mendojnë ndryshe nga ai. Një lider i tillë për zgjidhjen e problemeve komplekse pranon në tavolinë të debatit “kundërshtarët e ideve të tij” .

E di që ndërsa lexoni këto rreshta ndoshta mendoni “Ehu !Duhen edhe 30 vjet të tjera të ndodh kjo !

Po ! Edhe më shumë ndoshta! Por nëse vërtet jemi te shqetesuar për instalimin e autoritarizmit edhe dashurojmë demokracinë, duhet ta fillojmë ndryshimin tek themeli i saj , të kristalizojmë e dakortësojmë mbi nevojën edhe karakteristikat që duhet të ketë një model i ri efektiv partiak .Nese nuk fillojmë të hedhim hapat e parë drejt formëzimit të tij do të humbasim edhe 30 vitet që vijnë si këto që humbëm në autokraci!

Artikulli paraprakPD: Dënimi i McGonigal rrëzoi skenarin e sulmeve kundër Bashës dhe PD dhe nxorri zbuluar autorët e tyre.
Artikulli tjetër“Përgëzoj politikanët serbë që thonë të tilla gënjeshtra”, Vuçiç: Unë nuk do ta nënshkruaj kurrë njohjen e Kosovës!