Si do të votohet për Kryetarin e PD?

Komisioni i Zgjedhjeve në PD miratoi dje modalitetet se si do të bëhet fushata mes Bashës dhe Selamit deri më 22 korrik, ditë kur do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të PD. Jemin Gjana, kryetari i këtij Komisioni, në një konferencë për shtyp nga selia blu, tha se, “në përbërje të Komisionit janë edhe dy anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët, Arben Ibro i caktuar nga Lulzim Basha dhe Riza Gjura nga Eduart Selami. Mbledhja e parë miratoi udhëzimin, i cili përcakton procedurat e filimit të procesit. Me këtë udhëzim, Komisioni ka vendosur që kryesitë e degëve të PD në rrethe janë përgjegjëse për organizimin e votimit që do të zhvillohet më 22 korrik. Çdo degë ka një qendër votimi. Ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga ky komision, sipas propozimeve që do të vijnë nga degët, jo më vonë se 12 korriku. Në selinë qendrore do të ngrihet qendra e degës nr. 2, ku do të votojnë përveç anëtarëve të thjeshtë, edhe anëtarët e kryesisë, anëtarët e këshillit kombëtar, deputetët e vjetër e të rinj. Deputetët e rinj kanë të drejtë të votojnë dhe në vendet ku ata janë me banim. Në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës, kryetar do të jetë një nga n/kryetarët e degës dhe dy anëtarë, dhe nga një përfaqësues për secilin kandidat”. “Jam këtu në zbatim të vendimit të Kryesisë për ngritjen e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike. Unë jam kryetar i këtij komisioni në përbërje të së cilit janë Tritan Shehu, Dhurata Çupi, Enkelejd Alibeaj dhe Bardh Spahia. Janë gjithashtu dy punonjësit e administratës së Partisë Demokratike të sektorit të organizimit, Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli. Në përbërje të këtij komisioni janë edhe 2 anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët. Arben Ibro i propozuar nga z. Basha dhe Riza Xhura i propozuar nga z. Selami. Komisioni është mbledhur sot në mbledhjen e tij të parë dhe miratoi udhëzimin e tij të parë që përcakton procedurat e fillimit të procesit. Natyrisht në vazhdim do të ketë nevojë që ne të mblidhemi për të përcaktuar procedurat në vazhdim që kanë të bëjnë me momentin e ditës së votimit dhe procedurave të votimit”, tha Gjana

Udhëzim
Nr. 1, Dt. 04.07.2017
Në mbështetje të nenit 46 të Statutit të PDSH-së dhe vendimit Nr. 23, dt. 03.07.2017 të Kryesisë së PDSH-së Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (OKOE) vendosi:
Kryesia e degës së PD-së organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet më datë 22.07.2017. Në çdo degë të PDSH-së në rrethe do të ngrihet një qendër votimi.
Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni OKOE me propozim të kryesive të degëve, jo më vonë se data 15.07.2017.
Në selinë qendrore të PDSH-së do të ngrihet qendra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege, mund të votojnë edhe anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.06.2017, të cilët mund të votojnë edhe në qendrën e votimit të degës ku banojnë.
Për çdo qendër votimi ngrihet komisioni me përbërjen e mëposhtme: Një nga n/kryetarët e degës, kryetar. Dy anëtarë kryesie. Një përfaqësues nga secili kandidat për degën përkatëse.
Kryetari dhe dy anëtarët e kryesisë në përbërje të komisionit të votimit zgjidhen nga kryesia e degës me votim të fshehtë. Vendimi i kryesisë së degës për përbërjen e komisionit i njoftohet Komisionit OKOE brenda datës 15.07.2017.
Degët e PDSH-së janë përgjegjëse për organizimin e takimeve të anëtarësisë me kandidatët sipas grafikut që do të dërgohet nga Sekretariati Organizativ i PDSH-së, i cili e rakordon këtë grafik paraprakisht me kandidatët në garë.
Fleta e votimit miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 10 ditë para datës së zgjedhjeve.
Lista e votuesve miratohet nga Komisioni OKOE jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kjo listë përmban:
Regjistrin elektronik të anëtarësisë së PDSH-së të përditësuar deri në datën 28.06.2017. Emrin e çdo anëtari të PDSH-së që disponon një teser anëtarësie ndër vite, por që nuk figuron për arsye teknike në regjistrin e përditësuar elektronik. Këta anëtarë të paraqiten deri në datën 12.07.2017 pranë degëve përkatëse të PDSH-së në rrethe me dokumentin e anëtarësisë që disponojnë. Dega e PDSH-së administron një fotokopje të dokumentit dhe pasi e verifikon, harton një listë shtesë, të cilën ia përcjell komisionit OKOE brenda datës 15.07.2017.

Procedura e votimit:
Dokumentet e votimit:
Kartë identitetit
ose Pasaport biometrike
Orari i votimi:
Hapja e qendrës së votimit: ora 08:00
Mbyllja e qendrës së votimit: ora 19:00
Në qoftë se ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej këtij orari, qendra e votimit të mos mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre.
Kutitë e votimit, fletët e papërdorura, listat e votuesve dhe procesverbali i mbyllje së votimit, administrohen nga Komisioni i Qendrës së Votimit. Anëtarët e KQV i shoqërojnë kutitë e votimit deri në dorëzimin e tyre në Komisionin OKOE, i cili përcakton me udhëzim të posaçëm vendin e dorëzimit, të numërimit dhe modalitetet përkatëse.
Komisioni i OKOE miraton procedurën e numërimit, e cila fillon pas dorëzimit të kutisë së fundit nga degët.
Komisioni OKOE në përfundim të procesit të numërimit shpall zyrtarisht kandidatin fitues.
Për çdo shqetësim lidhur me çështjet e trajtuara në pikat 1 deri 12 të këtij Udhëzimi, ankimimet i adresohen Komisionit OKOE, i cili merr rast pas rasti vendimet përkatëse.

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale
Kryetari
Jemin GJANA

Artikulli paraprakGarancitë statutore e gara e barabartë nuk janë pazar
Artikulli tjetërRriten vdekjet nga kanceri më 2016