Si tentoi të prishte provat polici që përplasi për vdekje të riun në Tiranë

Efektivi i Policisë, Roxhels Milkurti, me detyrë inspektor në Komisariatin nr.4 në kryeqytet, aksidentoi për vdekje një të ri 26-vjeçar, i cili në momentin e ngjarjes tragjike udhëtonte me një motor tip ‘Suzuki’.

Pas përplasjes fatale që u regjistrua rreth orës 00:15 minuta, efektivi që udhëtonte me shpejtësi të lartë bashkë me vëllanë e tij, ka tentuar të prishë provat në vendin e aksidentit. Përplasja ka qenë kaq e fortë sa drejtuesi i mjetit të vogël, motorit, ka humbur jetën brenda pak momentesh.

Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, shihet i riu i shtrirë në mes së rrugës. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi policin 25-vjeçar së bashku me vëllain e tij tre vite më të vogël. ‘Drejtoria Rajonale e SHÇBA Tiranë arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë, inspektor R.M., 25 vjeç, punonjës Policie pranë Komisariatit të Policisë Nr.4 Tiranë, dhe vëllain e tij, shtetasin M.M., 22 vjeç.

Arrestimi u krye pasi duke qarkulluar me mjetin tip ‘Benz’ në rrugën ‘Teuta’, në drejtim të rrethrrotullimit të Frutikulturës, Kamzë, rreth orës 00:15 aksidentoi mjetin motoçikletë tip ‘Suzuki’, me drejtues një 26-vjeçar, i cili ka humbur jetën menjëherë si pasojë e përplasjes’, sqaron SHÇBA.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat i ka referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Tiranës, duke e akuzuar efektivin për veprat penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ dhe ‘Pengimi për zbulimin e së vërtetës’.

Artikulli paraprakPorti i Durrësit, porta e trafikut të drogës! Kapet sërish rreth 12 kg kokainë
Artikulli tjetërNjë histori me të parën gazetare në RD