Si u blenë votat me lekë dhe terror nga bandat në Vlorë

Në Vlorë blerja e votave u bë masivisht nga bandat e PS. Bëhet e ditur se, në Lumin e Vlorës vota është blerë nga Partia Socialiste me vlerën 50 mijë lekë dhe më shumë. Vetëm në fshatin Tërbaç janë blerë më shumë se 200 vota në datat 23, 24 dhe 25 qershor. Njerëzit e PS kanë shkuar natën nëpër banesa dhe kanë shpërndarë zarfe me para 50 mijë lekë për çdo pjesëtar familje me të drejtë vote. Për familjet e varfëra PS ka shpërndarë edhe pako me ndihma krahas  lekëve për blerjen e votave.
Nga tetë deputetët që ka fituar Partia Socialiste në Qarkun e Vlorës, katër deputetë janë me votë të blerë. Në çdo fshat janë shpërndarë lekë me zarfe dhe është ushtruar terror nga bandat e PS tek zgjedhësit. Komisionerit të Partisë Demokratike në fshatin Tërbaç i kanë bërë presion që të manipulojë votat në favor të PS.
Presion është ushtruar edhe ndaj mësuesve që të votojnë për Partinë Socialiste. Dy ditë para  votimeve drejtorët e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare u kanë kërkuar mësuesve që të votojnë për PS se në të kundërt ata pushohen nga puna më datën 26 qershor. Vetë mësuesit janë shprehur se drejtorët e shkollave kanë paralajmëruar mësuesit se fletët e votimit janë me shenjë dhe zbulohet lehtësisht se cili mësues nuk voton për PS-në dhe do të largohet menjëherë nga puna.
Mësuesit kanë fotografuar votën e tyre për t’ua treguar drejtorëve të shkollës që të mos i hiqnin nga puna. Gjatë procesit të votimit, shumë zgjedhës janë kapur duke fotografuar votën në Vlorë. Mjaft raste janë denoncuar në polici nga komisionerët e qendrave të votimit.
KZAZ Nr.82 Vlorë denoncoi një shtetas, pasi u kap duke fotografuar fletën e votimit. Ndërsa një rast tjetër anëtarët e Komisionit të qendrës se votimit konstatuan një grua, duke fotografuar votën, por kur ata u afruan ajo ka grisur fletën e votimit dhe më pas është larguar nga qendra e votimit.
Tre ditë para votimeve u denoncuan në Policinë e Vlorës disa raste të blerjesë së votës, por policia nuk mori asnjë masë ndaj tyre. Policia lokale pohoi se ka patur raste të denoncimit të blerjes së votave. Policia tha se, ka nisur procedimi për tre persona, sepse kanë kryer veprime me shtetas të ndryshëm, për blerjen e votave për subjekte partiake që garojnë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ndaj personave që blenë votat nuk është marrë asnjë masë edhe pse ligji parashikon dënim nga 1 deri në 5 vjet burg.
Në Sarandë, njerëzit e PS u kapën me lista zgjedhësish, duke shpërndarë para në familje kundrejt votës. Në disa raste, njerëzit e PS bashkëpunonin me policinë për shpërndarjen e parave. Jo pa qëllim nuk u zëvendësuan shefat e komisariateve të policisë në rrethe. Ata shefa policie që bashkëpunuan me trafikantët e drogës në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit bashkëpunuan me bandat e PS edhe në blerjen e votës.
Edhe në Delvinë bandat e PS blenë 50 euro një votë. Gjatë ditës së votimeve, aktivistë të PS qëndronin para Qendrave të Votimit me lista në dorë dhe detyronin zgjedhësit që të votonin për Partinë Socialiste kundrejt parave. Qytetarët kanë denoncuar disa raste, por policia nuk ka ndërhyrë.
Shumë zgjedhës nuk u lejuan të votojnë nga bandat. Njerëz të PS u mblodhën kartat e identitetit qytetarëve kundrejt parave që të mos shkonin për të votuar. Denoncimi i mbledhjes së kartave të identitetit u bë edhe nga vetë qytetarët. Sipas tyre, përfaqësues të PS shpërndanë para, duke u thënë votuesve të PD të dorëzojnë kartat për të mos votuar.

R.POLISI

Exit mobile version