Luznia është një zonë jo shumë e thellë e Dibrës. Ajo është rreth 10 kilometra nga qendra e Dibrës dhe përbëhet nga 4 fshatra dhe rreth 1300 familje. 6 kilometrat e rrugës së paasfaltuar për të mbërritur atje e bëjnë rrugën që të duket sikur është 80 kilometra larg nga Dibra. Rruga ka të shtruar vetëm 4 kilometra.
Duket sikur është një kohë e largët dita kur 5 vite më parë, qeverisja e Berishës investoi miliona euro në ndërtimin e një ure që shkurtoi rreth 25 kilometrat që luzjanët bënin për të mbërritur në Dibër, duke i rënë nga zona e Muhurrit. Megjithatë, banorët shprehen se ajo është ura që i ka shpëtuar nga një mundim i gjatë dhe që në zonën e dimrit bëhej thuajse i pamundur mbërritja në qytet.
Zona konsiderohet si një ndër më të varfërat në të gjithë vendin. Banorët jetojnë kryesisht me të ardhurat që sigurojnë nga mbjellja e misrit dhe grurit. Më me fat janë ata që kanë mbjellë dy plantacione droge në pjesën më të lartë të Luznisë së Epërme. Ata janë të paprekshëm, sepse kanë mbështetjen e plotë të policisë.
Para zgjedhjeve
Luznia është një zonë që vazhdimisht ka votuar për Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e vitit të kaluar për Kryetarin e Bashkisë, diferenca e votave mes Krosit të PD dhe Shukriut të Ramës, ishte mjaft e vogël. Pritshmëritë në këtë vit për banorët e zonës ishin të ndryshme nga ai i një viti më parë. Çuditërisht pritej një rezultat më i keq për PD dhe kandidatin e saj Shehu dhe kjo për shkak të rrethanave të reja që ishin krijuar në zonë. “Kemi pasur përgjatë këtyre dy javëve presioneve që kurrë nuk kanë ndodhur në zonën tonë. Kërcënimet me jetë nëse nuk do të votonin kandidatin e PDIU dhe të Ramës në këtë zonë ishin bërë përgjatë dy javëve të fundit nga një ish-i punësuar në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Burgjeve në Tiranë”, thotë një nga drejtuesit e PD të zonës. Kishte mbërritur nga Tirana dhe si një ish-banor i zonës kishte kontaktuar me ata për t’i joshur me para që të votonin për Ramën. “Atje ku nuk i ka joshur ka përdorur kërcënimet”, thotë një tjetër banor.
Ai ishte përzgjedhur nga Lala i Dibrës për të qenë njeriu që do të merrej me zonën e Luznisë. Në funksion të tij ishte edhe një bandë, e cila qarkullonte me makinat e doganave të ndryshuara me siglën e Muharrem Ramës. Banda kishte përgatitur terrenin. Zyra e tyre ishte në një lokal pranë qendrës së votimit. Në të vërtetë nuk ishte një zyrë tipike elektorale, por ishte një zyrë ku koordinohej puna për dhënien e parave për të gjithë votuesit që nënshtroheshin dhe pranonin pas presioneve dhe kërcënimeve që të shisnin votën e tyre. Anëtarët e bandës kishin në duar listat e banorëve të fshatit. Detyrat në bandë ishin të ndara. Dikush i thërriste banorët që të vinin dhe të merrnin shumën në këmbim të votës. Shuma varionte sipas numrit të votave të familjes dhe shkonte nga 20 mijë lekë deri në 200 mijë lekë të vjetra.
Incidenti një natë para zgjedhjeve
Për të treguar forcën, banda kishte mbledhur rreth 9 makina me njerëz të armatosur për të terrorizuar fshatin një natë para votimit. Kjo ka sjellë edhe një incident me njërën nga familjet e PD, e cila nuk kishte pranuar që të shiste votën. Banditët e Ramës i kishin kërcënuar dhe më pas konflikti kishte rrezikuar që të shndërrohej në një përleshje. Policia ishte inekzistente. Frenat e drejtimit të policisë në zonë i kishte banda. Policia, thjesht ishte në shërbim të kësaj bande. I merrte urdhërat në telefon prej saj dhe vepronte direkt ndaj të pabindurve të kësaj bande kriminale. Të inkriminuarit kishin arritur që të krijonin një klimë panike tek pjesa e elektoratit, e cila kërkonte të votonte pa e shitur votën. “Çfarë mund të bëjmë?” u shpreh një banor i zonës. Nëse votojmë sipas bindjeve tona, rrezikojmë jetën”, shprehej banori. Berti ishte një tjetër fshatar i zonës i vendosur në përballjen me bandën. “Jo vetëm që nuk i kam frikë, por jam gati të përballem me ta”, shprehej Berti një 45-vjeçar, i cili për asnjë ditë nuk kishte pasur favore nga ndonjë pushtet, por që qëndronte besnik bindjeve të tij politike.
Një tjetër i ri me emrin Rasim ishte anëtar i Komisionit të Zgjedhjeve. 30-vjeçari kishte bërë një sakrificë të veçantë. Ai kishte ardhur posaçërisht nga Italia për të votuar për PD dhe kandidatin e saj. “Shehu: Pyetja për të ishte se kush i kishte paguar udhëtimin? Dhe përgjigja ishte e menjëhershme. “Askush or mik, kam ardhur vetë bashkë me vëllanë e tij. Ishallah po fitojmë se më duhet të kthehem shpejt”, ishte përgjigja e të riut, i cili qëndronte në hyrje të qendrës së votimit.
Probleme në ditët e votimit nga banda e Ramës për shpërndarjen e parave
Që në orët e para të mëngjesit lokali ku qëndronte banda e shpërndarjes së parave të Muharrem Ramës kishte hapur dyert në pritje të “miqve”. Aktiviteti i blerjes së votave nuk kishte përfunduar gjatë ditëve të kaluara, por vazhdonte me intensitet edhe në orët e para të mëngjesit të së dielës. Individë të ndryshëm shkonin më parë tek kjo zyrë dhe pasi kishin marrë paratë mbërrinin në qendrën e votimit.
Në disa raste të tjera makina e bandës shërbente si taksi për marrjen në shtëpi të votuesve, që kishin marrë më parë paratë. Makina, sikurse tregohet edhe në foto, nuk trembej të bënte edhe shkeljen e fundit të ligjit, duke u parkuar përpara Komisionit të votimit. Aty zbrisnin ata që kishin shitur votën dhe më pas votimit shoqëroheshin sërish me makinë për në banesat e tyre që për shkak të territorit malor ishin në largësi nga qendra e votimit.
Rreth mesditës banda egërsohet, pasi një përfaqësues i PD, po qëndronte përpara shkollës ku kryhej votimi, duke komunikuar me një banor tjetër. Rreth 6 nga anëtarët e bandës mbërrijnë me hov të madh dhe i hakërrohen një individi të vetëm. Situata u tensionua. Mbështetësi i PD nuk u tremb dhe i qëndroi të 6 banditëve të blerjes së votave. Pasi kishin debatuar me votuesin e PD tentuan të futen edhe në qendrën e votimit. Por, në hyrje të saj u ndaluan nga prezenca e vëzhguesve dhe komisionerëve. Prej aty me zë të lartë u kërkuan Komisionit që të mos lejonte njeriun e PD që qëndronte përpara shkollës të futej në qendrën e votimit, gjë që në të vërtetë nuk kishte ndodhur.
Përgjatë gjithë ditës në qendrën e votimit nuk kishte prezencë të asnjë polici të vetëm që duhet të ruante qetësinë. Të vetmit përfaqësues të pushtetit kriminal, ishin ata të bandës. “Po e zgjate shumë do të thërrasim furgonin e policisë”, ishte kërcënimi që banda i bënte të riut të PD që qëndronte përpara shkollës dhe në të drejtën e tij. Kërcënimi i tyre bëhej në emër të policisë, sepse policia ishte në shërbim të tyre.
Blerja e votave, presionet dhe kërcënimet dhanë një efekt në rezultatin përfundimtar të votimit në këtë zonë. Humbja për Shehun ishte me një rezultat më të thellë se rezultati i zgjedhjeve të një viti më parë. Bëhej fjalë për afro 100 vota më shumë të siguruara në këtë zonë nga blerja e votës.
Arben Shahini