Si u dekonspirua nga policia operacioni i drogës në Vlorë

Prokuroria kishte mbi dy javë që vëzhgonte lëvizjet e 3 trafikantëve të drogës në Vlorë, por përsëri këta të fundit mundën t’i shpëtonin arrestimit për shkak të dekonspirimit të operacionit nga radhët e policisë. Sekuestrimi i 1 ton droge dy ditë më parë në “Plazhin e vjetër” pranë portit të qytetit të Vlorës, ka ngritur shumë pikëpyetje për organet ligjzbatuese, duke krijuar dyshimin për dekonspirim të aksionit policor.
Sipas burimeve që “ABC News” ka arritur të sigurojë, trafikantët kishin dështuar 3 herë të tjera për të dërguar drogën drejt Italisë. Kështu në raportin e hollësishëm, thuhet se mbrëmjen e të premtes, pranë plazhit të Zvërnecit ishte tentativa e parë, por që nuk u krye, pasi dërguesit e drogës kishin dyshuar se po përgjoheshin nga policia, duke e shtyrë një ditë më vonë transportin e kanabisit drejt Italisë.
Ndërkohë që tentativa e dytë dhe më e guximshmja për të dërguar me gomone 1 ton kanabis do të kryhej mbrëmjen e 9 shtatorit në plazhin e ri, ose siç njihet ndryshe Lungomare. Gomonia është afruar 2 metra larg bregut të detit, por përsëri, trafikantët nuk ishin të sigurtë për dërgimin e kanabisit drejt vendit fqinj.
Dekonspirimi dhe rrjedhja e informacionit nga radhët e policisë bëri që droga të ngarkohej në një tjetër vend. Mjeti lundrues u largua drejt Portit të Vlorës, thuhet në raport dhe qëndronte rreth 30 metra larg bregut të detit. Trafikantët arritën t’i largoheshin ndjekjes së policisë, ndërsa u sekuestrua lënda narkotike dhe baza ku ata qëndronin. Së bashku me drogën u kapën edhe 6 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm. Hetimet janë në proces verifikimi edhe nga kontrolli i brendshëm i Policisë së Shtetit, pasi dyshohet se ka pasur dekonspirim nga uniformat blu.
Lënda narkotike ishte futur në një shtëpi të pabanuar, ndërsa tre trafikantët, të cilët ishin në një gomone në det të hapur nuk janë afruar afër bregut. Ata kanë pikasur policinë dhe janë larguar me shpejtësi duke mos i dhënë mundësi reagimit të policisë dhe Guardia di Finanzës, e cila ishte përfshirë në aksion.
Burime nga grupi hetimor thonë se, ka dyshime se, ky operacion është dekonspiruar. Dyshimet se ata janë informuar, janë ngritur nga ndryshimi i vendit të ngarkimit nga Zvërneci në plazhin e vjetër dhe mosafrimi në breg me mjetin lundrues.
Para pesë ditësh policia italiane sekuestroi 4 tonë drogë nga Shqipëria. Droga u kap nga Guarda di Finanza italiane në një jaht që ishte marrë me qira nga trafikantët. Mediat italiane duke iu referuar policisë së shtetit fqinj, shkruanin se droga ishte transportuar me gomone nga Shqipëria në det të hapur dhe u ngarkua në jaht, i cili u nis drejt Italisë nga Mali i Zi.
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako denoncoi mosfunksionimin e radarëve, gjë që sipas tij pengonte punën e policisë, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila e përgënjeshtroi këtë fakt. Ndërsa një ushtarak u shpreh se, policët kanë urdhër nga lart që të lënë skafet me drogë të kalojnë dhe vetëm kur të kapen nga Italia, të sjellin informacion. Ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e dërguar në adresë të tij në Facebook nga një ushtarak ku shkruhej se, policët kanë urdhër të lënë skafet me drogë që të kalojnë dhe vetëm kur të kapen nga Italia, të sjellin informacion.
Sipas ushtarakut që i ishte drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, urdhri nga sipër fare është i prerë: të mbyllin gojën dhe sytë, skafet të kalojnë! Prej vitesh sabotohet nga qeveria, e cila prishi kontratën për vendosjen e kamerave me infrarouge, që bëjnë të mundur kapjen jo vetëm të gjurmëve, por edhe të skafeve.

R.POLISI

Exit mobile version