Si u dekonspirua operacioni policor ndaj zyrtarëve! Drejtori iku jashtë shtetit para arrestimeve

Zbardhen detaje nga arrestimi i urdhëruar nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me aktivitetin e personave, punonjës të AKBN të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim me pasoja të rënda.

Siç raporton abcnews.al, mësohet se i shpalluri në kërkim Klodian Gradeci, ish-drejtor i OST, ka qenë në postin e Drejtorit të Hidrokarbureve në AKBN në kohën kur janë konstatuar shkeljet.

Mësohet se Gradeci është larguar nga territori shqiptar ditën e hënë, një ditë përpara arrestimit, në drejtim të Turqisë. Kjo ka bërë që prokuroria të ketë dyshime se operacioni është dekonspiruar.

Ndërkohë i shpallur në kërkim është edhe biznesmeni Isuf Berberi.

Mendohet se dëmi i shkaktuar ndaj shtetit është mbi 1 milionë dollarë, ndërsa hetimet kanë zgjatur 4 vjet e gjysmë.

NJOFTIMI ZYRTAR

Finalizohet operacioni policor i koduar “Akciza”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.

Ekzekutohen 6 masa sigurimi si dhe shpallen në kërkim dy shtetas të tjerë.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune intensive hetimore  disa mujore, finalizoi me sukses operacionin policor “Akciza”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, pas një pune disa mujore nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, ka caktuar masë sigurimi ndaj 6 personave nën hetim, konkretisht:

Masën “Arrest në burg“ ndaj 5 shtetasve:

D.D., 38 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Q.H., 63 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

S.M., 32 vjeç, banues në Tiranë, rruga “Ylbere Bylykbashi“, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.
A.D., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor tek Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, për veprën penale “Moskryerjes së detyrave nga organet tatimore”.

N.K.,  53 vjeç, banues në Tiranë, biznesmen, për veprat penale “Mashtrim me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim”, “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Masën “Arrest në shtëpi” ndaj 1 shtetaseje:

R.S(Q), 35 vjeç, banuese në Tiranë, me detyrë inspektore në Drejtorinë e Auditimit tek Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Po në vijim të operacionit u shpallën në kërkim shtetasit  K.G., 45 vjeç dhe I.B., 51 vjeç.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Exit mobile version