Si u godit ISIS në zemër

Matthew Reed
Vetëm një vit më parë, Shteti Islamik ishte duke fituar shuma të jashtëzakonshme parash falë shitjeve të naftës bruto. Grupi xhihadist ishte duke rritur prodhimin e naftës dhe ripërtërihej shpejt nga sulmet e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që kishin për qëllim të shkatërronin infrastrukturën e tyre. Sipas vetë burimeve të grupit, Shteti Islamik prodhonte rreth 50 mijë fuçi nafte në ditë pas valës së parë të sulmeve ajrore. Arrinte të fitonte 40 milionë deri në 50 milionë dollarë në muaj në fillim të vitit 2015.
Por sot biznesi i naftës së Shtetit Islamik është duke luftuar për mbijetesë. Pas një viti sulmesh të vazhdueshme kundër shënjestrave që dikur ishin të paarritshme, së bashku me humbjet territoriale në Irak dhe Siri, të ardhurat e grupit terrorist janë përtharë ndjeshëm. Në muajin qershor, Shtetet e Bashkuara rrafshuan selinë e Ministrisë së Naftës së Shtetit Islamik në Mosul. Në muajin gusht, forcat kurde morën meritën për vrasjen e ministrit të Naftës të Shtetit Islamik, Sami al-Jabouri, në një sulm të përbashkët me forcat amerikane afër kufirit mes Irakut dhe Sirisë.
E ashtuquajtura kompani kombëtare e naftës së Kalifatit vazhdon të punojë, por volumi dhe të ardhurat kanë rënë ndjeshëm. Ende nuk dihet me saktësi sa janë humbjet e tyre. Ajo që dihet është se çmimet e naftës janë rritur egërsisht në të gjithë territorin e Shtetit Islamik gjatë vitit të fundit, gjë që sugjeron se furnizimet me naftë janë duke u reduktuar dita-ditës. Dimë gjithashtu se Shteti Islamik ka adoptuar masa të egra financiare këtë vit pas rënies së të ardhurave. Edhe profesionistët më të paguar tani po kërkojnë të largohen teksa grupi po shkurton pagat dhe vendet e punës.
Të gjitha këto pengesa janë rezultat i Operacionit Tidal Wave II, i cili ndoqi një fushatë më agresive dhe më të zgjeruar kundër rrjetit të naftës të Shtetit Islamik kur nisi më 21 tetor 2015. Operacioni, i cili ishte rezultati i një debati të nxehtë brenda qeverisë amerikane rreth rezultateve që priteshin nga viti i parë i sulmeve kundër prodhimit të naftës së grupit, u bë i mundur falë një zbulimi të një pirgu të madh dokumentesh rreth Shtetit Islamik nga komandot amerikane vitin e kaluar kur shkuan në Siri për të sulmuar fushat e naftës së grupit terrorist.
Fusha e naftës Omar shërbente si seli për Abu Sayyaf, personi i cili ishte përgjegjës për operacionet e përditshme të naftës së Shtetit Islamik. Abu Sayyaf dhe dy zëvendësit e tij u vranë gjatë sulmit në muajin maj 2015 – por trupat amerikane u larguan me ngarkesën më të madhe të historisë së informacioneve të inteligjencës. Informacionet e zbuluara përbëheshin nga shtatë terabit dokumentesh, dosje të personelit, fatura dhe komunikime ndërmjet rrjetit, një pasuri e çmuar inteligjence. Gjatë gjithë verës së vitit 2015, agjencitë e inteligjencës u morën me përkthimin e gjithë dokumentacionit dhe i shqyrtuan ato me imtësi për të zbuluar të dhëna. Zbulimet që u bënë falë këtyre informacioneve, e detyruan koalicionin perëndimor të rikthehej në tryezën e bisedimeve.
Zbulimet e inteligjencës nuk linin më vend për dyshime rreth rëndësisë së jashtëzakonshme që kishte biznesi i naftës për Shtetin Islamik dhe aftësisë së tij ripërtëritëse. Ekipet riparues të grupit terrorist vërshonin menjëherë në fushat e naftës me pajisje riparimi vetëm pak ditë pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara. U rrëzuan gjithashtu bindjet e mëparshme për ekonominë e naftës së grupit, gjë që e kishte detyruar Washingtonin të tregohej më i matur. Zyrtarët amerikanë mendonin më parë se Shteti Islamik kishte një ushtri të vogël me punonjës dhe menaxherë profesionistë dhe tepër të motivuar ideologjikisht, të cilët ishin të gjithë të verifikuar. Qofshin banorë të zonës apo të huaj, shumica e këtyre profesionistëve ishin zotuar se do të ndiqnin dhe mbronin me çdo kusht liderin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.
Ndërkohë Amos Hochstein e dinte se inteligjenca e Abu Sayyaf do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e lojës. Si delegat special dhe koordinator i çështjeve ndërkombëtare të energjisë në Departamentin e Shtetit, ai ka qenë në qendër të përpjekjeve amerikane për të shkatërruar biznesin e naftës së grupit terrorist. “Informacionet i jepnin përgjigje shumë pyetjeve për mënyrën se si rekrutoheshin njerëzit dhe se kush punonte në fushat e naftës”, tha ai. “Por na dhanë gjithashtu një pamje më të qartë të mënyrës se si funksiononte procesi i bërjes së parave. Ku dhe si i bënin paratë”.
Deri në fund të vitit 2015, Shtetet e Bashkuara ishin duke i parë rrjetet e naftës së Shtetit Islamik me sy të tjerë – me ato të Abu Sayyaf-it. Washingtoni filloi ngadalë të njihte aftësinë ripërtëritëse të rrjetit të tyre. Diçka ishte bërë tashmë e pamohueshme: sulmet strategjike që lëshoheshin nga dhoma e komandimit kishin shumë pak ose asnjë efekt, shumë prej “civilëve” që drejtonin operacionet e naftës së grupit ishin në fakt luftëtarë dhe liheshin shumë pajisje të paprekura nga sulmet.
Ky fakt e tjetërsoi bindjen e mëparshme dhe argumentet. Duke u kthyer pas në vitin 2014, zyrtarët amerikanë kishin paralajmëruar atëherë se fushata agresive ishte tepër e rrezikshme për shkak se do të shkaktonte dëme të madhe mjedisore. Kjo nuk është më e vërtetë. “Nëse nuk shkatërrojmë infrastrukturën e naftës, Shteti Islamik do të fitojë më shumë para vitin tjetër krahasuar me këtë vit. Nafta është ajo që po ushqen makinerinë globale të terrorizmit”, thotë Hochstein.
Fillimisht, zyrtarët amerikanë kishin shpresë që lufta civile në Siri do të zgjidhej së shpejti. Shtetet e Bashkuara kështu e tërhoqën grushtin mbrapsht, duke menduar se sektori i naftës do të ishte jetik për ripërtëritjen e Sirisë pas luftës dhe si tillë nuk mund të shkatërrohej. Por në fund të vitit 2015, paqja nuk dukej gjëkundi dhe Shteti Islamik ishte duke u rritur. Washingtoni më në fund u kthjellua dhe ndërroi kursin e veprimit.
Operacioni Tidal Wave II u lëshua në këtë muaj të vitit të mëparshëm. Të armatosur këtë radhë me informacione më të sakta për rrjetin, avionët ushtarakë amerikanë filluan të vinin nën shënjestër vendet e prodhimit në tetor të vitit 2015, duke shkatërruar puse, pompa, pajisje shpimi së bashku me shumë krane dhe makineri të tjera të rënda që përdoreshin për operacionet ditore të nxjerrjes së naftës.
Raportimet e sulmeve nga Departamenti i Shtetit tregojnë një ndryshim të madh në varietete të shënjestrave dhe volumit të goditjeve gjatë kësaj periudhe. Brenda 12 muajve Shtetet e Bashkuara u përqendruan pothuajse ekskluzivisht në rafineritë e naftës dhe vendet e magazinimit të Shtetit Islamik. Rrallë herë ka goditur vende ku nafta kishte dalë në sipërfaqe. Përgjatë 12 muajve të operacionit, pjesa më e madhe e sulmeve ka goditur vendet e prodhimit të naftës, përfshirë edhe centralet e përpunimit ku ndahet nafta nga gazi natyror, duke e ndërlikuar akoma më shumë procesin e nxjerrjes.
Një përzgjedhje e të dhënave personale të Abu Sayyaf që është vendosur të bëhet publike, tregon se ai ka mbledhur një numër total prej 253 pusesh nafte në Irak dhe Siri pak kohë para vdekjes së tij. Deri tani, koalicioni ka arritur të shkatërrojë 224 prej tyre gjatë vitit të fundit, edhe pse disa prej tyre mund të jenë rindërtuar e zëvendësuar për t’u goditur sërish më vonë. Përpara këtij operacioni, Pentagoni kishte goditur vetëm katër puse nafte gjatë sulmeve të vitit të mëparshëm.
Përveç vendeve të prodhimit, Shtetet e Bashkuara kanë vënë në shënjestër edhe sekserët që mundësojnë tregtinë e naftës së Shtetit Islamik. Këto sekserë blejnë naftën e grupit terrorist dhe ia shesin atë grupeve të ndryshme, përfshirë edhe njerëzve të zonës që kanë rafineri të thjeshta, grupeve rebele siriane, por edhe disa blerësve të tjerë jashtë Sirisë dhe Irakut. Më 19 nëntor 2015, tre ditë pasi terroristët dhe kamikazët e Shtetit Islamik kishin vrarë 130 njerëz në Paris, koalicioni arriti më në fund të godiste kamionët naftëmbajtës që prisnin të shkarkonin naftën e grupit terrorist. Për shkak se shoferët e kamionëve u konsideruan civilë, ata u njoftuan paraprakisht me fletëpalosje, mesazhe dhe me transmetime radio – megjithatë iu dhanë vetëm pak minuta në dispozicion për t’u larguar nga kamionët. Forcat e Shteteve të Bashkuara panë nga lart se si shoferët largoheshin me vrap duke braktisur kamionët.
Rezultati? 116 kamionë nafte u shkatërruan vetëm atë ditë dhe numri total i shkatërruar deri tani arrin në 1000 të tjerë. “Rreziku i punës së shoferëve të kamionëve u rrit ndjeshëm”, tha Hochstein. “Kështu, asnjë prej tyre nuk pranonte më të mbante më shumë se tre kamionë afër”. Kjo do të thotë se Shteti Islamik filloi të menaxhonte me shumë kujdes oraret e secilës ngarkesë.
Shteti Islamik u detyrua gjithashtu të ulte çmimin e naftës me të cilën e shiste nga puset për të tërhequr sekserët, të cilët në të kundërt do të ishin të frikësuar për të blerë. Megjithatë, shoferët vazhduan të mbanin distancë të madhe nga burimi, konfirmoi Hochstein. “Ata filluan të distancoheshin gjithnjë e më shumë nga puset e naftës, kështu dikush duhet t’i merrte ata në telefon që të vinin të merrnin ngarkesën. Kjo e ngadalësoi shumë operacionin”.
Në ditët e sotme, Shteti Islamik është duke u adaptuar me realitetin e ri, jo duke u shëruar. Dallimi ka shumë rëndësi. Grupi terrorist po përpiqet të shmangë humbjet e mëdha duke zgjeruar rrjetin e tij. Kamionët nuk qëndrojnë më në radhë për t’u ngarkuar si më parë dhe grupi ka filluar t’i groposë naftësjellëset dhe botet me shpresën që Shtetet e Bashkuara të mos arrijnë t’i gjejnë.
Deri vitin e kaluar, Abu Sayyaf drejtonte një kompani fitimprurëse nafte duke siguruar një influks të madhe për shtetin terrorist. Këtë vit, pasardhësi i tij është duke drejtuar një njësi industriale emergjence, duke u përpjekur të frenojë humbjet dhe duke u fokusuar në asetet më produktive. Ajo po përpiqet të shpëtojë çfarë të mundet. Fatmirësisht për Shtetin Islamik, grupi ka ende konsumatorë të vazhdueshëm brenda dhe jashtë kufijve.
Disa sekserë guximtarë vazhdojnë të blejnë ngarkesa nafte, edhe pse tashmë ka më pak në dispozicion. Mund të thuhet me bindje se edhe vetë regjimi i presidentit Bashar al-Assad është një nga blerësit e naftës së grupit terrorist. Ashtu si në vitet e kaluara, kemi parë boshllëqe të çuditshme në të dhënat e Ministrisë siriane të Naftës: importi nga Irani vazhdon me rreth 50 mijë fuçi në ditë, ndërsa regjimi prodhon më pak se 10 mijë fuqi në ditë. Nga ana e tyre, furnitorët rusë ofrojnë më shumë naftë të përpunuar se sa naftë bruto. Kështu, mbetet pikëpyetje se ku i gjen 30 mijë fuçitë e tjera që regjimi i Assadit thotë se përpunon çdo ditë.
Pavarësisht dëmit të shkaktuar nga koalicioni perëndimor, presioni natyral nëntokësor vazhdon ta nxjerrë gjithsesi naftën në sipërfaqe. Nëse nuk kapet nga puset ku mund të kontrollohet më lehtë, atëherë Shteti Islamik mbledh aq naftë sa mundet nga gropat rrjedhëse në sipërfaqe. Shtetet e Bashkuara kanë vënë nën shënjestër edhe këto gropa, por skema duhet të rinovohet çdo ditë.
Rezultati është që nafta e Shtetit Islamik është duke u transportuar me sasi gjithmonë e më të vogla. Kjo rrit përsëri kostot dhe harxhon më shumë kohë, duke e bërë naftën më pak fitimprurëse. Por nafta prodhohet përsëri, edhe pse kufijtë e Kalifatit vazhdojnë të ngushtohen, Shteti Islamik nuk e ka humbur kontrollin mbi provincën lindore siriane të Deir Ezzorit, aty ku ndodhen më shumë se gjysma e puseve të naftës. Në të kundërt, humbjet e territorit në Irak nuk i kanë shkaktuar Shtetit islamik shumë para, sepse asetet që ndodheshin aty ishin më të pakta dhe me cilësi më të ulët.
Sot, një vit pas fillimit të operacionit Wave II, pyetja me të cilën përballet koalicioni – së bashku me Presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara – është nëse duhen dyfishuar apo jo sulmet. Për ta përfunduar punën, misioni do të duhet të marrë një kthesë më agresive. Ky vendim mund të bëhet më i lehtë tani që është kuptuar modus operandi i Shtetit Islamik sa herë që tërhiqet nga një territor i pasur me naftë. Në qytetin Qayyarah të Irakut, grupi terrorist dogji të gjithë puset e naftës që u detyrua të braktiste.
“Ne shqetësohemi sepse nuk duam të shkatërrojmë burimet e naftës që mund të përdoren nga qeveritë që do të vihen më pas në krye të territoreve të çliruara, por ajo që kemi kuptuar me siguri është që sa herë rimarrim në dorë një territor, Shteti Islamik nuk lë asgjë pasi largohet, veçanërisht për sa i përket infrastrukturës së energjisë. Ata hedhin në erë gjithçka”, thotë Hochstein. “Shteti Islamik është kanibali i puseve të naftës: nëse nuk mund t’i shfrytëzojë vetë, atëherë i shkatërron që mos t’i shfrytëzojë askush tjetër”. Nëse shkatërrimi është rezultati i paevitueshëm, atëherë më mirë të ndodhë së bashku me Shtetin Islamik.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version