Si u lëviz pajisja përgjuese nga Drejtoria e Policisë, prokurorët prisnin sekuestrimin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u pezullua dje nga detyra për skandalin e përgjimeve me “IMSI CATCHER”. Prokuroria ka zbardhur të gjithë skemën e lëvizjes së pajisjes së përgjimit, si dhe oficerët e policisë që janë përfshirë në këtë lëvizje të pajisjes në mënyrë të paligjshme. Pajisja sipas Prokurorisë është lëvizur nga Drejtoria e Policisë në momentin kur në këtë drejtori ka mbërritur grupi i prokurorëve që kishin shkuar aty për të kërkuar sekuestrimin e pajisjes. Pasi prokurorët kanë pritur me orë drejtorin e Policisë është konstatuar edhe lëvizjen e pajisjes së përgjimit nga specialisti i Forcave Operacionale, Xhelili, i cili ndodhet në arrest shtëpie me kërkesë të Prokurorisë dhe vendim të gjykatës.
Pajisja e përgjimit dyshohet se u përdor nga policia në mënyrë të paligjshme, për përgjime. Prokuroria ka siguruar vendimin e gjykatës për pezullimin nga detyra të Haki Çakos, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka administruar në kundërshtim me ligjin pajisjen e përgjimit. Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO, dy efektivët e policisë që dyshohet se përdorën pajisjen.

Prokuroria:
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisjeje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion drejtor i Forcave Operacionale (FO) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë FO, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.
Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.
Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedurial, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike.
Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal, në kuadër të të cilave ka kryer një sërë veprimesh hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar, në mënyrë të përmbledhur, si vijon:
Shtetasi Haki Çako, në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”.
I dyshuari Çako ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të policisë shqiptare nga ana e INTERFORZE-s italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë. Në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.
Po ashtu, shtetasi Çako ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Ndërkohë, rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizuar nga specialisti i FO, Ention Xhelilaj.
Gjithashtu, në dt. 13.05.2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13.05.2016, midis orës 11:45 dhe 12:00. Në këto ambiente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12:10 nga këqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambientet e FPO automjeti që mbarte pajisjen ka dalë nga këto ambiente në drejtimin e shtetasit shqiptar, Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi OPGj-të ishin paraqitur në DPPolicisë me vendimin për sekuestrimin e  kësaj pajisjeje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjesëtarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambienteve të FPO dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapësira kohore prej gjysmë ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

Exit mobile version