Si u mbyt fryma e ndryshimit në Shqipëri?!

Nga Eljan Kasa

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Shqipëria përjetoi një tjetër fitore të thellë të Partisë Socialiste (PS), e cila siguroi 83 mandate, duke përforcuar pushtetin e saj dhe duke lënë opozitën në një krizë të thellë identiteti dhe besueshmërie.

Në krye të kësaj opozite qëndron ende Sali Berisha, një figurë që ka dominuar politikën shqiptare për më shumë se tre dekada. Vendosmëria e tij për të mos lëshuar drejtimin e Partisë Demokratike (PD), pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme dhe sfidave të brendshme, ka krijuar një situatë ku partia është e lidhur ngushtë me fatin e një individi, duke penguar hapjen, rinovimin dhe energjizimin e saj.

Berisha ka deklaruar se “ai që e nisi do e bitisi”, duke lënë të kuptohet se do të qëndrojë në krye të PD deri në fund. Kjo qasje ka shkaktuar ndarje të thella brenda partisë dhe ka penguar krijimin e një opozite të bashkuar dhe efektive.
Zgjedhjet e fundit treguan se një pjesë e elektoratit është e zhgënjyer jo vetëm nga qeverisja e PS-së, por edhe nga mungesa e një alternative të besueshme opozitare. Partitë e reja, arritën të tërheqin mbi 100 mijë vota, duke treguar një dëshirë për ndryshim dhe përfaqësim të ri politik.

Megjithatë, përçarja brenda opozitës dhe mungesa e bashkëpunimit mes forcave të reja dhe atyre tradicionale kanë penguar krijimin e një fronti të fortë kundër PS-së. Nëse liderët opozitarë nuk arrijnë të lënë mënjanë egoizmat dhe të bashkohen për një qëllim të përbashkët, rrezikojnë të lënë vendin pa një alternativë të vërtetë politike.

Është koha që opozita shqiptare të reflektojë dhe të ndërmarrë hapa konkretë drejt reformimit dhe bashkimit, duke ofruar një vizion të qartë dhe të besueshëm për të ardhmen e vendit.

Exit mobile version