Shefi i sektorit për mbështetjen teknike shkencore pranë Policisë së Shtetit, Eduart Goga, ka pranuar dje para Komisionit Hetimor parlamentar, se pajisja IMSI CATCHER është përdorur disa herë për përgjime. Dje në Komisionin Hetimor parlamentar ishte thirrur për të dëshmuar edhe Ardian Çipa, drejtor i Hetimit të Krimit të Organizuar në polici, por ai refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve për futjen e pajisjes së përgjimit IMSI Catcher dhe mënyrën sesi u përdor për të përgjuar ambasadat dhe institucionet e tjera shtetërore. Ashtu si ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Ardian Çipa ishte thirrur në Komisionin Hetimor për t’u pyetur si dëshmitar, por ai nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të kreut të Komisionit për këtë hetim, nën argumentin se, “për këtë po heton Prokuroria dhe unë deklarimet e mia i kam bërë atje”.
Kryetari i Komisionit Hetimor, Flamur Noka pyeti Çipën, a është në dijeni që pa firmën e Prokurorit është futur një pajisje e paligjshme në territorin e Shqipërisë, ndërsa ai u përgjigj se, “jam thirrur në Prokurori dhe jam shprehur për këtë çështje”. “Çmoj sugjerimin, por ky Komision nuk po kërkon që dëshmitarët të kthejnë përgjigjen që duam ne. Kanë për detyrë t’i kthejnë përgjigje Komisionit. Por nuk është etike, as morale dhe as ligjore kodi i heshtjes”, u shpreh Noka.
Noka u shpreh se, Ky ‘kod i heshtjes’ i aplikuar nga ministri dhe drejtues të Policisë së Shtetit, është kodi i mafies. “Për sa i përket ‘kodit të heshtjes’, të vendosur nga Saimir Tahiri, Haki Çako dhe Ardian Çipa, nuk është se e them unë, por duket. Është e rëndë të aplikohet ‘kodi i heshtjes’ nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit. Ky ‘kod i heshtjes’ i aplikuar nga ministri dhe drejtues të Policisë së Shtetit, është kodi i mafies”, u shpreh Noka.
Më pas, Komisioni Hetimor parlamentar ka thirrur për të dëshmuar edhe Artion Dukën, shefi i Forcave Operacionale dhe Eduart Gogën, Shef i Sektorit të Teknologjisë dhe Trajnimeve në Forcat e Posaçme Operacionale. Ky i fundit i mundësoi anëtarëve të komisionit përgjigje konkrete mbi pyetjet e tyre.
Rifreskuese ishte dëshmia e shefit të sektorit për mbështetjen teknike shkencore pranë Policisë së Shtetit, Eduart Goga, i cili pranoi se ka patur një aparaturë përgjimi e cila, sipas tij, ishte ofruar nga partnerët ndërkombëtarë. “Sektori jonë trajnohet në vazhdimësi nga partnerët ndërkombëtarë për përgjime. Kemi bërë trajnime të vazhdueshme me IMSI CATCHER. Ne ofrojmë ambientet ata ofrojnë pajisjet”, u shpreh Goga.
Goga tha më tej se, kjo pajisje ishte përdorur disa herë për trajnim. “E kemi përdoruar disa herë pajisjen e përgjimit për trajnim. Nuk kemi praktikë të njoftojmë Prokurorinë”, deklaroi Goga. Goga tha se, sektori i tij nuk ka kryer trajnime në ambiente burgjesh. Për rastet apo ambientet ku janë bërë trajnimet me pajisjen IMSI CATCHER, Prokuroria nuk është njoftuar, pasi sipas Gogës, nuk ekziston një detyrim ligjor për vënien në dijeni apo marrjen e lejes nga Prokuroria për raste trajnimi.
Pyetjes së kreut të komisionit Flamur Noka, lidhur me hyrjen e një makine në Burgun e Peqinit, më datë 11 qershor, shefi i Forcave Operacionale, Artion Duka tha se, “nuk është e vërtetë data dhe lloji i mjetit”. Por kjo deklaratë e tij nuk qëndron pasi, vetëm 6 muaj më parë, Prokuroria lëshoi urdhër për konfiskim të librit të hyrje-daljeve në burgje.
Në 12 qershor 2015, automjeti me targë AA 380 BD, mjet i cili një ditë më parë ndaloi në Burgun e Peqinit për 30 minuta, figuron të ketë hyrë për monitorim dhe matje të ajrit në paraburgimin “Mine Peza”.
Deputeti i PD, Asllan Dogjani i ka kërkuar Komisionit Hetimor që të verfikohen targat e Forcave Operacionale. “Të kërkojmë targat e forcave operacionale”, është shprehur Dogjani, por kjo kërkesë është kundërshtuar nga deputeti i PS, Pjerin Ndreu. Ndreu ka ndërhyrë në momentin që po fliste deputeti Dogjani, por ky i fundit i është kundërpërgjigjur se edhe ai ka qenë polic, por nuk ka hyrë në burg. Kur flas unë mos me ndërprit mua ti polic. Dhe unë polic kam qenë, por nuk kam qenë në burg si ty”, iu drejtua Dogjani Ndreut. Pas këtyre debateve, Pjerin Ndreu është larguar nga salla, duke braktisur mbledhjen e Komisionit Hetimor parlamentar.
R.POLISI