“IMSI Catcher” ka patur lëvizje intensive në zonën pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Duke ditur që pajisja e përgjimit kishte një rreze përgjimi prej afro 1 mijë metrash, atëherë kushdo mund ta kuptojë se pse Rama dhe Tahiri kanë urdhëruar që pajisja e përgjimit të instalohej pranë prokurorit të Përgjithshëm. Kryeprokurori është në listën e personaliteteve që janë përgjuar.
Për disa ditë me radhë ajo është stacionuar pranë organit qendror të akuzës, në qendër të Tiranës. Prokuroria e Tiranës ka në dorë një raport të ri për pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher” të futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe të dyshuar se është përdorur për të përgjuar drejtues të shtetit, deputetë, diplomatë, prokurorë, gjyqtarë, gazetarë e biznemenë.
Ky raport është hartuar nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe përveç Prokurorisë së Përgjithshme i është dërguar për dijeni Presidentit të Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrit Edi Rama. Agjentët sekretë shqiptarë japin informacione mbi zonat ku ka lëvizur dhe është stacionuar makina që ka të instaluar pajisjen e përgjimit, shkruan “Panorama”. Raporti i SHISH duket se përmban edhe materiale filmike të makinës tip “BMW” me targa italiane në të cilën gjendet aparatura përgjuese.
Provat e përgjimit të kryeprokurorit e rëndojnë akoma më shumë skandalin e përgjimeve. Askush nuk mund të besojë se për të përgjuar kryeprokurorin ka qenë i interesuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë. Një përgjim i tillë që do të përbënte një skandal në çdo vend normal implikon direkt Ramën dhe Tahirin, të cilët prej kohësh i kanë shpallur luftë të ftohtë Llallës për shkak të hetimeve që Prokuroria e Përgjithshme ka nisur për një sërë aferash kriminale dhe korruptive të qeverisë.
Veç Prokurorisë së Përgjithshme pajisja ka qëndruar gjithashtu për disa kohë pranë Bashkisë së Tiranës dhe disa ministrive të tjera pranë saj. Ajo është parë edhe pranë Rrugës së “Elbasanit” dhe pranë Televizionit Publik Shqiptar, ku gjithashtu gjenden zyrat e disa personaliteteve dhe selive diplomatike të huaja, si dhe pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ky fakt ka ngritur dyshime se, drejtuesit e institucioneve pranë, të cilave ka qëndruar pajisja, mund të jenë përgjuar. SHISH, saktësohet në raport, është vënë në ndjekje të pajisjes së përgjimit prej muajit prill kur agjentët kishin marrë për herë të parë informacion se ajo ishte futur në Shqipëri pa u regjistruar më parë në doganë dhe pa marrë lejen e prokurorit të Përgjithshëm, siç e kërkon ligji.
Përpara se të jepte alarmin, SHISH e ka verifikuar informacionin, duke mbledhur prova të tjera. Më pas, vetë kreu i SHISH ka sinjalizuar prokurorin e Përgjithshëm, për të kryer hetime në lidhje me rolin e aparatit që mund të kryente përgjime të të gjitha llojeve të komunikimit telefonik.
Raporti i SHISH përmban të dhëna edhe mbi personat që kanë qenë në makinën ku ndodhej pajisja e përgjimit gjatë lëvizjes së saj nëpër Tiranë. Që me zbulimin e faktit se pajisja ishte futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar sekuestrimin e saj. Por autoritetet italiane e kanë mbajtur atë të fshehtë. Pajisja iu fsheh prokurorëve edhe më 13 maj, kur ata shkuan ta sekuestronin në zyrat e Forcës Operacionale të Policisë.
Kur prokurorët hynë në zyrat e Forcës Operacionale, specialisti Entiol Xhelilaj doli me makinën e “IMSI Catcher” edhe pse ai ligjërisht nuk kishte të drejtë ta lëvizte atë. Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj tij, ndaj eprorit të tij dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos. Ky i fundi u pezullua nga detyra, por dy ditë më parë Gjykata e Apelit e ktheu në detyrë, duke pranuar si provë një shkresë të policisë italiane, në të cilën thuhet se “IMSI Catcher” nuk ka kryer përgjime.
Prokuroria shqiptare dyshon që përgjimet janë kryer nga punonjës të policisë shqiptare që janë trajnuar nga italianët për ta përdorur pajisjen dhe jo nga efektivët e policisë italiane. Për të vërtetuar të gjitha dyshimet e ngritura nëse është përgjuar apo jo me pajisjen, prokurorët thonë se është e domosdoshme që ajo të sekuestrohet.
Drejtues të Policisë së Shtetit, të marrë në pyetje gjatë hetimeve, kanë pohuar se një pajisje e tillë është e aftë të kryejë përgjime. Sipas tyre, një pajisje e këtij lloji është përdorur në qershor të vitit 2015 për të kapur Vladimir Gjutën, i cili kërkohej për vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Fshehja e pajisjes i ka shtuar dyshimet se ajo nuk është përdorur vetëm për qëllime trajnimi, siç thuhet nga policia italiane dhe ajo shqiptare. Këto dyshime përforcohen nga fakti se ajo iu mbajt e fshehtë edhe autoriteteve doganore shqiptare dhe prokurorit të Përgjithshëm, të vetmit që mund të autorizojë përdorimin e saj, qoftë edhe për trajnime.
Manjani kontakton Italinë për përgjimet
Ministri i Drejtësisë për të parën herë ka folur publikisht në favor të intensifikimit të hetimeve për aferën e përgjimeve. Në një dalje publike, ministri Manjani tha se është përfshirë edhe institucioni që ai drejton në ndihmë të hetimit, duke kërkuar informacion në rrugë zyrtare nga Italia.
“Në dijeninë time hetimet vazhdojnë dhe vazhdojnë me shumë intensitet. Unë vetë kam çuar letërporosi për Prokurorinë italiane për të thelluar hetimet. Gjyqtarët janë të pavarur në vendimet e tyre, drejtësia, Prokuroria dhe gjykatat i kanë borxh të sqarojnë të vërtetën. Çdokush jashtë gjykatës që përpiqet të sqarojë gjërat që shqetësojnë opinionin publik nuk bën mirë. Nëse një ka faj ose jo dikush duhet ta japë drejtësia”, u shpreh ai.
Manjani ka reaguar edhe për vendimet e dhëna nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Tiranës për heqjen e pezullimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe lirimin nga qelia të përdhunuesit të Kavajës, Rroshi. Manjani është shprehur se vendimet e gjykatave nuk mund të komentohen, por në rast se ka pasur presione, atëherë këto raste duhet të denoncohen dhe hetohen. Vetë avokati i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Maks Haxhia në një prononcim për mediat pas vendimit të gjykatës nuk e përjashtoi mundësinë e presioneve që mund të kenë patur gjykatësit për të marrë vendimin.
Katër lëvizjet e dokumentuara të makinës së përgjimit
Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë për përgjimet e paligjshme që besohet se janë kryer me një pajisje që ka ardhur nga Italia dhe ka qëndruar në mënyrë ilegale në Tiranë. Gjatë një deklarate për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se, “Edi Rama ka rritur presionin ndaj drejtësisë, përmes kërcënimeve kriminale, duke tentuar mbylljen e çështjes së përgjimeve të paligjshme, fakte të reja kanë dalë në dritë nga ky skandal”. “Pajisja e përgjimit të paligjshëm është përdorur në zonat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Rrugën e ‘Elbasanit’, pranë Televizionit Publik dhe pranë Bashkisë së Tiranës. Të paktën këto katër lëvizje janë dokumentuar, siç bën të ditur media që i referohet një raporti sekret të SHISH, raport që i është dorëzuar Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Krimi shtetëror i përgjimit të paligjshëm ka ndodhur, cenimi i sigurisë kombëtare ka ndodhur, shkelja brutale e Kushtetutës e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ka ndodhur. Është kjo arsyeja pse Edi Rama e pengon hetimin, pse e riktheu Çakon në detyrë, duke shantazhuar në mënyrë mafioze gjykatën. Është kjo arsyeja pse Edi Rama bllokon drejtësinë, pasi krimi ka ndodhur dhe ai është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë aferë. Zbardhja e ngjarjes, zbardhja e plotë e përgjegjësive do të ishte goditja fatale ndaj Edi Ramës, ndaj ai po përdor të gjitha format e presionit e kërcënimit kundër Gjykatës dhe Prokurorisë. Por ky krim i rëndë shtetëror peshon më shumë se e ardhmja e fati personal i një njeriu. Ndaj duhet hetuar e zbardhur deri në fund. Partia Demokratike i bën dhe një herë thirrje Prokurorisë së Republikës, të mos tërhiqet nga presionet e kërcënimet banditeske, po t’i shkojë deri në fund kësaj çështje, që krime të tilla të mos ndodhin më në vendin tonë. Nga kjo varet, a do të kemi shtet ligjor, apo shtet mafioz brenda shtetit. Do të kemi ligj, apo rregullat e mafias në fuqi. Do të kemi demokraci e garanci, apo sundim bande”, u shpreh Arben Ristani gjatë deklaratës së tij për median.