Si u planifikua prej dy muajsh atentati në Tiranë ndaj aktorit

Plani për vrasjen e Mishel Prelës që u plagos në një atentat në afërsi të gjimnazit “Partizani” kishte nisur rreth 2 muaj më parë. Shkëlzen Buci, i cili ka qëlluar mbi aktorin njihej si i papunë dhe një muaj më parë kishte marrë një kredi prej 15 mijë eurosh dhe disa borxhe të tjera për kurimin e të vëllait. Pavarësisht kësaj, vëllai i sëmurë rëndë kishte vdekur rreth 1 muaj më parë.
Rreth dy muaj më parë, Buci është takuar me porositësin e krimit Ervin Zallumin, të cili i ka kërkuar që ta ndihmojë me një punë. Zallumi i ka thënë në shtëpinë e tij që nëse vriste Mishel Prelën ai do ta paguante 80 mijë euro. 50 do t’i merrte, pasi të kryente punën dhe 30 mijë të tjera në fund të vitit. Duke qenë se nuk besonte tek porositësi për pagesën, Buci e ka regjistruar këtë bisedë në telefon dhe ia ka dorëzuar prokurorëve.
Buci ka vazhduar në dëshminë e tij se ka qenë Zallumi, ai që i ka gjetur pistoletën me të cilin ka kryer qitje në malin e Dajtit. Të njëjtën version ka dhënë në dëshmi edhe Miklar Tola. Ky i fundit kishte për detyrë të vëzhgonte lëvizjen e objektivit dhe për këtë do të paguhej 25 mijë euro, pasi të kryhej vrasja.
Ditën e plagosjes Shkëlzen Buci dhe ai kanë qenë në mjetin e gruas së tij pranë gjimnazit “Partizani”, kur Mishel Prela ka kaluar aty me biçikletë. Në këtë kohë, Buci del nga makina, duke e thërritur në emër Mishelin. Pas kësaj, ai ka dëgjuar krisma. Përfshirja e Miklar Tolës në këtë krim vërtetohet dhe nga bisedat e përgjuara që ai ka bërë me të vëllain Ermirin.
Miklari e pyet nëse kanë ardhur lekët në shtëpi, ndërsa Ermiri i thotë që jo. Më pas, Miklari i thotë që të shkojë të takojë Shkëlzenin dhe ta pyeste për paratë ndryshe ai do të fliste. Për faktet e mësipërme, Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ervin Zallumin, Shkëlzen Bucin dhe Miklar Tolën. Për Trim Hidrin është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje. Ndërsa Emri Tola do të qëndrojë në arrest shtëpie.

Exit mobile version