I dyshuari për vrasjen e deputetes Jo Cox, kishte blerë libër i cili tregon se si ta bësh një armë vetë. Burri i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e deputetes, është raportuar se kishte blerë një libër, botim i vitit 1999, në të cilin tregohet se si mundesh ta bësh një armë vetë në kushte shtëpie. 41 vjeçarja Jo Cox, nënë e dy fëmijëve, vdiq pasi u qëllua tre herë në rrugët e Bristall, pasditen e djeshme. Policia e arrestoi të dyshuarin e quajtur Tommy Mair, 52 vjeçar, të cilin fqinjët e tij e përshkruajnë si një njeri me probleme dhe i vetmuar.
Reagim i ashpër i Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel deklaroi se rrethanat e vdekjes tragjike të një deputeteje britanike proevropiane duhet të zbardhen sa më shpejt që të jetë e mundur për shkak të referendumit për qëndrimin ose jo të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, që është parashikuar të mbahet javën e ardhshme. “Ky akt tragjik duhet të zbardhet në mënyrë urgjente”, theksoi kancelaria në përfundim të një takimi me udhëheqësit e shteteve rajonale në Berlin. Ajo nuk do të dëshironte që këtë vrasje ta lidhte me referendumin që do të zhvillohet të enjten e ardhshme. Merkel e cilësoi vdekjen e deputetes Jo Cox të tmerrshme dhe tragjike. Deputetja e moshës 41-vjeçare u vra me armë zjarr duke ngjallur një situatë kaotike dhe me shumë tensione. Hetuesit e policisë në Jorkshër të Anglisë veriore nuk konfirmojnë apo mohojnë se i dyshuari për vrasjen e deputetes 41-vjeçare mund të ketë qenë i frymëzuar nga pikëpamjet e ekstremit të djathtë. Disa dëshmitarë thanë se 52-vjeçari, Thomas Mair, thirri “Britania e Para!”, ndërsa e qëlloi me armë tre herë deputeten, dhe më tej e goditi me thikë dhe e tërhoqi zvarrë. Partia politike “Britania e Para!” e dënoi sulmin dhe tha se nuk ka rol në vrasjen e deputetes pro-Bashkimit Evropian. “Nuk kemi asnjë lidhje me këtë ndodhi; unë isha në zyrë kur u përhap lajmi dhe sigurisht që e dënoj. Jemi në mesin e fushatës për referendumin. Çfarë tha ky person? A iu referua ndonjë organizate apo sllogani? Apo thjesht e tha nga çfarë i ka mbetur në mendje nga debati për BE-në?” Ndërsa policia mundohet të gjejë motivin, dedektivët duket se po përqëndrohen në dy skenarë kryesorë. Një burim i policisë në Jorkshër i konfirmoi Zërit të Amerikës se hetuesit po shqyrtojnë lidhjet e Thomas Mair me grupime të djathta, si dhe historikun e shëndetit të tij mendor. Dedektivët kontrolluan shtëpinë e tij për prova materiale për lidhje me ekstremistët. Qendra amerikane “Southern Poverty Law”, e cila monitoron grupet ekstremiste, thotë se Thomas Mair ishte një mbështetës vjetër i grupimit amerikan neo-nazist të quajtur Aleanca Kombëtare. Sipas kësaj qendre, Thomas Mair kishte blerë botime me vlerë 620 dollarë nga shtëpia botuese e këtij grupimi, ndër to edhe udhëzues për montim armësh dhe bombash. Ai gjithashtu ishte abonuar prej 10 vitesh në një revistë të Afrikës së Jugut, të botuar nga një grup esktremist që mbron regjimin racist të aparteidit. Vrasja e zonjës Cox ka errësuar fushatën e referendumit britanik. Kjo është vrasja e parë e një deputeteje britanike që në vitin 1990, kur Ushtria Republikane Irlandeze vrau një zyrtar të lartë të partisë konservatore.
Fjalët prekëse të bashkëshortit të deputetes
Bashkëshorti i deputetes laburiste, Jo Cox, e cila ndërroi jetë pas një sulmi me armë, ka bërë një postim me fjalë mallëngjyese. 41-vjeçarja nënë e dy fëmijëve, e cila u bë deputete një vit më parë, humbi jetën në spital pasi u qëllua në Leeds afër zyrës së saj. Dëshmitarët thanë se autori ndodhej në zyrën e saj para se ajo të mbërrinte dhe ta qëllonte tri herë. Mediat ndërkombëtare shkruajnë se pasi e qëlloi me një plumb në kokë dhe dy herë të tjera në trup, ai nisi ta godiste me një thikë të madhe ndërsa ajo qëndronte e shtrirë, e mbuluar në gjak. Ndërsa bashkëshorti i saj, Berndan Cox postoi një foto të bashkëshortes së tij pak orë pas ngjarjes. Ai i kërkon njerëzve që të luftojnë kudër urrejtjes, që vrau Jo, përcjell javanews. Sot është fillimi i një kapitulli të ri në jetën tonë. Më i vështirë, më i dhimbshëm, më pak i gëzueshëm, më pak i mbushur me dashuri. Unë dhe miqtë e Jo dhe familja e saj do të punojmë çdo moment të jetës të dashurojmë dhe edukojmë fëmijët tanë dhe të luftojmë kundër urrejtjes që vrau Jo. Jo besonte tek një botë më e mirë dhe ajo luftoi për këtë gjë çdo ditë të jetës së saj”, shkruan ai. Policia ka arrestuar një 52-vjeçar të quajtur Tommy Mair si autorin e dyshuar të vrasjes.