Përmirësimi i ecurisë ekonomike të vendit në muajt e parë të këtij, siç rezulton nga të ardhurat buxhetore apo rritja e eksporteve viti, nuk rezulton të jetë reflektuar në treguesit e punësimit.
Si të dhënat administrative të INSTAT, që merren nga listëpagesat e sigurimeve shoqërore ashtu dhe ato të Anketës së tregut të Punës, që mblidhen në terren, tregojnë se numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor ra lehtë në janar-mars, në raport me fundin e vitit, ndërsa u tkurr ndjeshëm në bujqësi. I vetmi sektor që gjeneroi vende të reja pune ishte ai shtetëror, që në prag të zgjedhjeve vijoi të shtonte personelin.
Sipas të dhënave administrative të INSTAT, në fund të tremujorit të tretë, në sektorin shtetëror kishte gjithsej 183 mijë të punësuar. Numri i tyre është rritur me rreth 9,700 në raport me një vit më parë. Grafiku i të punësuarve në sektorin shtetëror tregon se shtesa ka ndodhur në tremujorin e katërt 2020 dhe më pak më pak në janar-mars të këtij viti, që përkon me periudhën e para zgjedhjeve të përgjithshme, që u mbajtën në 25 prill 2021.
Sektori privat jo bujqësor njohu përmirësimin me të madh në tremujorin e tretë 2020, ku rikuperoi pothuajse të gjitha vendet e punës së humbura gjatë karantinës së tremujorit të dytë të po atij viti. Në periudhën në vijim, sektori privat nuk arriti të rigjenerojë vende të reja pune.
Edhe në janar-mars të këtij, numri i të punësuarve në privat ra lehtë me rreth 2500 persona. Në krahasim me tremujorin e katërt 2019, përpara se të fillonin të ndiheshin efektet e krizës pandemike, sektori privat jo bujqësor ka 1.4% më pak të punësuar.
Bujqësia, ndonëse ishte sektori me ecurinë më të mirë gjatë pandemisë, me një rritje minimale pozitive, (në raport me rënien -3.3% të gjithë ekonomisë) ka shënuan rritjen më të lartë të papunësisë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, në bujqësi humbën 35 mijë vende pune, në krahasim me fundin e 2020-s, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të papunësisë.
INSTAT e mat punësimin në bujqësi përmes anketës së Forcës së Punës, ndryshe nga të dhënat e mësipërme që maten si mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në total, bujqësia kishte 37.4% të totalit të vendeve të punës, sektori privat jo bujqësor 46% dhe ai shtetëror 16.6%.
Papunësia, njësoj si në periudhën e karantinës, shtohet tek të rinjtë
Sipas Anketës së Forcave të Punës, shkalla e papunësisë në ekonominë shqiptare për tremujorin e parë të vitit u rrit në 11.9%. Sipas Institutit të Statistikave, papunësia u rrit me 0.5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 0.1 pikë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Niveli i papunësisë është njësoj sa në tremujorin e dytë të vitit 2020, kur vendi ishte në kulmin e kufizimeve, çka çoi në mbylljen e shumë bizneseve. Më pas, papunësia u ul në tremujorin e tretë dhe të katërt, me rihapjen e ekonomisë dhe u rrit lehtë në janar-mars 2021.
Rritje të ndjeshme shënoi papunësia tek të rinjtë, që është madje më e lartë sesa në periudhën e karantinës. Përkeqësimi është më i lartë te femrat e grupmoshës 15-29 vjeç, që arriti në 24.4%, me rritje 3.6 pikë përqindje në raport me tremujorin e dytë 2020 dhe në nivelin më të lartë që nga tremujori i parë 2018.
Edhe te meshkujt e rinj, 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë arriti në 22.5%, me një rritje prej 0.6 pikë përqindje nga periudha e karantinës./Monitor