Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në kryeqytet, ku një vajzë e mitur ëhstë marrë me forcë dhe është futur brenda një automjeti.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Ndre Mjeda’, ku një 13-vjeçare është futur pa dëshirë në një automjet.
E mitura është rrëmbyer sapo ka zbritur nga furgoni i shkollës, ndërsa ka qenë e shoqëruar edhe nga motra e saj. Mjeti që ka marrë pjesë në ngjarje, ka qenë një makinë tip “Fiat” ngjyrë e kuqe, ndërsa ka qenë dy persona me maska që kanë kryer aktin, rrëfejnë dëshmitarët okularë.
“Makina ku u fut vajza ishte ngjyrë e kuqe dhe e vogël”, rrëfejnë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të rrëmbimit të së miturës.
Burime pranë familjes së vajzës deklarojnë se, 13-vjeçarja vuan nga diabeti dhe merr 4 herë në ditë insulina.
Prindërit e 13-vjeçares të rrëmbyer pasditen e sotme pranë ish Fushës së Aviacionit kanë dhënë dëshminë e tyre në Polici. Ata kanë mohuar të kenë pasur ndonjë konflikt, ndërsa nuk i japin dot shpjegim asaj çfarë ka ndodhur.
“Nuk kemi konflite me asnjë. Nuk kemi asnjë dyshim. Nuk i japim dot shpjegim rrëmbimit të vajzës. Të dyja vajzat u kthyen si çdo pasdite. I priste gjyshja në shtëpi, i shoqëronte vajzat gjithmonë me sy,“-mësohet se kanë thënë prindërit e vajzës.
13-vjeçarja me inicialet S.B u rrëmbye pak minuta teksa kishte dalë nga fugoni i shkollës. Motra e saj dhe gjyshja panë gjithë skenën dhe dhanë alarmin.
E mitura u tërhoq zvarrë nga një person ende i paidentifikuar dhe u largua me një “Fiat Punto”, ngjyrë të kuqe.