BEQIR AJET SHEHU*/ Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo pengoi drejtpërdrejt forcat e Armatës së Tretë serbe, duke i gjakosur, rraskapitur e vonuar në realizimin e qëllimit serb, për të dalë në Adriatik e për të bërë fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare
Me pushtimin e Prizrenit, komandanti i divizionit të tretë serb, gjenerali Jankoviç, nisi rigrupimin e forcave për operacionin drejt bregdetit shqiptar. U krijua divizioni “Shumadia”, me 7 regjimente, me këmbësorë, kalorësi, artileri, reparte vullnetare dhe reparte të komitës serbe. Këto forca do të pushtonin Lumën dhe, pasi të bashkoheshin me forcat e divizionit “Morava”, që do të vinte nga Dibra, do të vazhdonin operacionin drejt luginës së Fanit, të Matit e të Shkumbinit për të dalë në Adriatik.
Fronti i qëndresës shqiptare, i përqendruar në Has, Lumë, Gorë e Opojë, po punonte në të gjitha drejtimet për t’i thënë ndal marshimit të mëtejshëm të forcave serbe. Pas tërheqjes nga Gjakova, Rahoveci e Prizreni, forcat shqiptare u ngjeshën në zonën e Opojës dhe të Lumës. Me forcat e Lumës u bashkuan edhe Isa Boletini e Bajram Curri, të cilët u vendosën në zonën e Hasit për të mbrojtur Qafën e Prushit.
Bajraqet e Lumës, me prijësit popullor: Ramadan Zaskoci, Islam Spahia, Ramadan Çajku, Osman Lita, Qazim Lika, Sheh Sali Çaja, së bashku me të gjithë bajraktarët, formuan Këshillin e Luftës, me qendër në Kolesjan, ku do të vihej postblloku i pakalueshëm për forcat serbe. Mbi 25000 luftëtarë të forcave shqiptare ishin përqendruar në pjerrësitë e maleve të Koritnikut e të Pashtrikut, si dhe në malet e Sharrit e të Korabit, për të siguruar një vijë mbrojtjeje sa më rezistente dhe me objektiv edhe për të kundërsulmuar. Në kujtimet e Tafil Boletinit jepet një pasqyrë e qartë e përgatitjeve, që po bënin krerët e Lumës për të përballuar agresionin serb, i cili kishte arritur në portat veriore të krahinës. Në besëlidhjen mbarëkrahinore në Bicaj dhe në tubimet e fshatrave Kolesjan, Ujmisht e Vasije, mori pjesë edhe Isa Boletini, i cili këshilloi për lënien mënjanë të hasmërive, për shmangien e mosmarrëveshjeve, për lidhje mes katundeve e krahinave, se vetëm duke qenë të bashkuar mund të përballohej kjo “murtajë e zezë”, që po rrezikonte vendin dhe jetën e fëmijëve tonë.
Me 10 nëntor Luma sulmohet frontalisht nga 16 mijë forca serbe, të pajisura me armët më moderne të kohës, me artileri e kalorësi, kryesisht armatim francez. Beteja e parë e përgjakshme u zhvillua në Qafën e Zhurit dhe në grykën e Morinit, ku armiku pati humbje serioze, por arriti të futej në Rrafshën e Lumës dhe 12 batalione arritën deri në Bicaj.
Me 14 nëntor, kur forcat serbe do të marshonin drejt Qafës së Kolesjanit, për të dalë në Kala të Dodës, komanda serbe u informua se ”Rreth 2000 shqiptarë të armatosur ishin pozicionuar në formë patkoi, duke harkuar mbi pozicionet serbe, poshtë Qafës së Kolesjanit, nga lindja e perëndimi”.
Ky informacion për forcat armike ishte vetëm një pjesë e së vërtetës, pasi Këshilli i Luftës, i vendosur në Kolesjan kishte përgatitur një vijë mbrojtjeje të pakalueshme për forcat serbe.
Duke u nisur nga përvoja e luftës me Xhavit Pashën në vitin 1909, ku pozicioni më i përshtatshëm strategjik për mbrojtje ishte Qafa e Kolesianit dhe sulmin e Dervish Pashës në tri drejtime për të hyrë në Lumë, në vitin 1910, krerët e Lumës, morën masa për të siguruar Grykën e Vanave, Shkallën e Keqe e Lakun e Darzës nga lindja, si dhe tërë gjatësinë e Ujit të Lapave, nga jugu. Forcat kryesore që do të hynin në betejë, rreth 3000 luftëtarë, u vendosën në dy skalione:
-Skalioni i parë u vendos në faqen perëndimore të Gjalicës, në Theth, në Lakun e Darzës, në Qafën e Kolesjanit, në Kodrat e Gabricës e në Drin të Zi. Në një thellësi 2-3 km u pozicionuan luftëtarët e skalionit të dytë, në gjatësinë që shkonte nga Mali i Limthit-Qafa e Reskut-Qafa e Drajes–e në Drin të Zi. Qendra e prapavijës së skalionit të parë, u vendos te Gurra e Kolesjanit. Shtabi kryesor i luftës u vendos në Qafë të Kolesjanit, në majën e quajtur Tabe, nga ku shikoheshin pothuaj të gjitha vendet, ku ishin vendosur në mbrojtje luftëtarët lumjanë dhe e gjithë Rrafsha e Lumës, që do të kthehej në arenë luftimesh. Forcat kryesore mbrojtëse e goditëse në Qafën e Kolesianit përbëheshin nga malësorët e shtatë bajraqeve të Lumës. Me 13 nëntor, arriti në Kolesjan edhe legjendari Elez Isufi me malësorët e Reçit e Dardhës, i cili iu bashkua Këshillit Drejtues të luftës. Me Elez Isufin erdhi edhe oficeri i artilerisë, Cen Daci, i cili me dy topat që solli, që ia patën mbajtur në Kala të Dodës ushtrisë turke, do të bëhej tmerri i artilerisë serbe.
Duke menduar për një sulm të mundshëm në front të gjerë të forcave serbe, krerët e Lumës, në marrëveshje me krerët e Hasit e të Opojës, vendosën për një vijë mbrojtjeje, që do të fillonte nga pjerrësitë perëndimore të Malit të Sharrit në Grykën e Llapushnikut, e cila do të mbrohej nga opojas, goranë e topojanas, nën drejtimin e Qazim Likës dhe nga Drini i Bardhë e deri në Qafën e Prushit, që do të mbrohej nga hasianë me kryeprijës Rexh Ali Bajraktarin.
Komanda e përgjithshme e grupimit, tanimë me lumjanë e dibranë, me Ramadan Zaskocin, Elez Isufin, Islam Spahinë e Ramadan Çajkun, u vendos në Kolesjan.
Mëngjesi i 15 nëntorit i gjeti luftëtarët lumjanë e dibranë në prita e llogore. Çastet e ankthit, që përjetoheshin në ato orë mëngjesi, para fillimit të betejës, i përshkruajnë realisht, vargjet e këngës, që populli ka thurur për këtë betejë:
Kolesjani shtatëdhjet shtëpi, mbanin hutat bitim në sy.
Të dy palët synonin befasinë. Armët ishin të mbushura. Llogoret s’i mbanin më luftëtarët. Pritej vetëm sinjali i sulmit. Ramadan Zaskoci, komandant dhe luftëtar në dhjetëra beteja, nga Tabja, ku ishte vendosur shtabi i luftës, hodhi sinjalin e goditjes mbi forcat serbe, që po ngjiteshin drejt Qafës së Kolesjanit. Ibrahim Zeqir Gjorgji, bajraktari i Radomirës, i pari u hodh në sulm dhe mori nderin e pavdekshmërisë, si dëshmor i parë i kësaj beteje legjendare. Pushkë e flakë nga Qafa e Kolesjanit deri në Kullën e Lumës. Tabe në tabe, gur në gur, lagje në lagje, shtëpi në shtëpi, kudo thirrje:
A besa besë burra për Vatan!…
Në ballin e sulmit ishin vendosur mbi 3000 luftëtarë lumjanë e dibranë. Në krye të tyre qëndronin Ramadan Çajku, Sali Spahia, Suf Xhelili, Xhafer Doda,Osman Lita, Bajram Gjana, Cen Daci, Mer Sufa, Dervish e Nezir Bajraktari, Sul Elezi, Alush Aga e të gjithë bajraktarët trima të Topojanit, Radomirës, QafëKalasë, Çajës, Kalisit, Rrafshës së Lumës e të Tejdrinit. Sulmi i luftëtarëve malësorë ishte i rreptë, por edhe qëndresa e armikut ishte dëshpëruese dhe shumë këmbëngulëse. Por ortekun e këtyre trimave, që luftonin për mbrojtjen e vatanit, nuk ndalej më. Trimëritë pasonin, nxitnin e plotësonin njëratjetrën. Ranë dhe dëshmorët e parë: Haxhi Ibrahim Gjorgji nga Radomira, Nexhip Dull Visha nga Bicet, Rexhep JonuzTaçi e Selman Asllan Nerguti. Populli i Lumës i përjetësoi ata në këngë, për të mos u harruar në jetë të jetëve.
Lufta vazhdoi gjithë ditën. Shembuj të papërshkruar heroizmi treguan luftëtarët lumjanë e dibranë. Merreshin veprime personale dhe në grup nga më të pabesueshmet, deri në përleshje trup me trup.
Serbët nuk e mbajtën dot as vijën mbrojtëse të parapërgatitur. Tentativat e tyre për rigrupim të forcave të shpartalluara, pothuajse dështuan. Disa sulme që ndërmorën forcat më të zgjedhura të reparteve serbe, me gjithë ashpërsinë e këmbënguljen e tyre, u thyen keqas nga veprimet e shkathëta e të guximshme të malësorëve trima. E gjithë përpjekja e komandës serbe për të vënë në veprim bateritë e mortajave, tek të cilat mbanin shumë shpresa, dështuan. Dy topat me qitje të ngadaltë, që drejtoi oficeri artiljer, Cen Daci nga Kalisi, goditën me saktësinë më të madhe, duke nxjerrë jashtë luftimit çdo vendvendosje të tyre.
Në këto kushte, komanda serbe urdhëroi tërheqjen drejt Kullës së Lumës. Por kjo ishte e pamundur tanimë. Një rrebesh shiu e breshëri i paparë ndonjëherë u derdh mbi Rrafshën e Lumës. Lumi i Shejës, që kalon nga Bicet, u kthye në Drin e Drini në det, tregonin pjesëmarrësit në këtë betejë. Në përpjekjen për të kaluar Shejën u mbytën më shumë serbë, se sa u vranë në përleshje.
Mëngjesi i 16 nëntorit i gjeti forcat serbe të mbërthyera në darën midis Lumit Sheja e Drinit të Zi. Lajmëtarët trima të Ramadan Zaskocit, gjatë gjithë natës përhapën lajmin e fitores, në ditën e parë të luftimeve, në të gjitha grupimet e luftëtarëve, lagje më lagje e shtëpi në shtëpi, duke filluar nga Kolesjani e deri në Prizren.
Dita e 16 nëntorit ishte ditë krismash në të gjithë Rrafshën e Lumës. Drejt Kullës së Lumës ishte dhënë komanda… Malësorët, tanimë ishin pajisur me mauzerë e xhephane, që ia rrëmbyen hasmit dhe nuk mbaheshin më. Një burim turk theksonte se: ”Brenda 24 orëve, serbët qenë thyer keqas dhe ishin kapur mbi 1000 mauzera”. Ndërkohë, rapsodi popullor këndonte:
Nëpër flakë lëshohen batare poshtë te Canet, Brenda sahatit i zaptuan istikamet, Morën mauzere, morën topa e xhephanet.
Unaza e rrethimit afrohej drejt Kullës së Lumës dhe armikut po i shtrëngohej laku në fyt. Forcat serbe, të nisura për ndihmë nga Prizreni, me gjithë insistimin e tyre, u bllokuan në Opojë e Gorë nga malësoret e këtyre zonave që komandoheshin nga Qazim Lika e Nail Hyseni.Drejt Kullës së Lumës u vunë në veprim pjesët më të zgjedhura të luftëtarëve shqiptarë. Sulmues, çeta dhe prita vepronin në çdo vend, ku armiku mundohej të krijonte rezistencë. Një grup luftëtarësh bllokuan edhe mjetet e transportit, që po tentonin të tërhiqeshin drejt Prizrenit.
Veprimet dëshpëruese të komandës serbe për të çarë rrethimin, duke hedhur në veprim repartet më të zgjedhura të forcave serbe, u neutralizuan e u asgjësuan nga luftëtarët shqiptarë. Kjo gjendje e forcave serbe pasqyrohet edhe në raportin shpjegues për shkaqet e humbjes, nga komandanti i trupave serbe në këtë betejë: ”Sulmi që ndërmori nënreparti special në krahun e djathtë të Drinit të Zi, nuk arriti t’i dëbojë formacionet shqiptare, të cilat me zjarr nga krahët na shkaktonin humbje të rënda. Nënreparti i artilerisë malore nuk arriti të zinte pozicionet e zjarrit… Armiku na qëllonte nga të gjitha fshatrat, nga çdo shtëpi”.
Në fund të ditës, nëpër errësirë, një pjesë e forcave serbe, që mundi t’i shpëtonte vdekjes, la pas Kullën e Lumës dhe një ”kullë të stërmadhe kufomash, armatimesh e municioni bashkë me mallin e madh të urrejtjes kundër murtajës serbe”.[1]
Kështu, përfundoi kjo betejë e lavdishme e triumfit të forcave shqiptare mbi ato serbe, të cilën historiani Shaban Braha, e quan “Termopilen shqiptare” ose “Kaçanikun e dytë”.
Beteja e Lumës meriton vëmendjen e duhur nga historiografia jonë kombëtare, pasi ajo pengoi drejtpërdrejt forcat e Armatës së Tretë serbe, duke i gjakosur, rraskapitur e vonuar në realizimin e qëllimit serb, për të dalë në Adriatik e për të bërë fakt të kryer pushtimin e Shqipërisë para Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare.
Vargjet lapidare të këngës: “Djemt e Lumës hiç’ s’kan dert, ka ni luftë e bëjn’ përvjet për vatan s’tremen me vdekë” transmetojnë në breza Betejën e Lumës, që bashkoi luftëtarët shqiptarë me një besim të patundur në mbrojtje të trojeve shqiptare.
Përmes betejash, si kjo e Lumës, anë e mbanë Vilajeteve Shqiptare u bë e mundur Shpallja e Pavarësisë Kombëtare dhe formimi i shtetit të parë shqiptar më 28 nëntor 1912.
*Studjues – “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” i Institutit të Studimeve historike të Akademisë së Shkencave
[1] Shaban Braha, “Beteja e Drinit” (nëntor 1912), Prizren, 2000.