Kush e tradhëtoi Komisarin Çuku që u vra në hyrje të pallatit ku banonte dhe si ju dorëzua ai vrasësve? Ishte një ndër komisarët më të mirë të policisë. Ai nuk ishte aspak politik. Kishte shërbyer në detyra të ndryshme në polici përgjatë 16 viteve që nënkupton si në administratën e PS ashtu edhe në atë të PD gjatë këtyre viteve. Megjithë vlerësimet që e konsideronin Cukun si një ndër drejtuesit e policisë më të fortë dhe të vendosur në betejën ndaj krimit, kjo nuk e pengoi qeverinë e re të Ramës ta flakë në rrugë njeriun që kishte shkatërruar të gjitha bandat kriminale në Vlorës dhe Fierit dhe kishte ndalur trafikun e drogës. Natyrisht kur banda kthehet në polici, ata që ekzekutohen të parët janë policët që mbrojnë ligjin ndaj bandave.
Ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku i vrarë në zemër të Tiranës, u hodh në rrugë nga qeveria e “Rilindjes” për t’u përballur me bandat që ai kishte goditur gjatë kryerjes së detyrës. Ndonëse njihej një nga drejtuesit më të hekurt në luftën ndaj bandave dhe trafikut të drogës gjatë 16 viteve në Policinë e Shtetit, Cuku u pushua nga detyra me urdhër të Ramës për t’u zëvendësuar me militantë dhe besnikë të Partisë.
Artan Cuku është një emër shumë i njohur në Vlorë. Të gjithë qytetarët e mbajnë mend për vendosjen e rendit dhe goditjen e bandave kriminale si dhe luftën ndaj trafikut të drogës. Ishte një nga drejtuesit më të mirë të Policisë së Vlorës, ku vendosi rendin dhe sigurinë në kohë të vështira. Ka kryer operacione shumë të forta, duke bërë arrestime të bujshme.
Cuku mbahet mend për kapjen e sasive të mëdha të drogës, qoftë në Karaburun apo në goditjen e grupeve të njohura kriminale. Ishte një oficer policie që ndryshoi rrënjësisht për mirë rendin dhe sigurinë në qytetin e Vlorës.
Artan Cuku ka qenë nëndrejtor i Policisë për Krime të Rënda në Tiranë nga viti 2009 deri në vitin 2011. Më pas, Cuku mbajti detyrën e drejtorit të Policisë së Vlorës nga viti 2012 deri në vitin 2013. Cuku ka qenë prej 16 vitesh në polici ku ka shërbyer si shef krimesh edhe në Tiranë, Shkodër dhe Fier. Gjatë gjithë karrierës së tij në Policinë e Shtetit ai ka qenë tmerri i bandave dhe trafikantëve.
Por ndonëse njihej si njeriu i hekurt ndaj krimit, më 1 qershor 2014, Artan Cuku u pushua nga puna nga drejtori i Policisë, Artan Didi, me urdhër të Ramës. Një nga drejtuesit më të suksesshëm të Policisë së Shtetit u hodh në mes të katër rrugëve pa asnjë mbrojtje, ndërsa nga ana tjetër Rama nxori nga burgu kriminelët. Banditët që ai vuri në pranga tani e kishin më të lehtë për ta kërcënuar dhe ekzekutuar ashtu siç ndodhi mbrëmjen e të shtunës.
Në të njëjtën mënyrë veproi qeveria e “Rilindjes” edhe me shefin e Antidrogës në Policinë e Vlorës dhe të Fierit, Dritan Zagani. Zagani u lirua nga detyra vetëm pse zbuloi trafikun e drogës së njerëzve të Tahirit. Shefi i Antidrogës dërgonte raporte në Ministrinë e Brendshme për lidhjet e Tahirit me trafkinatët që transportonion drogë me gomone në Itali, duke zbuluar edhe përdorimin e makinës së ministrit Tahiri për transport droge. Trafikantët që ai denonconte tek eprorët dhe kërkonte arrestimin e tyre, e kërcënonin me vdekje, ndërsa Tahiri e liroi nga detyra për t’ua nxjerrë atyre në pritë për ta ekzekutuar ashtu si ish-drejtorin e Policisë së Vlorës.
Rama e ngriti në sistem krimin, duke bërë deputetë dhe kryetarë bashkishë kriminelë dhe trafikantë droge, ndërsa zyrtarët e lartë të policisë që goditën krimin i hodhi në rrugë për ta patur më të lehtë trafikun e drogës.
Administratori i pallatit: Pashë një djalë të ri para vrasjes
Administratori i pallatit ku jetonte ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku ka deklaruar se ka parë një djalë të ri para vrasjes. “Para se të ndodhte ngjarja kam parë një djalë të ri te shkallët. Ishte elegant i veshur me të zeza dhe me kasketë (kapele) në kokë. E pashë që po qëndronte aty dhe e pyeta se çfarë kërkonte. Ishte me telefon në dorë dhe ishte duke shkruar dhe e mbante kokën poshtë. Më tha, po pres të më sjellin çelësin. Nuk munda ta shoh në fytyrë. Më pas unë u largova. Pas disa minutash dëgjova të shtëna dhe mora vesh çfarë kishte ndodhur”, ka thënë administratori i pallatit në polici.
Gjenden rrobat që kishte veshur vrasësi
Policia bëri të ditur dje se, ka gjetur disa rroba të braktisura pranë postës numër 8 në kryeqytet, të cilat dyshohen se i përkasin vrasësit të Cukut. Rrobat e gjetura ngjajnë me ato që kishte veshur vrasësi që u pikas nga kamerat e sigurisë ditën që u ekzekutua ish-drejtori i policisë.
Ekspertët po ekzaminojnë rrobat e gjetura për të përcaktuar nëse i përkasin vrasësit të Cukut. Artan Cuku, 42 vjeç është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen së shtunës në rrugën e “Kosovarëve”, në Tiranë. Cuku ka qenë pranë banesës së tij, në hyrje të pallatit, kur sapo u nda nga gruaja dhe dy fëmijët u qëllua nga dy persona të armatosur. Ai humbi jetën në vend.
Vëllezërit e Agim Dakës lirohen pas 24 orësh në polici
Prej mbrëmjes së të shtunës në Policinë e Tiranës u mbajtën të shoqëruar dy prej vëllezërve të Agim Dakës, personit që u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut. Policia e Shkodrës i shoqëroi dy vëllezërit e Dakës e më pas ata u sollën në Tiranë, ku u morën në pyetje nisur nga dyshimet se ekzekutimi i ish-zyrtarit të policisë mund të ketë ndodhur për hakmarrje.
Agim Daka u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut në vitin 2005, kur ai ishte shef i Komisariatit nr.4 në Tiranë. Vëllezërit e viktimës, një prej tyre i liruar prej 1 viti nga burgu kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen, duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë.
“Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, kanë deklaruar ata. Përveç kësaj, të dy vëllezërit kanë pasur alibi, pasi në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër.
Ata janë mbajtur për 24 orë në Policinë e Tiranës e më pas janë lënë të lirë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u vra në një atentat në pallatin ku jetonte, kur po ngjitej në apartamentin e tij nga persona që ende nuk janë identifikuar. Për ngjarjen ka pasur disa të shoqëruar, ndërsa po hetojnë specialistët më të mirë të policisë.
Artan Cuku ka pasur disa detyra të larta në Policinë e Shtetit deri në vitin 2013 kur u nxor në lirim. Kohët e fundit ai drejtonte një polici private. Policia po heton në disa pista për zbardhjen e vrasjes.
Babai i Agim Dakës: Me komisarin u pajtuam sipas kanunit
Pas ekzekutimit mafioz të komisar Artan Cukut, policia nisi hetimet edhe në pistën e hakmarrjes nisur nga një vetëvrasje në zyrën e tij 12 vite më parë. Madje policia shoqëroi edhe 2 vëllezërit e Agim Dakës, tropojanit që vrau veten me armën e Cukut. Por dy ditë pas vrasjes, babai i tij, Prelë Daka ka deklaruar për mediat se me komisar Artan Cukun janë pajtuar sipas kanunit pas vdekjes së të birit.
“S’kemi lidhje me vrasjen e Artan Cukut. E kemi mbyllur atë çështje dhe jemi pajtuar sipas kanunit. Artan Cuku ka bërë be në xhami se djali im Agim Daka është vetëvrarë dhe unë dhe familja ime e kemi besuar. Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Artan Cukut, sepse e kemi mbyllur shumë vite më parë”, ka deklaruar ai.
Prokuroria: Vrasja, për shkak të detyrës pas largimit nga Policia
“Vrasja për shkak të detyrës dhe konfliktet e mundshme pas largimit nga Policia e Shtetit”, janë dy pistat kryesore, për të cilën po heton Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë, Artan Cuku. Ndërkohë, ndonëse kanë kaluar 4 ditë nga vrasja e ish-zyrtarit të lartë të Policisë, policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arresrtojë autorët. Bëhet e ditur se, Prokuroria ka nisur verifikimin e të gjitha ngjarjeve të rënda, ku ish-drejtuesi Cuku është përfshirë si gjatë ushtrimit të detyrës në polici ashtu edhe pas largimit nga organizata e forcave të rendit.
Një nga pistat kryesore ku Prokuroria po heton për vrasjen e ish-drejtuesit Cuku, ajo për shkak të punës që kryente në Drejtorinë e Policisë në Vlorë. Ku me iniciativën e tij, Cuku ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda në Vlorë mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit”.
Hetuesit kanë rindërtuar edhe skenën e vrasjes mafioze të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Për kryerjen e vrasjes, janë përdorur dy armë zjarri. Ish-oficeri i lartë i policisë është qëlluar 5 herë; katër herë në trup dhe një herë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia tha se, dyshon se ai është qëlluar nga një atentator i vetëm, por nuk ka arritur ende të shpjegojë praninë e gëzhojave të dy pistoletave të ndryshme. Sipas policisë, Cuku mund të ketë qëlluar ndaj atentatorit dy herë, me dy plumba të kalibrit 9 mm, por në vendngjarje nuk është gjetur asnjë pistoletë. Ai rezulton të jetë përleshur me të para derës së ashensorit të pallatit ku jetonte.
Ekspertët e kriminalistikës kanë marrë kampione nga duart e tij për të parë nëse ka mbetje të barutit, por përgjigja e analizave shkencore nuk ka mbërritur ende. Por asnjë nga armët e përdorura nuk është gjetur në vendin e ngjarjes, çka e shton më shumë misterin.
Nuk përjashtohet mundësia që atentatorët të kenë qenë dy dhe që i dyti të ketë ndërhyrë pas përleshjes së Cukut me personin që e priste tek shkallët e pallatit. Administratorja dhe disa banorë të pallatit kanë dëshmuar në polici se kanë parë dy persona që flisnin me dialekt verior. Policia ka gjetur disa rroba pranë ish-postës 8, pranë Sheshit “Uillson” dhe po i ekzaminon, pasi përkojnë me rrobat e atentatorit, siç e kanë përshkuar atë banorët e pallatit që e kanë parë.
Pas vrasjes, drejtori i Policisë së Tiranës, Hodo u shpreh për mediat se, “për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës po hetohet në pistën e hakmarrjes”. Policia e Tiranës shoqëroi vëllezërit e Agim Dakës, të shoqëruar pas vrasjes së ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku.
Hodo deklaroi se në kohën kur Artan Cuku ishte shef i Komisariatit Nr.4 në Tiranë, në vitin 2005 u vra me pistoletën e tij Agim Daka në zyrën e tij, kur po merrej në pyetje. Policia ndaloi dy vëllezërit Bujar e Florian Daka, por më pas i la të lirë. Dy vëllezërit Daka kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen. Ata kanë patur alibi të forta që në momentin e krimit kanë qenë në Shkodër, në shtëpitë e tyre, duke darkuar para grupit hetimor se çështja e tyre me ish-drejtuesin e policisë është mbyllur sipas zakoneve kanunore dhe ata nuk kërkonin gjak tek ai.
R.POLISI