Si u vodh shtëpia e Gjiknurit, policia konfirmoi shkrimin në “RD”: U vodhën shuma parash

Një nga shtëpitë e ministrit të afërt të Ramës, Damian Gjiknuri është vjedhur në orët e mesditës. Shtëpia gjendet në rrugën “Fortuzi” pas Ministrisë së Drejtësisë dhe është në katin e tretë të një pallati. Hajdutët kanë hyrë në banesë nga dritarja e banjos të banesës. Nuk dihet nëse banesa ka pasur njeri. Sipas informacioneve në banesë ka familjarë të Gjiknurit. Ministri i Ramës e ka këtë apartament si një bazë të rëndësishme . Aty strehohet edhe nëna e tij. Një tjetër apartament Gjiknuri e ka blerë në pallatet e ish-Bllokut. Apartamenti në Bllok është deklaruar nga Gjiknuri vitin e fundit në Deklaratën e Pasurisë dhe kap vlerën e 271 mijë eurove dhe ka një sipërfaqe prej 200 metra katrorë.
Eshtë e çuditshme se si hajdutët kanë hyrë në aparamentin e ministrit Gjiknuri në rrugën e “Fortuzi” , pas Ministrisë së Drejtësisë në orët e mesditës dhe nga dritarja e banjos. Për këtë vjedhje nuk ka pasur asnjë reagim dhe asnjë deklaratë nga policia. Ndryshe nga vjedhja që iu bë një çifti të moshuarish dje në Vlorë për të cilin policia bëri një deklaratë zyrtare në rastin e vjedhjes së banesës së ministrit Gjiknuri, Policia ka preferuar heshtjen. Po përse Policia duhet të heshtë në këtë rast? Në shumë raste të tilla kur vidhen shtëpi të zyrtarëve të lartë që kanë vënë pasuri me paratë e korrupsionit, duke zhytur shqiptarët, preferohet nga veta këta zyrtarë që të mos bëhet zhurmë dhe vjedhjet të kalojnë në heshtje. Janë disa raste flagrante që janë raportuar në media të vjedhjes së banesave të këtyre zyrtarëve që nuk janë bërë publike as nga vetë personat dhe as nga policia. Arsyeja në të gjitha rastet ka të bëjë me atë që hajdutët kanë mundur të marrin nga banesat e këtyre ministrave ku bëhet fjalë për shuma të konsiderueshme parash.
Edhe në rastin e djeshëm të vjedhjes së banesës së Gjiknurit, e cila ka ndodhur në orët e mesditës, qytetarët kanë parë të nxirren disa thasë të zinj nga banesa. Policia ka mbërritur në vendngjarje me vonesë dhe nuk ka bërë transparencë mbi vjedhjen. Se çfarë ka pasur në ato thasë, askush nuk ka dhënë shpjegime, sepse asnjë nga thasët nuk është çarë që të ekspozoheshin ato që ishin vjedhur, por burime të sigurta nga familja Gjiknuri bëhet fjalë për vjedhje të një sasie të konsiderueshme të parave.
Shumë nga ministrat dhe zyrtarë të tjerë i mbajnë paratë në banesat e tyre, sepse e kanë të vështirë që t’i deklarojnë në banka, pasi janë para të vjedhura nga korrupsioni, trafiqet dhe droga. Në shumë raste këta qeveritarë mbushin dyshekët apo jastikët me paratë e vjedhura shqiptarëve, sepse edhe shumat janë mjaft të konsiderueshme. Dyshimet shtohen në rastin e vjedhjes së banesës së ministrit të Ramës për vetë faktin se Policia ka heshtur dhe ka fshehur vjedhjen. Përse duhet ta fshehë këtë vjedhje, kur dëshmitarët kanë parë skenën si edhe mbërritjen e policisë, pasi hajdutët kishin mbarur punë. Në këtë rast, kemi të bëjmë me hajdutë që vjedhin hajdutët që vjedhin shqiptarët, ndaj duke qenë një çështje mes hajdutësh edhe Policia e konsideron të panevojshme të ndërhyjë dhe të reagojë dhe të bëjë publik faktin.

Apartamenti 271 mijë euro i Gjiknurit
Damian Gjiknuri është drejtuesi i një prej ministrive më fitimprurëse në vend, e cila merret me energjetikën, si dhe industrinë e gazit e naftës, koncesionet e të cilave vlejnë miliona euro apo dollarë. Emri i tij jo pak herë është përmendur në media, akuza e madje edhe hetime të Prokurorisë në lidhje me afera të dyshimta korruptive, ku në lojë kanë qenë shuma marramendëse parash.
Ai është një ndër ministrat kryesorë të akuzuar për mega aferën e CEZ, ku sipas KLSH konkludoi se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm financiar prej 479 milionë eurosh nga marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim mes palëve e arritur nga qeveria dhe grupi çek CEZ, i cili ishte pronar i 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Përgjegjës i këtij dëmi ishte Damian Gjiknuri.
Duke qenë pjesë e të tilla skandaleve, sigurisht që Gjiknuri i ka siguruar vetes shuma të majme parash në mbylljen e pazareve dhe aferave.
Nëse i hedh një sy deklaratës së pasurisë së Gjiknurit për vitin 2016 sheh se si megjithë përpjekjet për të fshehur ku të munden pasuritë e vendosura sërish e kanë të pamundur t’i mbulojnë tërësisht ato. Në vetëm një vit, rezulton se ministri i rikonfiruar tashmë nga Rama në drejtimin e dikasterit të Energjisë dhe Industrisë ka bërë një investim jo pak të vogël në blerjen e një apartamenti të ri.
Sipas të dhënave në deklaratën e pasurisë së Gjiknurit, të publikuar nga portali Open Data rezulton se në 2016, Gjiknuri ka porositur një apartament të ri banimi prej 199.5 metrash katrorë, që për një buxhet të thjeshtë familjar shqiptar do të thotë mesatarisht hapësira e plot tre apartamenteve, në mos katër. Duke iu referuar të njëjtave të dhëna rezulton se, për këtë vlera e këtij apartamenti banimi është 271 mijë e 450 euro, nga të cilat ministri i Ramës ka paguar këstin e parë prej 100 mijë eurosh. Ndërkohë që nuk dihen veprimet e kryera gjatë këtij viti.
Por si ka ndryshuar pasuria e Gjiknurit ndër vitet, që ai ka qenë ministër? Në deklaratën e pasurisë për vitin 2015, ministri Damian Gjiknuri ka bërë të ditur se të ardhurat e tij nga paga si ministër kanë qenë 1 671 249 lekë, ndërsa të ardhurat e bashkëshortes, Rovena Gjiknuri nga paga dhe shpërblime të tjera si drejtuese departamenti në TV “Top Channel” janë 1 100 000 lekë.
Por sipas të dhënave të deklaruara në ILDKPKI, bashkëshortja e ministrit ka përfituar të ardhura bruto edhe nga aktiviteti privat studio projektimi, Fabrika me shumën e 1 939 654 lekëve, të ardhura nga kthim huaje e deklaruar edhe në vitet e mëparshme në vlerën 10 000 euro si dhe të ardhura nga shitja e një automjeti me vlerën e 15 000 eurove.
Ajo që bie në sy është fakti, që bashkëshortja e ministrit Gjiknuri ka blerë një makinë që kap vlerën e 44 mijë eurove, ndërsa ka pakësuar në llogarinë rrjedhëse nga paga në vlerën e 436 869 lekë.
Për vitin që kaloi, në 2014, Gjiknuri ka shlyer në vlerën 284 523 lekë një kredi për shtëpi e marrë në banka të nivelit të dytë me vlerë 5 milionë lekë, ku detyrimi i mbetur në datën 31 dhjetor është 1 615 000 lekë, gjithashtu është shlyer edhe një kredi në vlerën e 4 664 euro, kredi e marrë nga bashkëshortja për blerje makine, totali 30 000 euro.
Për vitin 2015 në familjen Gjiknuri është pakësuar një llogari rrjedhëse me 61 621 lekë, një tjetër llogari me 2 080 lekë, ndërsa janë shtuar një llogari me 87 200 lekë, shtuar një llogari tjetër me 10 053 lekë si dhe shtuar një llogari në valutë të biznesit me 9 702 lekë.
Pavarësisht këtyre të dhënave të cunguara, kuptohet që pasuria e Gjiknurit është shumë herë më e lartë nga ajo që ai përpiqet të servirë në deklarimin e tij, ku pjesën më të madhe të pasurisë së tij ashtu si Rama dhe ministrat e deputetët e tjerë socialistë e ka të fshehur.

Artikulli paraprakKryemadhi: Krimi dhe oligarkët, e vetmja mburojë e Ramës
Artikulli tjetërCila është rruga e daljes?