Si u vodhën 110 milionë lekë në Postën ku është drejtor vëllai i deputetit të PS

Zbulohen detaje të reja në lidhje me grabitjen e postës shqiptare të ndodhur mëngjesin e sotëm në Krujë.

Burime policore thanë se janë 110 milionë lekë që janë grabitur nga persona ende të paidentifikuar. Këto ishin paratë e pensioneve që kishin shkuar në postë.

Deri më tani është vënë në pranga vetëm roja i postës dhe shpallur në kërkim specialisti i sallës.

Roja i arrestuar është identifikuar si Besnik Parruca. Ndërkaq mësohet se drejtor i postës së Krujës është Xhelal Rraja, vëllai i deputetit të PS-së Rrahman Rraja.

Ngjarja

Në orët e para të ditës së sotme është vjedhur kasaforta e postës në Krujë. Lajmi është bërë i ditur nga policia. Burimet zyrtare thanë se kanë vënë në pranga rojen e postës me inicialet B. P., 51 vjeç, banues në Durrës (me detyrë roje private pranë postës së Krujës).

Sipas policisë, gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme është vjedhur me thyerje kasaforta e postës së Krujës, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar.

Roja private, shtetasi B. P., pas marrjes dijeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.

Gjithashtu është shpallur në kërkim për ‘Shpërdorim detyre’ dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasit S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.

Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale ‘Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim’.

rama rraja1538212026

Exit mobile version