I ekstraduar nga Kanadaja në vitin 2008, pasi ishte i dënuar për akuzën e vjedhjes me dhunë, Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve është zhdukur mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016.
Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë në herën e fundit i gjallë.
Mehemet Mehmeti rrëfen se ishin shokët e tij që e lajmëruan për zhdukjen e të vëllait.
“Vjet me 23 nëntor më lajmërojnë se është zhdukur vëllai, Më thanë shokët e vet se nuk po dukej gjëkundi. Dhe na thanë që është vrarë në Durrës. Më 25 shkova dhe denoncova në polici, jo një here, por kam bërë 2-3 herë denoncime në policinë e Vlorës”, rrëfen i vëllai.
Ajo që dihet për Leonardin është se mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016 është nisur nga Vlora në drejtim të Tiranës,
“Të zhdukesh nga Vlora deri në Tiranë… ku di unë. Hapëm kamerën që tek shtëpia, e kontrolluam… që në atë ditë s’kemi lënë vend pa kërkuar, prokuroria këtu hiç”, tha për Top Story i vëllai.
Gjatë pasdites së 22 nëntorit Mehmeti ka provuar të telefonojë disa herë vëllain e tij, por askush nuk përgjigjej.
“E kur ka folur ajo vajza, e dashura e tij ishte një punonjëse police, ka folur me mesazh zanor në orën 1 dhe më tha se ishte në punë. Në orën 8 të darkës e kam marrë unë në telefon, nga shtëpia ime, binte zilja por nuk e çonte telefonin. një shoku i vet tha e mora unë në orën 10 dhe ishte I fikur telefoni”, tha i vëllai.
Nga tabulatet e numrit telefonik rezulton që nga numri që posedonte Leonardi të ketë patur komunikimi deri më datën 27 nëntor, ku qeliza e antenave tregon vendndodhjen e fundit në Shijak.
Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn, punonjës policie dhe Xhino Dautajn, i proceduar dhe dënuar në vitin 2012 nga Gjykata e rrethit të Vlorës për vrasje me paramendim.
“Ai shoqërohej me Juxhin Dautin dhe Ervin Dalipajn. Këta merreshin me kultivimin e kanabisin. Takoi vëllanë e dytë Juxhinin dhe i tha që s’dimë gjë ku ndodhet. Por pas 6 muajsh u vranë dhe ata në Shijak. Këta merreshin me kultivimin e kanabisit që për të marrë mallin dhe lekët, mund t’i ketë ndodhur kjo”, tha i vëllai.