“Sieg” Bayern!

Pas thuajse një jave në krye të Bayern Munchen, Carlo Ançeloti ka përzgjedhur edhe fjalën që i pëlqen më tepër në gjuhën gjermane. “Sieg”. Fitore. E mësoi, e memorizoi dhe nuk ngurron ta përdorë. Ashtu si provon gjithmonë t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në gjuhën e tyre. “Edhe stërvitjen e drejtoj në gjermanisht. Të gjithë duhet ta mësojnë gjuhën e vendit ku punojnë, është çështje profesionalizmi. Megjithatë, ndonjëherë me Ribery komunikoj në italisht, ndërsa me Alonso e Bernat në spanjisht. Por, kur zemërohem, preferoj të shfryhem në gjuhën time. Nëse do të më dëgjojnë duke folur italisht, lojtarët do ta kuptojnë që kemi një problem”, u shpreh Ançeloti.
Më 11 korrik, ish-trajneri i Milanit, Juventusit, Realit dhe Chelsea, nisi zyrtarisht aventurën me kampionët e Gjermanisë. Kjo periudhë i dha kohën e mjaftueshme për të bërë bilancin paraprak të ekipit, por edhe rreth rivalëve të Borussia Dortmund. “Jam mjaft i kënaqur. Skuadra është e përqendruar, ndërsa jemi të mbuluar në të gjitha rolet. Përsa i takon Dortmundit, pavarësisht largimeve të Hummels, Gundogan e Mkhitaryan janë po aq të fortë sa sezonin e kaluar. Kanë një skuadër konkurruese me lojtarë të talentuar”, tha ai.
Ançeloti konfirmoi se Thomas Muller do të mbetet një prej elementëve më të rëndësishëm të Bayernit, pavarësisht Europianit zhgënjyes, ku nuk arriti të shënonte asnjë gol. Sipas trajnerit, sulmuesi duhet të pushojë, për të qenë vendimtar për bavarezët.
Ndërkohë, Mario Gotze rikthehet te skuadra ku u bë i njohur si futbollist. Pas 3 vitesh te Bayern Munich, 24-vjeçari do të jetë sërish pjesë e Borussias së Dortmundit. Gazeta gjermane “Bild” ka raportuar lajmin e bujshëm se është arritur akordi mes bavarezëve dhe verdhezinjëve për rikthimin e Gotzes te klubi nga “Signal Iduna Park”. Sipas “Bild” marrëveshja është arritur për shumën e 28 milionë eurove, ndërkohë që kampioni i botës me Gjermaninë në Brazil do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Borussian e Dortmundit. Mesfushori me tipare sulmuese prej kohësh dëshironte të ndërronte ambient, madje në muajt e kaluar u fol shumë për një kalim të mundshëm të tijin te Liverpooli, ku Gotze do të bashkohej me ish-trajnerin e tij, Jurgen Klopp.
Megjithatë me zyrtarizimin e Carlo Ançelotit si trajneri i ri i Bayernit ranë poshtë hipotezat për largimin e 24-vjeçarit, madje mediat e bënë fakt të kryer qëndrimin e tij te Bayerni edhe të paktën për një sezon. Por mesa duket asgjë nuk ka rezultuar e vërtetë dhe Mario Gotze sipas të gjitha gjasave do të jetë futbollisti më i ri i Borussias së Dortmundit. Te verdhezinjtë Gotze pritet të formojë një treshe të gjithën gjermane në repartin e avancuar me Marco Reus dhe Andre Schurlen, pasi edhe ky i fundit është shumë pranë kalimit në “Signal Iduna Park”.

Exit mobile version