Siguria bërthamore në dorën e Iranit

Administrata e presidentit Joe Biden ka sinjalizuar se Irani nuk duhet të presë lëshime të tjera të mëdha nga Shtetet e Bashkuara ndërsa mes dy vendeve pritet rifillimi i një raundi të ri bisedimesh jo të drejtpërdrejta bërthamore.

Të enjten një zyrtar i lartë i administratës u tha gazetarëve se Uashingtoni i ka bërë të ditura lëshimet të cilat është i përgatitur të bëjë, në mënyrë që t’i bashkohet marrëveshjes së rëndësishme bërthamore nga e cila ish-Presidenti Donald Trump u tërhoq në vitin 2018. Zyrtari tha se tashmë suksesi ose dështimi varet nga Irani i cili duhet të marrë vendimin politik për t’i pranuar ato dhe për t’iu kthyer zbatimit të marrëveshjes.

Zyrtari bisedoi me gazetarët gjatë një telekonference të organizuar nga Departamenti i Shtetit në prag të rinisjes së negociatave në Vjenë. Zyrtari foli në kushte anonimiteti duke dhënë hollësi rreth pozicionit të Shteteve të Bashkuara përpara raundit të katërt të bisedimeve të tërthorta që do të zhvillohen me dyer të mbyllura.

Komentet vijnë ndërsa gjatë një vizite në Ukrainë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu shqetësimin rreth qëndrimeve të pandryshuara të Iranit në bisedime.

“Ajo që ne nuk e dimë është nëse Irani është vërtet i përgatitur të marrë vendimet e nevojshme për t’u zbatuar plotësisht kushtet e marrëveshjes bërthamore”, tha zoti Blinken në një intervistë për rrjetin televiziv NBC News në Kiev. “Ata fatkeqësisht kanë vazhduar të ndërmarrin hapa drejt rinisjes së pjesëve të rrezikshme të programit të tyre, të cilat marrëveshja bërthamore i kishte ndaluar. Dhe nuk dihet nëse ata janë të gatshëm të bëjnë atë që është e nevojshme”.

Deri tani Irani nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të pranonte diçka më të vogël sesa heqja e plotë e të gjitha sanksioneve të vendosura nga administrata Trump dhe ka kundërshtuar sugjerimet se do të duhet të zhbëjë të gjithë hapat që ka ndërmarrë në shkelje të marrëveshjes. Javët e fundit zyrtarët iranianë kanë thënë se SHBA ka ofruar lehtësime të konsiderueshme nga sanksionet, por jo të mjaftueshme, dhe nuk e kanë bërë saktësisht të qartë se çfarë do të bënte Teherani në këmbim të heqjes së tyre.

Zyrtari i administratës amerikane tha se Uashingtoni është i gatshëm të zbatojë kushtet e qarta të marrëveshjes bërthamore, të negociuara nga administrata e Obamës, por vetëm nëse Irani do të bënte të njëjtën gjë. Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të pranojnë të bëjnë më shumë sesa kërkohet nga marrëveshja për ta kthyer Iranin tek plotësimi i kushteve të saj.

Zyrtari nuk pranoi të parashikonte nëse raundi i katërt do të shënonte përparim, por tha se ekzistojnë mundësitë që të arrihet shumë shpejt një marrëveshje e që kjo të ndodhë para zgjedhjeve presidenciale në Iran që mbahen në qershor, që disa besojnë se janë një faktor ndërlikues për bisedimet. Zyrtari tha se thelbi i asaj që të dyja palët duhet të bëjnë është i qartë. “Ne mendojmë se është e mundur”, tha zyrtari. “Nuk do të jetë e vështirë”, tha ai.

Exit mobile version