Siguria e punëtorëve në rrezik, 5 persona humbën jetën në punë në maj

Një tjetër punëtor ndërtimi në Tiranë humbi jetën në vendin e punës paraditen e kësaj të hëne.

Adrian Fejzullahi ishte paraqitur në punë si çdo ditë tjetër, por pa e ditur se nuk do të kthehej më në shtëpi.

Rreth orës 08:20 minuta në rrugën “Aleksandër Mojsiu” 53-vjeçari ra nga kati i 7 i pallatit teksa ishte duke ngjitur kovat me llaç.

Në këtë pallat nuk dihet nëse Inspektorati i Punës ka kryer ndonjëherë kontrolle për respektimin e kushteve të sigurisë, por lehtësisht është e dallueshme që mungojnë skelat dhe rrjeta mbrojtëse.

Disa persona janë shoqëruar në polici për incidentin e regjistruar në këtë fillim jave i cili ishte fatal për 53-vjeçarin.

Me humbjen tragjike të Adrian Fejzullahut, shënohet viktima e 5 ër këtë muaj si pasojë e aksidenteve në punë.

Më 9 maj në Shëngjin të Lezhës Emiliano Frroku humbi jetën pasi ra nga kati i 9 i pallatit teksa ishte duke montuar vinçin.

Dy ditë më pas, Preng Gjoni po punonte në një pallat në ndërtim në Kune të Lezhës teksa u godit për vdekje nga një dërrasë e cila u shkëput nga lartësia e godinës.

Më 21 Maj, vagonistin Armando Peshku e zuri poshtë një masiv shkëmbor në minierën e Theknës së Martaneshit, ndërsa kolegu i tij mbeti i plagosur.

Jurgen Veshi më 22 maj humbi jetën në guroren në Brataj të Selenicës pasi një masiv guri u shkëput nga mali dhe e zuri poshtë.

Exit mobile version