Siguria në Porto Romano, mes rrjedhjes së gazit dhe heshtjes institucionale

Nga Anila Prethi

Banorët në Porto Romano jetojnë çdo ditë nën hijen e frikës. Një fabrikë gazi, e zgjeruar pa distanca sigurie me shtëpitë, shkollën dhe ambulancën, i ka vendosur në rrezik të vazhdueshëm.

Dy incidente të së shkuarës janë dëshmi e asaj me të cilën ata përballen, ndërsa institucionet heshtin ose japin përgjigje që bien ndesh me faktet.

Tre vite nën frikë, asgjë ndryshe

Një shpërthim i fortë trazoi banorët e zonës së Porto Romanos mëngjesin e 18 qershorit 2022. Në fabrikën e “Alba Cosmetics” që prodhon dhe ambalazhon bombola gazi aty pranë kishte rënë zjarr. Të frikësuar, ata u shpërngulën përkohësisht derisa zjarrfikësit dhe policia siguruan se rreziku ishte tejkaluar.

Banorët nisën kërkesa për zhvendosjen e fabrikës. Ata organizuan protesta pasi zëri i tyre nuk u dëgjua. Ndërkohë, frika nga një shpërthim i madh u përsërit katër muaj më vonë.

Mesditën e 26 tetorit 2022 zona u rëndua nga aroma e gazit, e cila ishte çliruar nga dëmtimi i një cisterne të kompanisë. Në panik, shkolla 9-vjeçare “Met Hasa”, e cila ndodhet pranë fabrikës, pezulloi mësimin duke dërguar fëmijët në shtëpi.

Por dhe aty nuk kishte siguri. Familjarët u detyruan të shpërnguleshin sërish për disa orë derisa autoritetet siguruan gjendjen.

Rastet, e raportuara gjerësisht në lajmet qendrore të televizioneve kombëtare, e bënë të njohur zonën për publikun e gjerë në Shqipëri. Mirëpo ato nuk ishin “lajme” për banorët: thjesht dy ditë nga plot të tjera nën hijen e frikës.

“Nuk e dimë kur do të na ndodhë e keqja, por jemi të sigurt që është çështje kohe,” thotë një banor.

Madje dhe fëmijët, si Enea i ciklit fillor, përjetojnë ankth teksa kujtonë raste: “U dëgjua një fishkëllimë, pastaj pamë tym. Më digjnin sytë, u tremba shumë.”

Fabrika e gazit në Porto Romano nisi punën në vitin 2011 në zonën e ish-Ndërmarrjes Industriale Shtetërore (NISH) të Kimikes.

Fillimisht aty ushtroi aktivitet kompania “Gas Power Al” e themeluar nga Altin Mulla, por që në vitin 2012 i kaloi Alban Rushitit për 4 milionë lekë, ose rreth 28,500 euro (me kursin e këmbimit të asaj periudhe).

Rreth pesë vite më vonë, qeveria ia dha zonën me qira “1 euro” kompanisë “Alba Cosmetic” e themeluar nga Adi Mehmeti në vitin 2014 – asokohe 21 vjeç.

Pamje Google.

Dy nga tre anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të “Alba Cosmetic” ishin të njëjtët të kompanisë “Gas Power Al”: Muaharrem Çela dhe Idajet Çela.

Prej vitit 2018 “Gas Power Al” nuk ka zgjedhur administrator të ri, nuk ka përtërirë Këshillin Mbikëqyrës, nuk ka dorëzuar bilancet tregtare dhe rezulton me të paktën 30 mijë euro detyrime ndaj organeve tatimore.

Nuk është e qartë lidhja mes dy kompanive, por në website-in e “Gas Power” ato prezantohen si kompani të përbashkëta me të njëjtat kontakte, seli dhe produkte (linklink).

Pas incidentit të vitit 2022, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) zbuloi pesë shkelje të rënda ligjore dhe teknike në cisternat e kompanisë, nga mungesa e certifikatave të sigurisë, kalibrimit dhe transportit te mungesa e policës së sigurimit të detyrueshëm.

Por, çuditërisht, nuk u mor asnjë masë ndëshkuese. Madje, ISHTI në një përgjigje për Citizens.al deklaroi se “në 5 vitet e fundit nuk ka pasur konstatime për incidente”. Kjo bie ndesh me vetë faktet e raportuara më parë për të paktën dy ngjarjet e vitit 2022, duke ngritur dyshime serioze mbi eficiencën dhe transparencën institucionale.

Pamje Google.

Për Fatmir Tarajn, ekspert zjarrfikës, përveçse nga afërsia me zonën e banuar, rreziku kryesor nga fabrika mund të vijë prej mungesës së stafit të kualifikuar.

“Pajisjet për emergjenca mund të ekzistojnë, por pa njerëz të trajnuar ato janë thjesht dekor,” thekson ai.

Ligji thotë se kompania ka detyrimin të informojë komunitetin lokal dhe të zhvillojë dëgjesa dhe njoftime publike, por nga të dhënat e mbledhura nga Agjencia Rajonale e Mjedisit Durrës, rezulton se në pesë vitet e fundit nuk është bërë asnjë konsultim publik.

Ky fakt evidenton një shkelje të qartë ligjore dhe etike nga “Alba Cosmetic” për përgjegjësitë sociale kundrejt komunitetit që jeton në afërsi të aktivitetit të saj.

Ndërkohë, fabrika është zgjeruar duke përfituar tokë shtetërore dhe duke zhdukur distancën mbrojtëse që duhet të ndante zonën industriale nga shkolla, ambulanca dhe shtëpitë e banorëve përreth.

Punimet e kompanisë Alba Cosmetic për mbulimin e kanalit të ujërave të zeza/Foto Anila Prethi.

Në vitin 2018 kompania ndërhyri në kolektorin e ujërave të zeza duke e mbuluar atë në kufirin e pronës së saj dhe për rrjedhojë përfitoi mbi 1,000 m2 truall në të cilën më vonë shtriu depozitat e gazit.

Së fundmi kompania ka përfituar edhe rreth 2 hektarë truall në një zonë ku sipas Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, (link harta e AKPT) ishte parashikuar për shërbime dhe aktivitete social-kulturore, apo sportive dhe rekreative.

Zgjerimi nuk është shoqëruar asnjëherë me dëgjesa publike nga banorët, të cilët kanë kërkuar zhvendosjen e kompanisë, por që tashmë shohin avllitë e shtëpive të tyre si muret e fundit ndarëse me fabrikën.

Ashtu si mungesa e certifikatave të sigurisë, trajnimet e papërfillura, mosinformimi i banorëve apo heshtja e institucioneve, incidentet e vitit 2022 ishin pasojat më të dukshme të një sistemi që e trajton jetën e njerëzve si statistikë dhe mjedisin si pronë private.

Pamje Google, me zonë e shtuar së fundmi.

Kur kontrolli teknik ndodh vetëm pasi ndodhin ngjarjet e këqija, dhe kur autoritetet nuk reagojnë as përballë fakteve zyrtare, siguria bëhet iluzion, e drejta për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm shkelet, dhe përgjegjësia institucionale kalohet me heshtje.

Në Porto Romano, rrjedhja e gazit nuk është thjesht rrezik potencial – është frika e përditshme e banorëve, që kërkojnë jo vetëm përgjigje, por veprime konkrete dhe mbrojtje nga shteti që duhet t’u shërbejë.

Heshtja nuk është më opsion./citizens.al

Artikulli paraprakVotimet përfunduan. Tatimet i “tërheqin veshin” biznesit VIP: Paguani taksat urgjentisht
Artikulli tjetërQeveria legalizon spiunët: 2.5 milionë euro fond për ndjekje, përgjime dhe kallëzime të paguara