Siguria ushqimore në ditë të hallit: si pesticidet, Aflatoksina dhe Salmonela po helmojnë shqiptarët!

Një tjetër skandal ushqimor ka shpërthyer në vend. Pas mandarinave e luleshtrydheve me pesticide dhe mishit me Salmonelë, pasiguria ushqimore ka prekur dhe fëmijët.

Në një kopsht shtetëror në Gramsh, afro 70 fëmijë janë helmuar nga ushqimi që u është shërbyer dhe dyshimet e para janë për prezencë të Salmonelës. Bëhet fjalë për një bakter që ndodhet te mishi, kryesisht ai i pulës, vezët, por edhe te perimet dhe ushqime të tjera.

Akoma nuk dihet se si ka përfunduar në stomakun e fëmijëve, pasi autoritetet kanë tentuar të fshehin ngjarjen. Pritet që në vijim të zbulohet se çfarë kanë konsumuar fëmijët.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Është një tjetër tregues mbi sigurinë ushqimore në vend, ku askush nuk e di se çfarë ha dhe çfarë pi.

Në fund të muajit mars, u zbulua se rreth 8 tonë mish pule nga Brazili, me përmbajtje të lartë Salmonele, u tregtua në vendin tonë. Mishi arriti të hidhej në treg dhe u konsumua i gjithi. Autoritetet vepruan me shumë vonesë, ndërkohë që papërgjegjshmëria u tregua edhe nga kompania që solli mishin, duke shmangur detyrimet. Fatmirësisht, nuk pati persona me probleme, pasi me shumë mundësi mishi është gatuar mirë dhe bakteri është asgjësuar.

Po ashtu, muaj më parë një skandal shpërtheu te rrjeti “KFC”, pasi edhe mishi i pulës që ata konsumonin rezultoi me Salmonelë. Edhe në këtë rast nuk pati asnjë asgjësim dhe asnjë marrje përgjegjësie nga dikush, por ushqimi u konsumua.

Por ky nuk është rasti i vetëm. Para pak javësh doli që edhe qumështi që tregtohet në vend ka përmbajtje aflatoksine. Dy kompani të njohura (Lufra dhe Erzeni) rezultuan se tregtonin qumësht me përmbajtje të rrezikshme. Askush nuk u kujdes për asgjësimin e tij, por i gjithi u konsumua nga qytetarët.

Ky nuk është rasti i vetëm, pasi ka pasur edhe herë të tjera denoncime për aflatoksinë në qumësht, për të mos folur për përzierjen me qumësht pluhur. Vitin e kaluar Shqipëria importoi 1 mijë tonë qumësht pluhur nga jashtë. Ndërkohë, ka importuar mbi 3 mijë tonë vaj palme – një tjetër produkt që cenon sigurinë ushqimore nëse nuk përdoret si duhet.

Por, përveç Salmonelës dhe aflatoksinës, shqiptarët po hanë produkte me pesticide. Në shkurt, Kroacia ktheu mbrapsht rreth 10 tonë mandarina me pesticide. Po ashtu, u zbulua se dhe luleshtrydhet që vinin nga Greqia kishin përmbajtje të lartë pesticidesh. Për të mos folur për produktet e tjera, si shalqiri që shartohet me kungull apo domatet dhe kastravecët që denden me pesticide.

Pak kohë më parë, Ministria e Bujqësisë pranoi në media se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta e perime 7 pesticide të ndaluara si: “chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”. Bëhet fjalë për pesticide që Europa i ndalon, por në Shqipëri përdoren lirshëm. Dhe në fakt, të gjitha janë helme për organizmin e shqiptarëve.

Exit mobile version