Sigurimi i makinave, Konfindustria: Në dy vite tarifat u rritën me 300%

Konfindustria do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrë sa më shpejt nismën për rishikim të plotë të legjislacionit dhe mënyrës sesi është ndërtuar dhe funksionon tregu i sotëm oligopol i sigurimeve. Konfindustria, duke kritikuar AMF dhe Autoritetin e Konkurences kërkon që të shqyrtohet puna e tyre. Konfindustria vlerëson se rritja e njëkohshme e fundit nga të gjithë kompanitë e çmimeve për sigurimin e detyrueshëm të makinave, shpreh qartësisht gjendjen oligo-monopol të tregut të sigurimeve me pasoja të rënda për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare.
Gjendja bëhet edhe më shqetësuese kur vlerëson, se në periudhë më pak se 2 vitesh tarifat e sigurimit të detyrueshëm janë rritur në pothuaj 300% për mbi 500 mijë automjete të biznesit dhe qytetarëve, me taktikën e faktit të kryer. Konfindustria vlerëson, se në vendet demokratike të botës do të mjaftonte edhe një rast i vetëm i ngjashëm me Shqipërinë për t’u përcaktuar menjëherë si praktikë e dënueshme e tipit kartel dhe si rrjedhim marrë masat e nevojshme të ashpra penalizuese nga institucionet rregullatore të fushës.
Ndërkohë në Shqipëri për raste të qarta dhe të përsëritura oligopol nuk ka asnjë veprim nga institucionet përgjegjëse si AMF/Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare dhe Autoriteti i Konkurencs, duke dhënë shenja të qarta të paaftësisë së plotë dhe deri në fenomenin e korrupsionit të shkallës më të lartë të “state capture/kapjes së shtetit”. Konfindustria deklaron se do t’i kërkojë zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë, në varësi të të cilit janë institucionet e mësipërme, të ndërmarri sa më shpejt nismën për rishikim të plotë të legjislacionit dhe mënyrës sesi është ndërtuar dhe funksionon tregu i sotëm oligopol i sigurimeve, liberalizimin e tregut nëpërmjet kalimit nga sigurimi i “detyrueshëm” në “vullnetar” të automjeteve, hapjes së tregut për operatorë të rinj dhe shqyrtim të thelluar të punës së derisotme të AMF dhe Autoritetit të Konkurencës për mënyrën e zbatimit të përgjegjësive të tyre ligjore.
Sigurimi i makinave
Të sigurosh makinën tani të kushton rreth 25% më shtrenjtë. Pothuajse të gjitha kompanitë e sigurimit i kanë shtrenjtuar policat, që kanë arritur mesatarisht në 18.500 lekë. Ato e shpjegojnë rritjen me shtimin e primit të riskut nga aksidentet dhe taksat. Por Autoriteti i Konkurrencës e vë gishtin te Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, si institucioni që monitoron tregun e sigurimeve dhe kërkon prej tij të vendosë sistemin bonus-malus, ku çdo drejtues mjeti të paguajë sigurim në bazë të numrit të aksidenteve që ka bërë.
Të paguash policën e sigurimit të automjetit, tani kushton rreth 25% më shtrenjtë. Në pothuajse të gjitha agjencitë e sigurimit, çmimi ka arritur mesatarisht në 18.500 lekë. Por rritja është në varësi të tipit të automjetit dhe vitit të prodhimit. Të kontaktuar nga “Ora News”, burime nga shoqëritë e sigurimit shpjegojnë se kjo rritje çmimi bëhet për t’iu përshtatur situatës reale që paraqet tregu. Sipas tyre, çmimi aktual reflekton primin e riskut që është rritur për shkak të disa faktorëve, si shtimi i aksidenteve automobilistike apo edhe shpenzimet e kompanive për dëmet e krijuara që mbeten ende të pashlyera dhe që janë nën programin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Por çmimi i ri reflekton edhe rritjen e taksës së sigurimeve nga 3 në 10% që hyri në fuqi në janar të 2016-ës dhe që kompanitë e sigurimit nuk e reflektuan në 6-mujorin e parë të këtij viti.
Tregu i sigurimeve, rënie edhe në korrik
Tregu i sigurimeve shfaqi një rritje të dobët edhe gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, rritja e tregut për shtatëmujorin ishte vetëm 3%, rritja kjo e ngjashme me gjashtëmujorin. Madje, sipas statistikave, numri i kontratave të sigurimit është më i ulët krahasuar me një vit më parë, me rreth 3%. Vitin e kaluar, rritja e tregut të sigurimeve u mbështet nga sigurimet e detyrueshme motorike, kryesisht falë rritjes së çmimit të policave për këto sigurime. Këtë vit ky efekt është tejkaluar dhe nuk po shërben më si shtysë për rritjen e tregut të sigurimeve.
Primet nga sigurimi i brendshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta regjistruan një rritje modeste me 3%. Këtë javë, kompanitë e sigurimit vendosën sërish një rritje të bashkërenduar të çmimit për sigurimin e detyrueshëm të makinës. Në mungesë të një rritje të natyrshme, edhe këtë vit siguruesit duan ta mbështesin rritjen tek tarifat më të larta të sigurimit. Ecuri të dobët të vitit kanë shfaqur edhe kategoritë e sigurimit vullnetar, ku produkti me peshën kryesore, sigurimi ndaj zjarrit dhe forcave të tjera të natyrës ka rënë me 12% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndër sigurimet vullnetare, i vetmi produkt në rritje të qëndrueshme është sigurimi i shëndetit, që edhe për gjashtëmujorin e këtij viti u rrit me 34%. Ecuri të dobët po shfaq edhe tregu i sigurimit të jetës, ku të ardhurat nga primet janë në rënie me 5.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahun tjetër, dëmet kanë regjistruar një rritje vjetore me 37%. Raporti mes dëmeve dhe primeve u rrit në 30%, nga rreth 23% që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por duke ngelur në nivelet më të ulët në Europë për këtë tregues.

Exit mobile version