Pas shpalljeve të “Il Corriere della Sera”, numri një i Milanit, Yonghong Li, lajmërohet dhe largon dyshimet për fuqinë e tij financiare. Ai e ka bërë këtë nëpërmjet një deklarate zyrtare, e cila u shfaq në faqen e klubit të Milanit: “Në fund të dyzet e tetë orëve kam parë që janë raportuar nga mediat disa lajme të papërgjegjshme, që duan të dëmtojnë klubin, kompaninë time, familjen time dhe veten time. Që kur bleva Milanin, jam përballur me të gjitha llojet e vështirësive dhe kam duruar një presion të paparë. Si rezultat i këtyre thashethemeve dhe lajmeve të papërgjegjshme, kam kërkuar për të krijuar një atmosferë të qetë rreth ekipit dhe klubit. Të tilla lajme kanë ardhur deri në pikën e dëmtimit të rëndë të klubit, kompanisë dhe familjes sime. Prandaj, do të doja të përfitoj nga ky rast për të shpjeguar, që unë shpresoj se është hera e fundit, se situata në lidhje me të gjitha burimet e mia personale është plotësisht e shëndetshme. Klubi dhe kompanitë e mia po punojnë rregullisht. Unë shpresoj, pra, që të mos i jepet kredibilitet lajmit, sepse nuk është i vërtetë. Jam i fokusuar në atë që ka rëndësi më të madhe për mua dhe për të gjithë ju, domethënë në menaxhimin dhe rritjen e ekipit. Dua që ju të vazhdoni ta mbështetni trajnerin Gattuso. Ne do të bëjmë gjithçka të mundshme për ta rikthyer Milanin përsëri në krye. Këtë sezon kam shikuar çdo ndeshje të ekipit.
Në momentet më të këqija të sezonit kam parë shumë lojtarë të derdhin lot mbi humbjen e një loje, sikurse pashë Han Li dhe Fassone të gëzohen për lojërat e fituara. Kam provuar çdo lloj ndjenje dhe emocioni. Besimi për të arritur suksese të reja në të ardhmen dhe t’u japim kënaqësi të gjithë tifozëve që Milani ka në botë, do të thotë se duhet të jemi të duruar para një presioni kaq të madh. Në sajë të përpjekjeve të të gjithëve, ekipi është duke përjetuar një kohë të madhe. Falënderoj për përpjekjet trajnerin Gattuso dhe të gjithë lojtarët. Ekipi është përmirësuar në të gjitha aspektet, në sajë të të gjithëve”.