Sikur Berisha dhe foltorja të ishin konservatorë

FITIM ZEKTHI

Që në ditët e para kur z. Berisha nisi lëvizjen “Foltorja”, ai u përpoq ta cilësojë veten dhe lëvizjen si një lëvizje konservatore që synonte të mbronte vlerat më të mira të së djathtës dhe nëpërmjet tyre të rikthente sipas tij lirinë dhe dinjitetin njerëzor në PD, duke e bërë atë “më të hapur, më demokratike dhe më të fortë”.

Pa hyrë në qëllimet e z. Berisha dhe të lëvizjes së tij, pa hyrë në arsyet sepse për këtë identitet të ri politik po flitej tashmë dhe jo në rreth 30 vite pluralizëm, po përpiqemi të shohim dy shembuj politikanësh, sjelljesh dhe identitetesh thelbësisht konservatore për të treguar se si do të ishte “Foltorja” dhe sjellja e z. Berisha nëse do të kishim të bënim vërtet me një lëvizje konservatore.
ENZO ATTINIReklamë nga boost.al
Tek Sheshi Wilson në Tiranë do të gjeni gamën e gjerë të aksesorëve luksozë Enzo Attini.

Shembulli i parë është ai i senatorit Bod Dole, i cili ndërroi jetë në 5 dhjetor të vitit që shkoi. Po e marrim këtë shembull edhe për faktin që Dole e ushtroi politikën deri në kohët e sotme (pra, është bashkëkohor), por edhe për faktin se në datën 5 dhjetor kur ndërroi jetë senatori Dole, Berisha gjatë foltores së Bilishtit tha se, “mori lajmin e hidhur që një politikan i madh i madh i lirisë, një mbrojtës dhe mik i madh i kombit shqiptar, senatori dhe kandidati për president, Bob Dole, kish ndërruar jetë”. Berisha foli me respekt të madh për vlerat e larta dhe rolin e madh të republikanit Dole në çështjen e Kosovës dhe kërkoi që të mbahej 1 minutë heshtje.

Dole ka qenë në të vërtetë një senator i madh, një mik i madh i shqiptarëve dhe një konservator në plot kuptimin e fjalës. Ai mbetet një frymëzim për konservatorët e vërtetë kudo.

Dole, kur ishte student në shtetin e tij Kansas në 1945, u thirr në shërbim ushtarak pasi ishte Lufta e Dytë Botërore. Atë e çuan në Divizionin e 10-të Malor duke qenë se ishte atlet. Tërë batalioni përbëhej nga djem, studentë amerikanë që ishin dhe sportistë, sidomos skiatorë dhe alpinistë. Dole u fut në një kompani që kishte për detyrë të gjurmonte dhe asgjësonte nazistët që kishin ikur dhe fshiheshin në male. Skuadra e tij një ditë mori detyrën të asgjësonte një çerdhe të tillë nazistësh. Dole duhet të rrinte nga fundi, por ai i theu urdhrat dhe doli në krye. Në betejë ai u plagos rëndë. U deshën 9 orë vetëm për ta evakuuar. Një gazetar amerikan shkroi se “shkoi si atlet dhe u kthye si mobilie, si arkë”. Dole ishte gati i paralizuar nga qafa e poshtë. Nuk hante, nuk ecte dhe nuk shkonte dot në tualet vetë. Pas mjekimit disamujor dhe vullnetit ekstrem arriti të ecë me karrige me rrota. Mjekimet me shpenzimet e shtetit nuk mjaftonin. Miqtë vendosën një kuti te dera e zyrës së veteranëve të ushtrisë dhe mblodhën 1800 dollarë për Dole që të mjekohej. Shkurt, ai arriti të ecë vetë, të shërohet gati plotësisht.

Gjatë vitit 1975, kur ai po hynte në garë si kandidati për zv.president i thirrur me Presidentin Ford, modestia ishte kaq e lartë sa këto gjëra mbi jetën dhe heroizmin e tij nuk i dinte as gruaja Elisabet. Ajo një pjesë i mësoi nga shtypi. Kur garoi për zv.president, si çdo kandidat për zv.president, ai kishte detyrën (që e kanë të gjithë zv.presidentët) që të shërbente si “qen sulmi” ndaj kundërshtarit. Dole kishte një fisnikëri të rrallë, ai mishëronte etikën konservatore në çdo drejtim. Sulmi i vetëm që bëri Dole dhe për të cilin kërkoi ndjesë më vonë ishte se i tha kandidatit kundërshtar për zv.president, Mondale, se në “luftërat demokrate kishin vdekur 1,6 milionë ushtarë”. Mondale iu përgjigj se “ne nuk e dimë që lufta kundër nazistëve paska qenë një luftë demokrate dhe jo e të gjithëve ne”.

Pas garës së 1976 Dole garoi në vitin 1980 për president brenda partisë republikane. Ajo garë mbahet mend për dy gjëra, thotë Carl Cannon, që ka shkruar gjatë për Dole. Njëra është se Bob Dole dha dorëheqjen si senator dhe për pasojë si lider i senatit (ishte zgjedhur nga republikanët lider i senatit) dhe ky është rasti i parë në historinë e SHBA-së. Dole tha se “do të qëndroj para jush pa zyrë, pa mandat, pa pushtet, do të qëndroj si qytetar, do të qëndroj si Kansaan”. Ai tha “do të qëndroj thjesht një njeri”.

Dhe e dyta është se Dole kur lufta politike mes kandidatëve u bë acide briti dhe iu drejtua George H Bush-it: “Mjaft gënjeve për mua”. Dole nuk kishte gënjyer dhe as shpifur kurrë për ndonjë njeri. Ai nuk mbahet mend as të ketë sulmuar kurrë njeri personalisht. Reagimi i tij i ashpër ndaj Bush ishte prej sedrës konservatore, thotë Cannon.

Dole ishte njeri që nuk kishte inate dhe nuk mbante zemërata. Cannon thotë se pas vitit 1980 ai punoi ngushtë me senatorë të të dyja palëve, me George MC Govern, me Ed Kennedy me Tom Harkin që të bënte ligje që të ishin kohëgjatë dhe të mos ishin fryt i pasionit apo interesit politik të ditës. Dole përkrahu fort kandidatin Trump në vitin 2016. Ai e përkrahu atë edhe në vitet e presidencës, edhe kur shumë republikanë nuk e përkrahën, por 6 javë pas zgjedhjeve të vitit 2020 kur u ezaurua çdo mundësi ligjore dhe kur rezultati u qartësua Dole tha në Kansas City Star se “kjo është një pilulë e hidhur shumë për Trump dhe ne, por duhet ta gëlltisim. Ai humbi”

Nuk ka ndonjë lidhje sjellja e foltores apo e z Berisha me atë të senatorit Dole. Nuk duket se “Foltorja” rrezikon veten për hir të shokëve të ekipit si Dole në ushtri, nuk duket se “Foltorja” ka modestinë të mos lëvdohet, nuk duket se ka vetinë të mos ketë inat dhe zemërim, nuk duket se foltorja nuk sulmon dhe shan, nuk duket se foltorja heq dorë nga mandatet dhe pushteti për të dalë para njerëzve siç doli Dole. Foltorja është krejt e kundërta në çdo aspekt. Foltorja parë nga ky kënd, është thjesht antikonservatore ose më saktë është ekstremisht majtiste në sjellje.

Le të shohim një shembull nga më të vjetrit, një shembull nga një kohë lufte politike ekstreme nga një kohë ndarjeje shumë më e egër sesa kjo sot në PD. Dhe bëhet fjalë për gjëra shumë të mëdha dhe për pushtete shumë më të mëdha sesa kush do të “drejtojë PD”.

Konflikti politik mes John Adams-it dhe Thomas Jefferson-it ka qenë shumë i ashpër dhe mjaft i dhimbshëm. Ata garuan përballë njëri-tjetrit për president në vitin 1800, zhvilluan një garë aq acidike sa studiuesit thonë nuk ka ndodhur më. Adams, një konservator i madh, Jefferson në atë kohë llogaritej shumë më pak konservator (ose shihej si liberal), por parë nga sot edhe ai ishte një konservator.

Ata ishin takuar në 1775 në Filadelfia në Kongresin Kontinental. Ata, ndonëse shumë të ndryshëm si tipologji, u bënë miq shumë të ngushtë. Adams ishte më reagues, më emocional, i thellë në mendim, i fuqishëm në argument, ndërsa Jefferson ishte më i ftohtë, më analitik, më dëgjues thotë Gordon Wood. Ata krijuan miqësi të thellë familjare. Abigail Adams thoshte se Adams nuk vlerësonte njeri më shumë sesa Jefferson, ndërsa Webster thoshte se Jefferson e mendonte Adams njeriun me zemër dhe mendje të rrallë.

Ata, pas pavarësisë, shkuan të përfaqësojnë SHBA. Adams në Londër, Jefferson në Paris. Ishte koha e revolucionit francez. Këtu u ndanë keq. Adams mendonte se revolucioni francez ishte perversion i asaj qe ndodhi në SHBA më 1776 (revolucioni amerikan, Deklarata e pavarësisë), ndërsa Jefferson se ai ishte vazhdim i saj. Adams thoshte se ai do të prodhonte gjak dhe anarki, ndërsa Jefferson shpresonte se ai do të sillte një botë tjetër që ishte në sinkron me idealet amerikane.

Ata i dërguan letra shumë të ashpra njëritjetrit. Pasi Jefferson u bë President në 1800, pas një gare të egër mes tyre, miqësia u bë qartësisht armiqësi. Ata thjesht nuk takoheshin dh as nuk flisnin më. Kurrë nuk shanë apo sulmuan njëri-tjetrin, megjithë “urrejtjen”.

Kur Jefferson mbaroi mandatin e dytë në 1809, Adams pyeti Benjamin Rush, një mik i të dyve, nëse ai kishte parë ndonjë ëndërr me Jefferson-in. Ai i tha se kishte parë në ëndërr ringjalljen e miqësisë së tij me Jefferson. Në ëndërr, Adams i shkruante Jefferson një letër urimi për mbarimin e mandatit.

Rush, për t’i zbutur gjërat, i shkruan Jefferson: “Ti e ke dashur Adams-in, nga të gjithë të zezat e politikës, asgjë nuk qe më e keqe sesa shkatërrimi i miqësisë suaj”. Tre vite më pas, Adams dhe Jefferson nisën t’i shkruajnë njëri-tjetrit. Ata jetonin larg, ishin kthyer në shtëpitë e tyre, njëri në Masachusets dhe tjetri në Virginia. Për 14 vite shkëmbyen 158 letra. Në njërën Adams i shkruan “ne të dy nuk duhet të vdesim pa ia shpjeguar veten njëri-tjetrit”. Ata i shkruanin njëri-tjetrit, por e dinin se shkruanin edhe për historinë, se ato do të shërbenin një ditë si memorie për vendin, se brezat duhet të mësonin dhe mbanin mend prej tyre fisnikërinë dhe burrërinë, sakrificën, nderin, vetëpërmbajtjen. Ata vazhduan kështu deri në verën e 1826-ës, në 50-vjetorin e pavarësisë.

Ata ishin në fund të jetës së tyre. Historiani Wood thotë se Jefferson u zgjua në orën 03:00 të datës 4 korrik dhe pyeti nëse erdhi 4 korriku (Dita e Pavarësisë). Doktori i tha do të vijë shpejt. Në mëngjes u zgjua, thirri shërbyesit dhe pasdite vdiq.

Në të njëjtën kohë, 700 kilometra larg, në Masachusets, Adams ishte në shtratin e vdekjes. Nipi i Abigail-it (që ishte kryetar i Gjykatës së Apelit) thotë se Adams u zgjua në 4 korrik nga kambanat dhe topat që lajmëronin Ditën e Pavarësisë. Kur e pyetën nëse e dinte se çfarë dite ishte, ai tha se ishte “dita e lavdishme e 4 Korrikut- Zoti e bekoftë atë, Zoti ju bekoftë ju”. Atë ditë pasdite rreth orës 18:00 u zgjua sërish dhe tha “Jefferson jeton”. Më pas ndërroi jetë.

Studiuesit thonë se ata ishin njerëz që e restauruan miqësinë për hir të historisë dhe të kombit. Ishte ajo përgjegjësi që i ribëri miq për 26 vite sërish pa e takuar më kurrë njëritjetrin. Pra, kjo përgjegjësi e thellë, kjo etikë e lartë vetëpërmbajtjeje, kjo tërheqje e madhe është thelbi i virtytit konservator. Sigurisht që bëhet fjalë për njerëz nga më të mëdhenjtë e historisë politike moderne, ndonëse të tillë kanë qenë Lincoln-i, Reagan-i, Eisenhoweri, Madison, Goldwater etj.

Sigurisht që foltorja nuk ka të bëjë fare as me vlerat që i bënë miq Adams-in dhe Jefferson-in dhe as me arsyet që i bën armiq. Ata u bënë armiq për ndarje të thella idesh dhe jo për kush merr këtë post, ata u bashkuan nga vlerësime të thella për mendimin dhe eolin e secilit në pavarësinë e SHBA-së dhe jo për ndonjë interes pushteti. Foltorja është një lëvizje e majtizmit ekstrem e udhëhequr nga inati dhe dëshira për pushtet, por duke qenë se ajo pretendon të jetë konservatore, e vumë përballë këtyre shembujve. Shembuj të tillë është tmerrësisht të ndiqen sepse duhet forcë dhe fisnikëri e madhe, por përpjekja duhet të jetë vetëm në këtë drejtim.

Artikulli paraprakKreu PDK-së, Memli Krasniqi: Suksese PD-së në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit. Bashkëpunimin e kemi të padisktueshëm e prioritet të prioriteteve
Artikulli tjetërTabaku: Nga një projekt pa fonde, si Ahmetaj dhe Veliaj ngritën kostot e inceneratorëve nga 90 milionë euro në 430 milionë euro.Erion Veliaj aktor kryesor në aferën e inceneratorëve