Bledi KASMI
Prokuroria nuk ka qenë një histori suksesi në këtë vend, por arrestimi dhe mënyra se si Kryeprokurori ka vepruar në arrestimin e një kryekrimineli si Shullazi është një dritë në tunelin e drejtësisë.
Tre ditë më parë nuk është arrestuar një kriminel i rëndomtë nga ata që kryejnë një vepër penale dhe i fshihen drejtësisë. Tre ditë më parë është arrestuar ushtari i krimeve të kreut të qeverisë që ka pasur përgjatë gjithë kësaj kohe koperturën e Ministrisë së Brendshme në aktivitetin e tij dhe kjo nuk është pak.
Është arrestuar nga operacioni i Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ një kryekriminel që takohej me kryeministrin, që përdorte si shofer ministrin e Brendshëm dhe më pas kërcënonte kryetarin e opozitës, ushtronte terror në zgjedhje dhe vinte gjoba masive ndaj bizneseve nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e plotë të ministrit të Krimit në këtë vend.
Për ta ilustruar më qartë se çfarë përfaqësonte Shullazi për këtë pushtet mjaftojnë dy shembuj për ta bërë më të qartë për opinionin.
Pas atentatit ndaj Shullazit në mbikalimin e Kasharit u transmetua nga mediat se ai ishte shoqëruar me makinë të blinduar të policisë në lëvizjet e tij. Shoferi i Shullazit-ministër ishte i preokupuar për jetën e tij. Por kjo nuk ishte fundi.
Një ditë pas atij atentati, ministri-shofer i Shullazit ushtroi një terror ndaj disa bizneseve në aksin e autostradës Tiranë-Durrës në kërkim të atentatorëve të Shullazit. Po pse një operacion i tillë ndaj këtyre bizneseve? Arsyeja ishte e thjeshtë, sepse pronarëve të këtyre bizneseve Shullazi i kishte vënë gjoba dhe tani ministri që ishte në dijeni të plotë të gjobave të Shullazit po kërkonte se kush nga biznesmenët mund të kishte porositur atentatin.
Është e qartë që varësia e ministrit të Krimit ndaj një banditi të tillë. Sërish edhe kjo nuk është fundi përballë shqetësimit të një biznesmeni shumë të njohur, i cili trokiti i shqetësuar tek dera e kreut të qeverisë për t’i shprehur hallin se Shullazi i kishte vënë gjobë. Dhe ndërsa biznesmeni priste që kreu i qeverisë të reagonte me habi apo i shqetësuar për hallin e tij, ai iu përgjigj ftohtë: “Nuk e di se çfarë ka këto kohët e fundit se nuk është mirë”.
Këto janë vetëm dy shembuj, ndërsa rastet janë të shumta dhe historitë janë kthyer në legjenda të këtij krimineli që i ka pengje të tij kreun e qeverisë dhe ministrin e Krimit. Kjo ka qenë arsyeja se përse Prokuroria dhe SHIK i kanë zhvilluar hetimet mes tyre, duke përjashtuar titullarët e Ministrisë së Brendshme.
Por, nëse Prokuroria dhe SHIK janë për t’u përshëndetur në këtë operacion për arrestimin e kryekriminelit të pushtetit, pyetja që shtrohet sot dhe jo vetëm për shqiptarët, po edhe për partnerët që tashmë e kanë mjaft të qartë panoramën e krimit në këtë vend, është se çfarë mund të bënte një i çmendur në krye të qeverisë sikur t’i liheshin edhe çelësat e Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ?
Rasti Shullazi provon qartë se Shqipëria do të legjitimohej si një diktaturë krimi. Kjo është edhe arsyeja se përse Rama që në ditët e para kur u ul në krye të qeverisë aksioni i parë politik ishte ai për uzurpimin e Shërbimit Informativ, sepse edhe atje i duhej një shofer tjetër i Shullazit si në rastin e Ministrisë së Brendshme.
Kjo është arsyeja që tani përmes Reformës në Drejtësi kërkoi që të ndërpritet mandati i Kryeprokurorit Llalla, sepse i duhet një kryeprokuror që të mos ia prekë kryekriminelët, të cilët i sigurojnë pushtetin përmes terrorit në votime dhe blerjes së votave jo vetëm në zgjedhje parlamentare dhe ato lokale, por edhe në zgjedhjet në universitete.
Kjo është arsyeja se përse ky njeri kërkoi që edhe Byroja e Hetimit të ishte një institucion në varësi të shoferit të Shullazit që drejton aktualisht ministrinë e Krimit, sepse vetëm përmes një kontrolli të plotë të institucioneve ligjzbatuese dhe nënshtrimit të drejtësisë, Rama mund të përjetësojë pushtetin e tij kriminal.
Arrestimi i Shullazit duket se e ka trembur jo pak Ramën. Skema është prishur dhe tani ai nuk është më njeriu që luan kartat.
Zarat janë hedhur diku tjetër dhe lojën e tij e luajnë të tjerë aktorë. Ajo çfarë duhet kuptuar është se Ramës po i priten këmbët si fillim, pra krimi. Kjo ngjan si një torturë, sepse pa këmbë vërtet mund të vegjetosh deri në momentin e fundit kur është pjesa më e dhimbshme, prerja e kokës së pushtetit.
Kjo është lufta që kërkoi Rama. Ai luajti me armët e krimit mbi ligjin, tani është radha të luhet me armët e ligjit kundër krimit.