Silvinjo “gozhdoi” Muçin në stol, Solskjaer i jep fanellë titullari ndaj Gallatasarajt. Sulmuesi shqiptar mund të barazojë ikonën Mario Gomez

Ernest Muçi ishte spektator pa pagesë në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares shqiptare, pasi si në ndeshjen ndaj Anglisë, ashtu edhe në atë ndaj Andorrës, trajneri Silvinjo e la gjatë gjithë kohës në stol futbollistin.

Fjalët e trajnerit për të pas sfidës me Andorrën kur theksoi se të gjithë duhej të jepnin maksimumin për të fituar vendin në formacion, nuk lanë një shije të mirë, duke llogaritur se Muçi vlerësohet si një futbollist i cili premton të jetë protagonist me Shqipërinë për shumë vite. Por nëse Silvinjo nuk e sheh Muçin të gatshëm për një vend në rreshtimin e tij, ndryshe është situata me Ole Gunar Solskjaer te Beshiktashi.

Mediat turke raportojnë se ai është gati t’i besojë Muçit një fanellë titullari në derbin kundër Gallatasarajt që zhvillohet këtë të shtunë. Një vendim i rëndësishëm, që përkon me lajmet që janë përhapur në media se Solskjaer dëshiron të marrë maksimumin nga Muçi dhe kohët e fundit ka zhvilluar edhe biseda personale me të për ta ndihmuar që të rifitojë besimin.

Për Muçin kjo ndeshje mund të jetë e veçantë nëse ia del që të gjejë rrugën e rrjetës ndaj Gallatasarajt. Sulmuesi shqiptar shënoi në ndeshjen e fazës së parë dhe nëse e bën edhe në të dytën, atëherë do të bëhej lojtari i parë që nga sezoni 2015-2016 kur ia doli për herë të fundit gjermani Mario Gomez, që të shënojë në të dy ndeshjet derbi me Gallatasarajn.

Artikulli paraprakA mund të ndihmojë tërshëra në humbjen e peshës?
Artikulli tjetërPresidenca e Kosovës kundërshton propozimin për shtrenjtim e energjisë elektrike