Botafogo humbi dje ndeshjen e radhës kundër Flamengos dhe ky nuk është shqetësim për Kombëtaren shqiptare, por shqetësim është që pas kësaj humbjeje, klubi i Botafogos po kërkon një trajner të ri për të drejtuar skuadrën në këtë sezon dhe këtu gjithçka lidhet me Silvinjon, trajnerin e ekipit tonë kombëtar.
Pavarësisht se kontrata e tij është deri ne fund të këtij viti, Silvinjo nuk është “lënë rehat” nga vendi i tij. Sipas “RTI Esporte”, raportohet se Botafogo, pas bisedave me Mançinin dhe Titen, është interesuar edhe për Silvinjon. Siç bëhet e ditur nga Brazili, presidenti amerikan i klubit Xhon Tekstor ka folur në një videokonferencë me Silvinjon ditën e martë në lidhje me një kalim të mundshëm në Brazil.
“Megjithatë, edhe pse janë disa kandidatë, Silvinjo ka profilin e dëshiruar nga presidenti i Botafogos: kokëfortë, studioz dhe një menaxher i mirë grupi. Për më tepër, trajneri është i orientuar drejt detajeve, i rreptë në fushë dhe adhurues i futbollit të bukur”, shkruan e njëjta media.
SITUATA- Gazeta u interesua pranë zyrës së shtypit në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të kuptuar më shumë rreth situatës së trajnerit. Përpos bashkëpunimit të saj, Silvinjo ka hezituar të përgjigjet deri në këto momente dhe biseda e tij në video me presidentin e Botafogos, (sipas medias braziliane), mbetet sekret. Nuk dihet nëse trajneri që është në kontratë deri në fund të këtij viti me Kombëtaren shqiptare, i ka mbyllur dyert klubit brazilian apo po merr kohën e duhur për të menduar edhe një largim të mundshëm pa filluar fushata kualifikuese e Botërorit. Të paktën deri tani, Silvinjo nuk ka sqaruar asgjë.