Simeone: E ku më mirë se te Atletico?

“E ardhmja ime? E përsëris gjithmonë, e ku më mirë se te Atletico Madrid?! Kështu deklaroi trajneri argjentinas, Diego Simeone gjatë një prononcimi për shtypin spanjoll. Në këtë mënyrë El Cholo, hedh poshtë hipotezat e një rikthimi të tij të mundshëm në Itali. “Kritikat të bëjnë gjithnjë më të mirë. E dimë se çfarë na pret dhe që ky fillim sezoni mund të konsiderohet si ngadaltë për ne, por njerëzit harrojnë faktin se nga 7 takimet në kampionat kemi luajtur vetëm dy në shtëpi”, u shpreh Simeone.
Në fakt, Atletico renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit pas 7 ndeshjeve të para, ku kanë marrë katër fitore e tre barazime. Gjithsesi, grupit të Los Colchoneros nga janari do t’i shtohet edhe Diego Costa, për të cilin Simeone shprehet: “Vitin e shkuar pas një bisede me Gameiron i komunikova se Diego Costa ishte zjedhja e parë për mua. Nga lojtarët që kam pasur, Diego është ai që më ka impresionuar më shumë, dhe nëse nuk do të kishte qenë edhe dëshira e tij për të ardhur tek ne, nuk do t’ia kishim dalë dot të arrinim transferimin. Nuk është e vështirë të jesh numri 9 i kësaj skuadre. Të gjithë ata që kanë mbajtur veshur fanellën me këtë numër në shpinë kanë shënuar, kujtoj Falcaon, Costan apo Mandzukiç”.
Simeone gjithashtu ka një konsideratë shumë të lartë për Mesin, Barcelonën dhe Realin e Madridit, skuadra me të cilat ka rivalizuar fort përgjatë këtyre viteve të fundit. “Me Mesin në strukturë Barcelona do të jetë gjithmonë një skuadër e veçantë, e rrezikshme dhe do të ketë gjithmonë një as më shumë se të tjerët në dorë. Ndërsa, Reali i Madridit është skuadra më e mirë në Botë, ka një formacion të shkëlqyer”, tha ai.
Lidhur me një afrim të mundshëm të tij në stolin e Kombëtares së Argjentinës, Simeone shtoi: “Nuk jam ende në fazën që të mbyllem në shtëpi e të përgatis për katër muaj me radhë një ndeshje. Kam nevojë të jem përditë i angazhuar dhe mendoj se duhet ende të përmirësohem. Në fund të fundit, jam vetëm 47 vjeç!

Artikulli paraprakItalisë i shtohen hallet
Artikulli tjetërCavani: Neymar? Gjëra që ndodhin!