Ëndrra e tifozëve të Interit është të shohin një ditë Diego Simeonen në stolin e skuadrës zikaltër. Në fakt edhe vetë tekniku argjentinas e dëshiron diçka të tillë, por për momentin ai nuk ka ndërmend të largohet nga Atletico e Madridit. Në një intervistë për mediat italiane, El Cholo deklaroi se në të ardhmen do të ulet në bankinën e Interit, pasi zikaltërit vazhdojnë të mbeten në zemrën e tij pas përvojës që pati në Milano si futbollist. 45-vjeçari nga Buenos Airesi ndodhet prej 5 vitesh në drejtimin e Los Colchoneros dhe gjatë kësaj periudhe, Diego Simeone falë grintës që e karakterizon ka arritur ta shndërrojë Atleticon në një skuadër të frikshme edhe për dy gjigantët e futbollit spanjoll siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona.
Falë punës së tij me formacionin bardhekuq, El Cholo tashmë konsiderohet si nga nga trajnerët më të mirë në botë dhe me të drejtë drejtuesit e Interit shikojnë te argjentinasi njeriun ideal për stolin. Gjasat janë që Simeone të qëndrojë deri më 2017-tën te Atletico për të marrë më pas drejtimin e 18 herë kampionëve të Italisë, edhe pse në shtëpinë e Los Colchoneros as që e mendojnë diçka të tillë. Drejtori sportiv i klubit bardhekuq, Jose Luis Perez Caminero në një intervistë u shpreh se zërat që kanë dalë në media për një largim të mundshëm të Simeones janë thjesht thashetheme. “Nuk e mendojmë lamtumirën e argjentinasit, pasi jemi të bindur që ai nuk ka ndërmend të largohet nga Altetico as në të ardhmen”, shtoi në përfundim Caminero.