Nga Yzedin Hima
Namir Lapardhaja
Më 09.02.2019, u nda nga jeta në moshë ende të re, 69 vjeç, publicisti i njohur Simon Vrusho.
Simon Vrusho u lind në Velçan të krahinës së Shpiragut të Bashkisë së Beratit më 1950.
Kreu me rezultate të larta studimet për gjuhë shqipe e letërsi në Universitetin e Shkodrës. Punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë në mjaft shkolla të Beratit, duke krijuar ndër vite modelin e shkëlqyer të mësuesit, i admiruar nga nxënësit, kolegët e tij dhe komuniteti për pasionin, nivelin e lartë të mësimdhënies dhe ndjeshmërinë njerëzore.
Krahas punës së mësuesit, krijoi një profil mjaft të qartë si publicist në gazetat lokale dhe ato kombëtare.
Shkrimet e tij kanë mbetur në mendjen e lexuesve për formën e përkryer, gjuhën e pasur, humanizmin.
Simon Vrusho është themelues i gazetës “Ideja kombëtare”, në vitin 1991, bashkëthemelues i Gazetës “Mesazh”, po në këtë vit.
Ai u shqua si polemist i mprehtë, studiues skrupuloz, intelektual i rrallë, që kurrë nuk bëri kompromis me të keqen, pavarësish se nga vinte apo shfaqej ajo.
Simon Vrusho ka punuar në segmente kohorë edhe në administratë, si sekretar i bashkisë së Beratit, përgjegjës i sektorit të inspektimit në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Beratit, specialist në Prefekturën e Beratit, ku doli në pension.
Modeli i tij si zyrtar i shtetit është tejet i rrallë për nga aftësia, korrektësia, përpikmëria, ndershmëria, fisnikëria, respekti për qytetarin e thjeshtë dhe shërbimi cilësor ndaj tij.
Simon Vrusho ka botur disa cikle me poezi në gazetat dhe revistat letrare lokale dhe ato kombëtare.
Gjithashtu, ka botuar vëllimin poetik “Udhëve të Mangalemit”. Novela e tij “Princi i gjullurdisë”, e nënshkruar me pseudonimin Endri Vajella, është në fondin më të mirë të prozës shqipe të viteve 90–të. Ai shkroi tekstin e guidës së Beratit, një tekst me vlera njohëse dhe përjetuese për këtë qytet.
Studimi “Hebrenjtë e Beratit”, shkruar me mjeshtëri nga Simon Vrusho, i botuar dhe ribotuar, është një vepër që nderon qytetin e Beratit dhe më gjerë për mesazhin humanist që i përcjell botës, falë gjuhës së bukur, fakteve, dokumenteve, dëshmive të sjella nga autori.
Ai promovoi me sukses edhe triptikun “Rrëfej, rrëfenja, rrëfime”, me personazhe realë nga shtresa më e harruar e banorëve të thjeshtë të Beratit, aty ku kamera e tv-ve shkon rrallë ose kurrë.
Në këtë libër Simoni fokusoi vlerat e vërteta njerëzore e qytetare, të harruara apo lënë në harresë nga shoqëria traumatike e sotme.
Kohët e fundit ishte duke përgatitur një libër me jehonën e pazakontë ndërkombëtare të mikpritjes, ruajtjes së hebrenjve nga qytetarët e Beratit, gjatë Luftës II Botërore, libër që e ka zanafillën në shënimet e vizitorëve nga e gjithë bota të muzeut “Solomon”, muze i konceptuar, ngritur dhe prezantuar nga Simon Vrusho, kohët e fundit.
Simoni do të kujtohet si ndër themeluesit e degës së PD-së së Beratit, organizatori kryesor i mitingut të parë opozitar më 9 janar 1991 në qytetin e Beratit dhe si këshilltar bashkiak i Bashkisë së Beratit, duke qenë përherë në anën e qytetarëve të thjeshtë.
Natyrish, ai do të mbetet në kujtesën e qytetit si njeriu mendjemprehtë, humanist, qytetari me vlera të rralla morale e shpirtërore, që kurrë nuk bëri kompromis me të keqen, pavarësisht nga vinte apo si shfaqej ajo.