Simptomat që tregojnë se mund të vuani nga ankthi

Është më se normale që të folurit në publik apo mungesa e stabilitetit financiar t`ju bëjë të ndiheni të pasigurt apo në ankth, por për disa njerëz ankthi bëhet aq i shpeshtë saqë fillon të jetë pjesë e pandarë e jetës së tyre.
Ankthi shfaqet në disa mënyra, siç janë krizat e panikut, fobia apo edhe forma të tjera.
Më poshtë po ju rendisim disa prej simptomave që tregojnë se vuani nga ankthi dhe nëse i keni shfaqur këto simptoma, e mira është t`i drejtoheni një psikologu, pasi vetëm ai mund t`ju ndihmojë në këtë rast.
Shqetësim i tepruar
Shqetësimi i tepërt është shenjë e ankthit. Njerëzit që vuajnë nga ankthi shqetësohen së tepërmi për gjërat e përditshmërisë, edhe për ato më të voglat dhe të parëndësishmet, madje mund të shqetësohen edhe për faktin pse janë të shqetësuar.
Ankthi ndërhyn në jetën e përditshme dhe shoqërohet me simptoma të dukshme, siç është lodhja.
Problemet me pagjumësinë
Mund të ndodhë që të kesh probleme me pagjumësinë herë pas here, por nëse kjo kthehet në diçka të vazhdueshme mund të jetë një tregues i ankthit.
Nëse nuk ju zë gjumi gjatë natës, pasi jeni të shqetësuar për diçka që ka lidhje me paratë, me ndonjë problem tjetër apo me asgjë në veçanti, mund të vuani nga ankthi.
Tensioni i muskujve
Tensioni i shpeshtë ose i vazhdueshëm i muskujve lidhet me ankthin. Ushtrimi i vazhdueshëm mund ta mbajë tensionin e muskujve nën kontroll, por kjo nuk është një shenjë që duhet ta anashkaloni.
Probleme me barkun
Problemet me barkun lidhen ngushtë me problemet psikologjike si stresi dhe ankthi. Një tregues tjetër janë problemet e vazhdueshme me ngërçet, kapsllëkun, diarrenë dhe gazrat.

Frika për të dalë para shumë njerëzve
Të gjithë kanë emocione para se të dalin para shumë njerëzve, por nëse kjo kthehet në frikë dhe në emocione të pakontrollueshme, atëherë kemi të bëjmë me ankth.
Njerëzit që vuajnë nga ankthi janë të shqetësuar shumë ditë para një situate apo eventi ku ka shumë njerëz dhe nëse ia dalin, më pas shqetësohen se çfarë kanë menduar të tjerët për të.
Po ashtu, njerëzit që vuajnë nga ankthi mund t`i përjetojnë problemet e mësipërme edhe kur janë të rrethuar nga një numër i vogël njerëzish. Atyre ju duket sikur të gjithë po i shohin dhe përjetojnë skuqje, djersitje, të përziera apo vështirësi në të folur.
Krizat e panikut
Krizat e panikut mund të jenë të tmerrshme. Mendoni t`ju kapë një ndjenjë e papritur frike që mund të zgjasë për disa minuta dhe që shoqërohet me rrahje të shpejta të zemrës, me probleme me frymëmarrjen, dridhje duarsh, pafuqi, përzierje, djersitje, dhimbje stomaku, dhimbje kraharori etj.
Fiksimi me perfeksionin
Zakonisht njerëzit që vuajnë nga ankthi janë të fiksuar pas perfeksionit, këshillon Class. Kjo ndikon drejtpërdrejtë në jetën e përditshme, pasi lidhet me paaftësinë për të përfunduar një detyrë pasi kërkohet vazhdimisht që të jetë perfekte apo të mos dalësh nga shtëpia për tre orë, derisa grimi të duket perfekt.
Sjellje obsesive
Në këtë rast mendimet tuaja obsesive shoqërohen edhe me veprime po aq obsesive dhe mund të jenë psikologjike, si të menduarit shumë shpesh shprehje të tipit “gjithçka do të jetë mirë” ose fizike, si larja e vazhdueshme e duarve.
Dyshimet te vetja
Njerëzit që vuajnë nga ankthi kanë vazhdimisht dyshime te vetja dhe bëjnë shpesh pyetje me vete, të llojit: “Po sikur të jem gay?”, “E dua partnerin aq sa më do ai?” etj.
Problemet me zhurmat
Reagimi ndaj çdo zhurme, sado të vogël mund të lidhet me ankthin.

Exit mobile version