Në merkaton e dimrit të kaluar, duke vënë “në pjatë” 28 milionë euro për kartonin e tij dhe një kontratë 4-vjeçare prej 8 milionësh neto në sezon, kroatin e Juventusit e kishte tentuar klubi kinez i Tianjin. Tani, përsëri, nga i njëjti vend, Hebei China Fortune po teston terrenin. Objekti i dëshirës mbetet i njëjtë: Mario Mandzukiç. Sulmuesi 31-vjeçar i Juventusit, i lidhur me bardhezinjtë deri në vitin 2020, i ngroh mendimet e Superligës kineze. Ka klube atje, që nuk kursejnë asnjë shpenzim, teksa kanë siguruar lojtarë dhe trajnerë të nivelit më të lartë. Dhe Hebei China Fortune, midis Ezequiel Lavezzi dhe Gervinho, ka treguar një fuqi ekonomike jashtëzakonisht mbresëlënëse. E gjithë kjo, duke përdorur njohurinë e Manuel Pellegrinit në stol. Pasi e ka mbyllur kampionatin me vendin e katërt, në qytetin e Quinhuangado është koha për të menduar për goditje të reja. Idetë nuk mungojnë. Paratë jo. Pra, klubi kinez në fjalë është duke ndjekur më të mirën e merkatos europiane. Dhe lind sugjerimi “Mandzukiç”.
Disa ndërmjetës të lidhur me futbollin kinez, në mënyrë krejtësisht embrionale, do të mundoheshin të provonin gjendjen shpirtërore të sulmuesit kroat. Paraja, veçanërisht në këtë periudhë historike, për një profesionist mund të nënkuptojë gjithçka. Por bomberi i Juventusit, edhe pse i kënaqur nga këto sirena të reja, do të preferonte të qëndronte në futbollin italian. Përgjigjja, pra, do të kufizohej në një “jo, faleminderit” e qartë. Në të njëjtën kohë, në mes të sezonit, “Zonjës së Vjetër” historikisht nuk i pëlqen ta privojë veten nga pjesët më të mira të saj. Aq më shumë nëse ato kanë karakteristika unike. Pjesa tjetër është një çështje nderimi mes Max Allegrit dhe numrit të tij 17, bazuar në një marrëdhënie të fortë dhe produktive.