Sistemi bankar në krizë, bien të ardhurat

Sistemi bankar, në pamje të parë, ka shënuar një vit të mirë në 2016-ën. Aktivet u zgjeruan me ritmet më të larta në pesë vjet, depozitat u rritën kënaqshëm, kreditimi dha sinjale gjallërimi, ndërsa huatë me probleme u ulën. Por, në brendësi, gjërat nuk janë aq mirë sa duket. Rritja e huadhënies erdhi pothuajse tërësisht nga kredia që po jepet jashtë vendit, ndërsa ajo brenda vendit është në rënie. Depozitat po rriten tërësisht nga kahu i valutës, duke bërë që Banka e Shqipërisë të japë alarmin për nivelin e lartë të euroizimit. Fitimet e sistemit u reduktuan dhe ato janë të përqendruara vetëm në pak banka. Reduktimi i kredive me probleme (NPL) erdhi tërësisht nga fshirja e huave që kanë më shumë se tre vjet që nuk u kthehen bankave, ndërsa sistemi vijoi të gjenerojë NPL të reja, edhe si rrjedhojë e falimentimeve të mëdha. Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.4 trilionë lekë në fund të vitit 2016, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, duke u zgjeruar me 6.8%. Këto janë ritmet më të larta të rritjes që nga viti 2011. Një vit më parë, zgjerimi i aktiveve ishte minimal, prej vetëm 1.9%. Megjithatë, pjesa më e madhe e bankave kanë raportuar rënie të të ardhurave të aktivitetit, për shkak të reduktimit të normave të interesit të kredisë, që janë burimi kryesor i të ardhurave. Banka më e madhe në vend nga qarkullimi vjetor është BKT, me rreth 17.6 miliardë lekë të ardhura, me rënie 2.7% me bazë vjetore. Banka e dytë është Raiffeisen, me të ardhura 13.9 miliardë lekë (-10%) në 2016-ën. Banka është pozitive për 2017-ën. “Duke qenë se rritja e GDP pritet të jetë afër 4%, mendoj se ky fakt do të na japë më shumë mundësi ne si bankë dhe sistemit bankar në përgjithësi”, pohon z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank. Banka e tretë më e madhe në vend nga të ardhurat është Credins, me një rritje prej 1%, në 10.3 miliardë lekë, sipas të dhënave të raportuara nga Tatimet. “Credins Bank, më 31 dhjetor 2016, rezultoi me rritje në të gjithë treguesit financiarë, duke e mbyllur vitin me aktive 166.94 miliardë lekë, në depozita 143.04 miliardë lekë, në kredi 109.26 miliardë lekë dhe të diversifikojë ofertën, duke siguruar gjatë vitit 2016 pozicionimin si banka e tretë më e fuqishme në vend”, ka pohuar z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank. Intesa Sanpaolo është banka e katërt më e madhe në vend nga të ardhurat, që arritën në gati 6.5 miliardë lekë, me rënie 10%, sipas tatimeve. Zoti Silvio Pedrazzi, drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i bankës, thotë se ai ka shumë arsye për të qenë i kënaqur, pasi banka ka arritur shumë rezultate pozitive, p.sh., reduktim domethënës të stokut të kredisë me probleme (NPL) dhe normës së NPL-së (shumë më poshtë nivelit mesatar të sistemit), një rritje të cilësisë së portofolit të kredisë, rritje të pjesës së tregut për “kredinë për rezidentët”, optimizim efektiv të kostove, si dhe fitim neto të konsiderueshëm. Societe Generale ka kaluar në bankën e pestë më të madhe në sistem sipas të ardhurave (duke i zënë vendin NBG), në një nivel prej 3.9 miliardë lekësh (3%), sipas të dhënave nga Tatimet. “Banka jonë ka treguar gatishmëri konkrete, duke qenë ndër mbështetësit më të mirë të rritjes së kredisë në vend, duke mbështetur ekonominë shqiptare në të dy kahet: kompanitë, në nevojat për likuiditet dhe investime dhe individët në planet dhe kapacitetet konsumatore”, tha z. Frédéric BLANC, drejtor ekzekutiv i Societe Generale. E gjashta është Banka Alpha, me 3.1 miliardë lekë të ardhura në 2016-ën, me tkurrje 10% me bazë vjetore. E shtata është Tirana Bank, me 2.7 miliardë lekë të ardhura duke u reduktuar me 17%. Union Bank ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 2.2 miliardë lekësh, me tkurrje rreth 5%. “Ne përsëri i arritëm dhe i tejkaluam objektivat e vendosura në të gjitha parametrat e saj: depozitat, kreditë, profitabiliteti. Vazhdojmë ritmin tonë standard të një rritjeje të kujdesshme dhe të sigurt, në të gjitha aspektet, në të gjithë treguesit”, thotë Gazmend Kadriu, drejtor i Union Bank. NBG Albania ka parë rënie të të ardhurave me 2%, në 1.9 miliardë lekë. Më pas renditet Banka Amerikane e Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-ën u ble nga NCH Capital), me 1.4 miliardë lekë të ardhura, sipas deklarimeve në bilanc, e vetmja me rritje të lartë prej 27%, teksa banka ka qenë shumë agresive në vitin e parë të plotë të aktivitetit.

Artikulli paraprakRreziku i pastrimit të parave, rriten transfertat e dyshimta
Artikulli tjetërShtrenjtimi i energjisë “maskohet” me tarifat e ditës dhe natës!