Siti i jep fund krizës

Serxhio Aguero dhe Ilkai Gyndogan kanë ndalur serinë e ndeshjeve pa fitore për skuadrën e Mançester Sitit, duke lehtësuar disi trysninë që po ndjen Pep Guardiola te klubi anglez. Kritikët kishin filluar të vinin në diskutim aftësitë e trajnerit spanjoll pas 6 ndeshjeve, ku Siti nuk kishte regjistruar sukses. Por skuadra u përgjigj në fushën e lojës me një paraqitje më se bindëse në transfertë përballë Uest Bromuiç, ku dy gola të Agueros dhe dy të Gyndogan i dhanë tre pikë të rëndësishme ekipit të Guardiolës që mbajti hapin e Arsenalit, duke mos u dhënë mundësinë “topçinjve” të shkëputeshin në kryesimin e kampionatit.
Mançester Junajtid vazhdon të zhgënjejë në kampionat, ku këtë radhë është ndalur në shtëpi nga Bërnli në një barazim pa gola, duke rrëshkitur në vendin e 8 në renditje. Junajtid e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Herrera, si dhe me Zhoze Murinjon, duke parë pjesën e dytë nga tribuna, pasi ishte ndëshkuar edhe ai me të kuq në pushimin e takimit, sepse protestoi kundër vendimeve të kryesorit Klatenburg.
Në barazim u mbyll edhe dueli i “hakmarrjes” së sezonit të kaluar, mes dy skuadrave që luftonin për titull, Totenhemit dhe Leisterit. Edhe këtë radhë, londinezët nuk arritën të dilnin triumfues, pasi penalltisë së Jansen në fundin e pjesës së parë iu përgjigj Ahmed Musa në fillimin e të dytës.
Arsenali shkëlqen në “Stadium of Lights” përballë Sunderlandit, që u dorëzua pa kushte me rezultatin e thellë 1-4. Një paraqitje e shkëlqyer kjo për të besuarit e Arsen Wenger, që zhvilluan një pjesë të dytë vërtet fatastike.
Aleksis Sanzhes fluturoi me kokë në minutën e 19 pas krosimit të Chamberlain për golin që zhllokoi takimin. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të “Topçinjve”, ndërsa 20 minuta nga starti i fraksionit të dytë një gabim i Mustafit në mbrojtje dhe ndërhyrja e parregullt e Peter Cheh e detyruan kryesorin të akordonte 11-metërsh, të cilin e shndërroi në gol Jermain Defoe.
Vetëm 6 minuta më pas, francezi Giroud shfrytëzoi më së miri një krosim të Gibs për golin e 1-2.
Arsenali në minutat e mbetura realizoi edhe dy herë të tjera me Sanches, që realizoi nga një distancë e afërt dhe me Giroud, pas ekzekutimit të një këndoreje. Më këtë sukses, Arsenali mbetet në krye të Premier Leagues në kuotën e 23 pikëve. Në sfidat e luajtura të javës së 10-të u arritën këto rezultate.

Exit mobile version