Tre mësues janë ndarë nga jeta gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e koronavirusit. Dy prej mësuesve ishin banues në Qarkun e Elbasanit, ndërsa i treti në Fier.
Fatmir Sula mësuesi 62 vjeçar nga Peqini jepte mësim në shkollën “Bishqem”.
Lajmin e humbjes së tij e publikoi në rrjetin social shkolla ku ai kontribuoi për disa vite. Mes të tjerash shkruhen dhe disa fjalë të ndjera.
“Drita e shpirtit te tij u largua fizikisht,po kurrë nuk do të largohet nga brezat e nxënësve që ka lënë pas”, thuhet në mesazh.
Sula prej më shumë se 10 ditësh trajtohej në spitalin Covid 2.
Në mesditën e së mërkurës edhe një mësuese nga Elbasani e shtruar prej 2 javësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” ndërroi jetë në moshën 62 vjeçare. Të dy mësuesit e qarkut të Elbasanit vuanin edhe nga sëmundje të tjera, shkruan abcnews.
Në 24 orët e fundit humbi jetën dhe një mësues nga Fieri, Gramoz Abedinaj.
60 vjeçari jepte mësim në shkollën e Roskovecit. Që prej fillimit të pandemisë betejën me Covid e kanë humbur dhe mësues të tjerë.
Një prej tyre ishte dhe Nardi Xhemollari nga Pogradeci, i cili ndërroi jetën dy ditë përpara se të niste viti shkollor në 14 shtator. 47 vjeçari jepet lëndën e matematikës në shkollën e mesme të fshatit Hudënisht. Për kolegët dhe nxënësit e tij kjo ishte një vdekje shokuese.
Mësuesi i matematikës nuk vuante nga asnjë sëmundje, qëndroi rreth 3 javë në spitalin Covid 2, por nuk ia doli dot të mbijetonte.
Ndërsa në 27 korrik humbi jetën mësuesi i Medresesë të Shkodrës, Gazjon Rusi. Mësuesi i matematikës mbylli sytë në moshën 39 vjeçare. Ai vuante dhe nga astma.