Partia Popullore Europiane, që ka peshën kryesore në vendimmarrjen e BE-së shprehet e shqetësuar për zhvillimet në vendet e Ballkanit, ndërsa shprehet skeptike për zgjerimin e BE në rajon. Kryetari i kësaj partie, Joseph Daul ka deklaruar, se BE-ja tashmë nuk mund të përsërisë me Ballkanin të njëjtin gabim që ka bërë me Turqinë, duke i thënë këtyre vendeve se ato mund t’i bashkëngjiten familjes europiane dhe më pas të ndodhet në situatën që ndodhet sot me Turqinë. Ndryshimi i qasjes për anëtarësimin e Ballkanit në BE gjendet në dokumentin e Kongresit të Partisë Popullore Europiane mbi të ardhmen e Europës, mbi të cilin liderët e djathtë janë mbledhur për të diskutuar në Maltë. Në pikën ku dokumenti i referohet zgjerimit të ardhshëm dhe politikës së fqinjësisë, propozohet se BE-ja nuk duhet të ofrojë anëtarësimin e plotë si mënyrë të vetme partneriteti për vendet fqinje. “E thashë qartë në takimin tonë të mëngjesit, që vendet që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian, nuk janë gati. Ne nuk mund të përsërisim gabimin që kemi bërë me Turqinë duke i thënë këtyre vendeve që mund të na bashkohen, ndërkohë që shohim se në çfarë situate jemi sot. Duhet të jemi të ndershëm. E dimë mirë që integrimi i Ballkanit, Ukrainës, Bjellorusisë apo Gjeorgjisë nuk është për nesër. Por nëse ne nuk jemi të zotët t’ju themi këtyre vendeve që duhet të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe të vlerave të tij, atëherë duhet të përgatitemi të shohim rininë e këtyre vendeve të mos duan të jetojnë në vendet e tyre ku korrupsioni është në nivelin më të lartë. Ne duhet të kemi kurajon të mos bëjmë populizëm, duke thënë që kurrë Ballkani nuk do të integrohet apo kurrë vendet fqinje s’do të integrohen, siç jua thashë dhe partive tona. Ne duhet t’ju themi, që duhet të avanconi me reformat, por njëkohësisht duhet të jemi të hapur me këto vende që duan të jetojnë me vlerat tona europiane”. Daul ka thënë gjithashtu, se Bashkimin Europian duhet të japë kontributin e tij për të forcuar themelet e një drejtësie të pavarur në vendet e Ballkanit, si një çështjet më të mprehta me të cilat përballet rajoni.