Situatë e rënduar nga përmbytjet në të gjithë vendin. Reshjet e shiut që kanë vijuar përgjatë gjithë ditës së djeshme kanë krijuar një situatë kaotike në Vlorë, Fier, Kavajë, Elbasan, Gjirokastër, Sarandë, Përmet, Tepelenë, Memaliaj, Berat, Shijak, Shkodër, Fushë Krujë, Lezhë, etj. Sipas shifrave zyrtare, deri tani janë përmbytur 3300 shtëpi, 120 biznese dhe 23 shkolla, por bilanci është edhe më i lartë. Në jug të vendit janë përmbytur disa qindra hektarë tokë, disa qindra kokë bagëti kanë ngordhur, si dhe dhjetëra rrugë janë të bllokuara. Një situatë të ngjashme po ndodh edhe në Kurbin, ku sërisht raportohet për përmbytje të dhjetëra hektarëve tokë, si dhe ngordhjen e bagëtive.
Situata është përkeqësuar edhe më tepër në Vlorë e Fier pas daljes nga shtrati të lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman. Qarkullimi është i vështirësuar në mjaft rrugë, ndërkohë që ka ndërprerje të energjisë në disa qytete. Pikërisht Vlora dhe Fieri janë dy nga qarqet më problematike. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të zonave që preken nga daljet nga shtrati të lumit Vjosë të përgatiten për evakuim, duke bashkëpunuar pa vonesa dhe pa hezitime me organet kompetente shtetërore.
Moti me reshje të dendura, që solli edhe përmbytje në pjesën më të madhe të vendit, nuk i shpëtoi as kryeqyteti. 11 personat e evakuuar nga fshati Valias në Kamëz ndodhen në Qendrën Shëndetësore të Komandës së Forcave Tokësore në Zall Herr. Moti i keq ka sjellë përmbytje edhe në pistën e Aeroportit të Rinasit, çka ka bërë që autoritetet të urdhërojnë pezullimin e fluturimeve për disa orë. Po ashtu është shembur edhe ura në ish-komunën e Pezës, në Tiranë. Si pasojë disa fshatra kanë mbetur të izoluar.
Reshjet e mëdha të shiut kanë shembur urën në rrugën Krujë-Qafshtamë. Ura siguron lidhjen e 5 fshatrave. Ndërkohë në Fushë Krujë, pranë urës së Gjolës janë evakuuar rreth 60 familje të përmbytura. Nga Korça janë evakuuar dy familje në Devoll dhe një në Kolonjë. Po kështu janë evakuuar dhe tre salla bagëtish në Vithkuq dhe Lushnjë.
Vjosa del nga shtrati, situatë e rëndë në Vlorë
Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati që prej mëngjesit të djeshëm. Bëhet e ditur se, në Memaliaj është përmbytur një biznes si paosjë e daljes së Vjosës nga shtrati. Problematike situata shfaqet në zonën e Novoselës. Uji është afruar tek Ura e Mifolit dhe prurjet e mëdha të Vjosës kanë krijuar përmbytje të mëdha në këtë zonë. Përmbytje ka edhe në zonën e Ujit të Ftohtë, kjo edhe për shkak të djegies së pyjeve në kodrën e qytetit, si dhe ndërtimet pa kriter.
Si pasojë e përmbytjeve ka nisur edhe evakuimi i gjësë së gjallë në disa zona si Novoselë, Fitore, Bishan etj. Nga vërshimet e lumit Vjosë, 25 familje janë evakuuar në fshatin Ferma të Novoselës. Situata prezantohet e rënduar edhe në Bashkinë e Selenicës, ku sipas të dhënave janë rritur ndjeshëm edhe prurjet e lumit Shushicë, aktualisht rrezikohet zona e njohur si Bishti i Malit dhe ura e Gjormit. Nga reshjet është përmbytur edhe porti ku uji kalon në 50 cm.
Pas alarmit të autoriteteve për përkeqësim të situatës në luginën e Vjosës, sapo ka nisur evakuuimi i banorëve të 4 fshatrave në zonën e Vlorës. Mbledhja e Shtabit të Emergjencave vendosi ndërhyrjen e menjëhershme duke parë shpejtësinë e rritjes së nivelit të Vjosës në urën e Mifolit.
Forcat e ushtrisë kanë nisur tashmë procesin e evakuuimit dhe mendohet se janë të paktën 3 mijë banorë, të cilët do të largohen nga shtëpitë e tyre nga fshatrat Novoselë, Bishan, Fitore, Mifol dhe Poro, për t’u strehuar në Pallatin e Sportit, në stadium dhe në Shkollën Industriale të Vlorës.
Banorët në Derven në majë të çative
Situatë alarmante në Fushë-Krujë. Banorët në fshatrat Derven dhe Mallkuç kanë hipur në majë të çative për t’i shpëtuar mbytjes. Janë evakuuar dhjetëra familje, por ende shumë njerëz kanë mbetur në çatitë e shtëpive.
Qytetarë nga fshati Murqinë i Fushë Krujës kanë denoncuar në media praninë e gjarpërinjve në banesat e tyre të përmbytura tashmë. Denoncime janë bërë në adresën e “Tv Klan” ku një banore shkruan se një prej anëtarëve të familjes së saj është pickuar nga gjarpri brenda banesës.
“Jemi të zhytur në ujë dhe nuk kemi asnjë ndihmë nga askush, ju lutem na ndihmoni, një nga pjesëtarët e familjes sime është pickuar nga gjarpri”, shkruan banorja. Ndonëse dimri nuk është stina tipike e gjarpërinjve, nuk është hera e parë që në zonat e përmbytura shfaqen këta reptilë të rrezikshëm.
Shëmbet ura e Qafshtamës, izolohen 5 fshatra
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, është shëmbur ura në aksin Krujë-Qafshtamë, e cila shërben si pikë lidhje për 5 fshatra të zonës. Si pasojë fshatrat Cudhi, Bruz-Mal, Kroi i madh, dhe pika turistike e Qafshtamës, mbeten të pakalueshme. Siç duket edhe nga pamjet, një pjesë e madhe e kësaj ure është shembur, duke e bërë të pakalueshëm këtë aks. Edhe Ura e Gjolës është shembur si pasojë e kushteve të motit.
Ambulanca del nga rruga, vdes shoqëruesi i të sëmurit
Një person ka gjetur vdekjen ditën e djeshme, pasi ambulanca në të cilën ndodhej doli nga rruga. Viktima është 42-vjeçari, Afrim Dani. Ai ndodhej në ambulancën e Burrelit sëbashku me nënën e tij 84-vjeçare, të cilën po e shoqëronin për në spital. Sipas burimeve zyrtare, fillimisht ambulanca është përplasur lehtë me një makinë dhe më pas ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një grumbull inertesh. Nëna e viktimës nuk ka pësuar dëmtime dhe ndodhet aktualisht në Spitalin e Shkodrës, për ku dhe ishin nisur.
Policia bëri të ditur se, rreth orës 15:10 është marrë njoftim se në Milot ka një aksident. “Ambulanca e Burrelit me targa AA 948 DH, me drejtues shtetasin Q.B, ku brenda ka pasur drejtuesin e mjetit, një të sëmurë dhe një shtetas tjetër që shoqëronte të sëmurën, ka humbur kontrollin dhe për pasojë është përplasur lehtë me mjetin me targa BGA 006 si dhe më pas ka dalë nga rruga, duke u përplasur me një grumbull inertesh dheu. Për pasojë është dëmtuar shoqëruesi i të sëmurës, shtetasi A.D. 42 vjeç, i cili ka humbur jetën rrugës kur po transportohej për në Spitalin e Traumës. Nga mjeti tjetër nuk ka të lënduar në njerëz, vetëm dëme të lehta materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
10 autobusë të bllokuar në Gjirokastër, qytetarët kërkojnë ndihmë
Moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut nuk kanë penguar agjencitë e udhëtimit që të nisen drejt Greqisë. 10 autobusë janë duke qëndruar në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, pasi rrugët janë të bllokuara.
Llambi Goga ka raportuar se 10 autobusë me qytetarë, ku mes tyre ka fëmijë dhe të moshuar janë nisur nga Tirana që në orën 3:00 të mëngjesi dhe tani janë bllokuar në hyrje të qytetit të Gjirokastrës. “Jemi nisur që në orën 3 të mëngjesit nga Tirana dhe tani kemi disa orë që po presim në hyrje të Gjirokastrës. Ju kërkojmë shoferëve të autobusëve të na kthejnë mbrapsht por, askush nuk reagon, pasi kanë hallin e lekëve që duhet të na kthejnë. Jemi me fëmijë të vegjël, ju lutem na ndihmoni”, thotë Goga.
Edhe pse autoritetet kanë paralajmëruar se aksi drejt Tepelenës është shumë i vështirë për t’u kaluar për shkak të rritjes së nivelit të ujit në liqenin e Viroit, askush nuk i ka dëgjuar.
Furgoni bllokohet në mes të rrugës në Delvinë
Një furgon i linjës Kalasë-Sarandë ka ngelur në mes të rrugës në Delvinë për shkak të motit të keq në rrugën Fushë Vërri-Kalasë. Në furgon ndodhen 10 persona, të cilët kërkojnë ndihmë. Për t’u hapur rruga duhet një eskavator.
Ndërkohë një banor tha se, janë 10 persona që prej më shumë se dy orë kanë ngelur në mes të rrugës. Ai thotë se nuk i ka ardhur askush në ndihmë. “Jemi 10 veta që rrezikohemi, nuk ka ardhur askush në ndihmë. Rrezikojmë jetën. Këtu nuk vijnë dot emergjencat, jemi si në ishull. Edhe helikopteri nuk ka ku të ulet. Kërkojmë ndihmë. Kemi rreth dy orë që jemi në mes të rrugës”.
800 banorë bllokohen në Dibër
Prurjet e shumta të përrenjve malorë kanë bllokuar dhe kanë lënë pa komunikim qindra banorë. Përroi i Bellovës ka izoluar mbi 150 familje me rreth 800 banorë në Dibër. Banorët e kësaj zone edhe pse janë vetëm 5 km nga qyteti i Peshkopisë pjesën më të madhe të vjeshtës dhe dimrit mbeten të izoluar. Shkak për izolimin është mungesa e një ure dhe rruga tejet e shkatërruar përgjatë shtratit të këtij përroi të rrëmbyeshëm.
Tërbohet Shkumbini, situatë e rëndë në Peqin, Cërrik dhe Librazhd
Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në disa zona dhe ka përmbytur dhjetëra hektarë me tokë bujqësore dhe serra. Sipas burimeve zyrtare rezulton se përmbytje ka në Njësitë Administrative Papërr, Pajovë, Polis, etj; rrjedha e këtij lumi ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar përmbytje të konsiderueshme.
Banorët e këtyre fshatrave ankohen se nuk kanë mbështetjen e duhur në këto momente. Sipas tyre asgjë nuk është bërë gjatë këtyre viteve për t’i mbrojtur nga përmbytjet që shkakton Shkumbini, dhe se i gjithë mundi i vitit u ka shkuar dëm.
Për shkak të mbizotërimit të motit të keq, banorët shprehen se kanë frikë nga përmbytja e banesave. Ndërkaq në Papërr uji ka përmbytur tokat dhe serat, ndërsa në Cërrik stacioni i pompave të ujit është rrethuar nga të gjitha anët nga vërshimi i rrjedhës së Shkumbinit.
Banorët shprehen se kompanitë e sigurimeve nuk i sigurojnë, shteti nuk i ndihmon dhe se nuk dinë ku të gjejnë mbështetje.
Situatë e rënduar paraqitet edhe në disa fshatra të bashkive të Gramshit, Librazhdit, Prrenjasit, Peqinit, dhe Belshit, ku në shumë fshatra mungon energjia elektrike.
Në zonën e qendrës administrative Papër janë përmbytur toka bujqësore, por më problematike mbeten në këtë zonë depot e ujit të Ujësjellësit të Bashkisë Cërrik. Nga vëzhgimi, puset janë përmbytur, por në qoftëse në orët në vazhdim do të ketë shi me intensitet të lartë mund të përmbyten edhe pompat e ujit.
Drejtori i Ujësjellësit Cërrik, Elvis Calja, u shpreh se jemi në një situatë emergjente, përsa i përket puseve të ujit dhe pompave të Ujësjellësit, duke rrezikuar furnizimin me ujë të 12 mijë banorëve. Rreziku qëndron për në ditët në vijim, pasi nëse dalin jashtë pune pompat janë shumë të vështira për t’i rivënë në punë.
Ndërsa banorët e kësaj zone shprehin shqetësimin për përmbytjen e tokave bujqësore si rrezik i shtëpive të banimit. Ndërsa përsa i përket Bashkisë Gramsh, në zonën Lenie janë prishur të gjitha pasarelat. Rrezikohet hyrja tek ura që lidh fshatin, është dëmtuar ura e Rizës në qendrën administrative Pisha, si dhe në fshatin Kërpicë ka rrëshqitje dherash në qendrën Koshuvë.
Ndërsa në Librazhd ka rrëshkitje dherash në rrugët dytësore dhe po punohet për hapjen e tyre. Në zonën e Librazhdit disa rrugë janë shembur dhe gjithashtu janë përmbytur toka bujqësore. Fshatrat më problematikë janë Funarë, Zdrajsh, Mirakë, Qukës, Karkavec dhe Bërzeshtë.
R.POLISI