Situatë dramatike në Shkodër, hapen Hec-et, 900 ha nën ujë

Shkodra ndodhet në një situatë kritike si pasojë e përmbytjeve. Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës me 1.200 metra kub ujë në sekondë, janë përmbytur më shumë se 900 hektarë tokë bujqësore. Ndërsa qindra banesa ndodhen të rrethuara nga uji.
Bashkia e Shkodrës është i vetmi institucion që ka raportuar dje që në mëngjes për situatën e përmbytjeve. Kryebashkiakja Voltana Ademi është njohur me situatën dhe ka nisur një grup pune për të inspektuar në zonat më më shumë probleme. Problemet më të mëdha janë në komuna si Dajçi, ku argjinatura po çahet dhe ka mungesë energjie dhe në Ças, ku një shtyllë energjie është anuar dhe ka rrezik të bjerë.
Si pasojë e hapjeve të portave të HEC-ve, në Shkodër janë përmbytur Ana e Malit, Dajçi, Bërdica, Guri i Zi dhe lagjia Ajasëm. Shkarkimet në Hec-ve vazhdojnë me të njëjtin ritëm sipas vlerësimit të punonjësve në terren. Sipas verifikimeve në orët e para të mëngjesit të djeshëm, gjatë një ore e gjysëm niveli i ujit po rritet përsëri me shumë shpejtësi. Nuk ka informacion zyrtar mbi nivelin e shkarkimeve nga ana e KESH, dhe pritshmërinë e regjimit të shkarkimeve gjatë orëve të paradites.
Pjesa sipërme e lagjes Bahçallek ka deri në 11 cm ujë. Ndërkohë në lagjen Ajasëm në Shkodër, niveli i ujit vjen në rritje. Lagjet Bahçallek dhe Ajasëm nuk furnizohen me energji elektrike.
Situata në Njësinë Administrative Dajç paraqitet: Darragjati mbetet fshati më problematik. Argjinatura vazhdon të çahet më shumë. Mungon energjia elektrike. Shkollat janë të mbyllura deri në një urdhër të dytë të Ministrisë së Arsimit.
Në Njësinë Administrative Bërdicë ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. Në Njësinë Administrative Ana e Malit rruga e Obotit, Ana e Malit, kalohet vetëm me mjete të larta. Ka mungesë të furnizimit me energji elektrike.
Në Njësinë Administrative Rrethina në fshatin Guci e Re nuk ka energji elektrike. Uji në Bunë në krahasim me ditën e martë dje kishte rritje të nivelit. Kalimi në segmentin rrugor Harku i Bërdicës të rrugës Shkodër-Tiranë ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Te Harku i Bërdicës është duke u rritur niveli i ujit në rrugë dhe është duke u bërë i vështirë qarkullimi i automjeteve. Është kërkuar Shërbim Policor në kryqëzimin e rrugës së Beltojës me rrugën Shkodër-Velipojë, për të shmangur kalimin e mjeteve të vogla nga Harku i Bërdicës për në Shkodër apo Tiranë.
Në Pukë ka ende disa fshatra të izoluar për shkak të shembjes së rrugëve, si dhe disa akse rrugore janë të pakalueshëm. Fushë-Arrëz Gjegjan-Mirditë i pakalueshëm për mjetet, vështirësi qarkullimi ka edhe në Fushë Arrëz-Fierz-Bajram Curri. Në Iballë e Fierzë mungon energjia elektrike prej 3 ditësh.
Lekë të shpërdoruara, shtëpi e jetë të rrezikuara
Në terren ishte dje edhe kryetari i degës së PD të Shkodrës, Ramiz Çobaj, i cili ndoqi nga afër situatën. Çobaj u shpreh se, argjinatura në Darragjat, Njësia Administrative Dajç-Shkodër është çarë në dy vende dhe rrezikon dhjetëra shtëpi që nuk janë më shumë se 10 deri 50 metra larg saj. “Në muajin mars të këtij viti, qeveria gjoja e ka restauruar këtë pikë delikate të argjinaturës, duke shpenzuar 250 milionë lekë. Më ironik është fakti se në muajin mars të këtij viti, qeveria gjoja e ka restauruar këtë pikë delikate të argjinaturës, duke shpenzuar 250 milionë lekë. Lekë të shpërdoruara dhe shtëpi e jetë të rrezikuara”, u shpreh Çobaj.
Problem ka edhe tek Harku Bërdicës në Njësinë Administrative Bërdicë. Që nga ora 07:00 të mëngjesit të djeshëm niveli i ujit në rrugën nacionale është rritur me 20 cm dhe rrezikon të bëhet e pakalueshme. Kjo do të thotë që janë shtuar shkarkimet në Vau Dejës. Zyrtarisht informohet për 1900 m3/sek, por sipas specialistëve shkarkimet e kalojnë shifrën 2500 m3/sek. Niveli i ujit po rritet edhe në fshatin Obot në Njësinë Administrative Ana Malit. Janë shtuar shkarkimet nga diga Vau Dejës dhe rreziku i përmbytjeve është shumë i madh”, shprehet Çobaj.
Banorët shprehen se nuk janë njoftuar nga qeveria për hapjen e portave të Hec-ve dhe janë gjendur të papërgatitur. Sipas tyre, uji ka vajtur afër benesave dhe në orët në vijim situata pritet të përkeqësohet për shkak të rritjes së prurjeve të ujit.

Lezhë, 300 shtëpi dhe 1200 ha tokë e përmbytur

Në Lezhë situata nga përmbytjet vazhdon të jetë tepër e rëndë. Megjithatë, problematike mbetet argjinatura e Tales, disa përrenj në Laç si dhe rezervuari i ujit në Njësinë Administrative Ungrej që është thuajse në pikën kritike. Gjatë gjithë natës, forcat e ushtrisë janë përqendruar në Tale, atje ku si pasojë e prurjeve të lumit Mat, rrezikohej një pjesë e mirë e popullsisë.
Banorët e Tales janë shprehur të frikësuar nga perceptimi i mëtejshëm i gjendjes, ndërsa thonë se masat ishin të pakta edhe pse dihej se cila do të ishte situata. “Ku do shkojmë? Mirë unë që shpëtoj po njerëzit i kanë sendet vetëm te 10 pula, dy kokrra dele, te lopa, ajo është pasuria e tyre”, u shpreh një banor. “Mbaron gjithçka. 300 shtëpi i ke të mbytyr në ujë, vetëm ndonjë shtëpi dykatëshe që mund të mbijetojë”, tha një banor tjetër.
Banorët thonë se do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë gjithë kohës, në rast çarje të tjera të argjinatures së Lumit Mat. “Familjen time e kam siguruar në kat të dytë, por disa nuk kanë kat të dytë. Kanë patur mundësi që në orën një kur ka ardhur uji ta bëjnë këtë punë, jo tani natën”, u shpreh një banor tjetër.
Në Lezhë rezultojnë të përmbytura 1200 ha tokë bujqësore, prej tyre 315 ha janë në Zadrimë, Bregu i Matës 290 ha, Shëngjini 200 ha, Balldre e Torovicë 400 ha. 390 ha tokë të përmbytura rezultojnë edhe në Kurbin, në Fushë Gjorm janë 300 ha nën ujë, ndërsa në Fushë Kuqe 90 ha.
Lumi Drin është në pikën kritike dhe pritet që të dalë nga shtrati. Situata më e rëndë tek Bregu i Matës, Barbulloj, Balldre, Gocaj, Torovicë, Baqël, Blinisht etj. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Lezhës, Zef Doçi, garantoi banorët se nga institucionet lokale po bëhet maksimumi për t’iu ardhur në ndihmë. “Po e ndjekim situatën e krijuar në të gjithë Lezhën, aq më tepër në Tale të Lezhës ku situata paraqitet më e rënduar. Jemi në kontakt me të gjitha institucionet për të qenë në gatishmëri dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të Lezhës ku janë zonat e përmbytura”, është shprehur nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Zef Doçi.
Megjithatë situata e shkarkimeve të HEC-ve Ulës dhe Shkopet gjatë së mërkurës janë në kuota të larta, ku autoritetet flasin për 2300 m3 ujë në sekondë, gjë e cila vijon të sjellë rritjen e prurjeve në Lumin Mat. Rritje të nivelit të ujit në kuota të larta ka po ashtu edhe në Lumin Drin, i cili përshkon mes përmes qytetin e Lezhës.
Problem më vetë mbetet edhe mungesa e energjisë elektrike. Mijëra banorë të ish-Komunës Shëngjin, Kallmet, Ungrej apo dhe Zejmen vijon të jenë në errësirë prej më shumë se 24 orë.
Edhe në rrethin e Kurbinit janë shfaqur probleme të mëdha nga përmbytjet. Sipas burimeve, probleme ka në Gjorm dhe Zhej të Bashkisë Kurbin, ku ka dhe përmbytje të shtëpiave të banimit për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga Bashkia, si dhe reshjet e shumta që kanë rënë. Në zonën e Fushë Kuqes ka rreth 140 ha tokë të përmbytur dhe në Milot 30 ha. Eshtë përkeqësuar gjendja në Adriatik me mbi 90 ha, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Droje, janë përmbytur edhe 7 shtëpi banimi. Bëhet e ditur se hidrovorët janë në punë me kapacitet të plotë.

Kruja nën ujë, dy fshatra të izoluar në Fushë Krujë

Dalja nga shtrati i lumit Zezë dhe Ishëm kanë përmbytur Krujën, ndërsa ka prezencë uji në disa banesa në Fushë Kuqe. Banorët atje ankohen se askush nuk ju ka ardhur në ndihmë. Ndërkohë vijon të jetë i përmbysur në rrugë dhe i zhytur në mes të ujit, autobusi i linjës Tiranë-Kukës, i cili u aksidentua mbrëmjen e djeshme. Siç mund të shihet edhe në pamje, autobusi për shkak të prezencës së madhe të ujit vijon të qëndrojë në rrugë në afërsi të fshatit Dërven. Autobusi me pasagjerë që udhëtonte nga Tirana drejt Kukësit doli nga rruga, duke u përmbysur në rrugë rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, por fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.
Pasagjerët dolën nga autobusi pa pësuar lëndime dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Automjeti me targa AA 346 AC doli nga rruga në aksin rrugor Thumanë-Fushë-Krujë, në afërsi të fshatit Derven, për shkak të lagështirës dhe reshjeve të dendura.
Ndërkohë, dy fshatra janë të izoluar në Fushë Krujë për shkak të nivelit të lartë të ujit. Në Murqinë dhe në Bilaj, zona të cilat përmbyten përherë, uji është futur brenda në banesa. Disa familje i kanë braktisur ato, por sipas informacionit nga vendorët, dhjetë familje vazhdojnë të jenë të izoluar. Banorët kërkojnë ndihmë, por deri në orët e vona të ditës së djeshme nuk pati asnjë ndihmë konkrete për ta.

Erzeni del nga shtrati

Lumi Erzen ka dalë sërish nga shtrati në zonën e Shijakut. Për pasojë, 15 familje janë evakuar. Reshjet e rëna gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar fryrjen e një sërë lumenjve. Banorët i druhen përsëritjes së përmbytjeve të ndodhura në janar të këtij viti. Në atë kohë, 500 shtëpi u përmbytën përveç tokave bujqësore.

Izolohet në malin e Sopotit një bari

Një bari raportohet se mbeti i izoluar në malin e Sopotit si pasojë e stuhisë. Sipas burimeve, bariu 32-vjeçar Ardian Tahiri ishte nga fshati Sopot. Tahiri kishte mbetur përreth 12 orë i izoluar në mal, pasi rrjedha e përroit të Gostimës ishte e rrëmbyeshme dhe e pakalueshme. Evakuimi i tij me helikopter ishte i pamundur për shkak të kohës dhe terrenit mjaft të keq. Gjatë gjithë kohës Emergjencat Civile mbajtën kontakte me bariun e izoluar në Malin e Sopotit. Pushteti Vendor i Bashkisë Prrenjas mundësoi nxjerrjen e tij nga zona e izoluar dhe po bën transportin për një kontroll mjekësor në Spitalin e Librazhdit. Sipas shefit të Zyrës së Emergjencave Civile për Elbasanin, Mustafa Arapi, gjendja e bariut nga Sopoti është e mirë.

R.POLISI

Artikulli paraprakFagja e pare
Artikulli tjetërRama braktis ceremoninë e ambasadës amerikane për Trump